Esad Pasha/97 vjetori i atentatit 
rrëfimet e të dashurës franceze 

Esad Pasha/97 vjetori i atentatit <br />rrëfimet e të dashurës franceze 
Dita ime e fundit me pashanë në hotel Continental. E pashë atentatorin që largohej me pistoletë në dorë...
 

Në 97 vjetorin e atentatit të bujshëm, ku mbeti i vrarë në mesditën e 13 qershorit 1920, para hotelit “Continental” në Paris Esad pashë Toptani. Gazeta sjell një pjesë nga dëshmia e të dashurës pariziene, me të cilën Esadi kaloi momentet e fundit të jetës. 22-vjeçare në gjyqin e Sienës mbi atentatin që iu bë mikut të saj të zemrës nga 23-vjeçari shqiptar Avni Rustemi, jep detaje shpesh emocionale. Elise Dufour, e thirrur ndryshe Lissete, do të ndahej për pak ditë nga i dahsuri i saj, i cili priste t’i vinte gruaja nga Turqia. Pashai, ditën e atentatit e kishte prezantuar zonjushën pariziene me nipin e tij Xhemil Vlora dhe do të dilnin të drekonin në një restorant... 
 
*********************

Lissete e mban mend mirë. Ishte 13 qershor 1920. Orët e mesditës. I zbriti shkallët e Hotel “Kontinental” gjithë gëzim. Në holl Esad Pashë Toptani, miku i saj i zemrës, do ta prezantonte me nipin e tij Xhemil Vlora. Po atë ditë do të shkonin për të drekuar diku në një prej restoranteve luksoze të Parisit. Ishte dita e fundit në atë hotel. Të nesërmen e kishin planifikuar të largoheshin që aty. Do ta linin strehëzën e tyre të dashurisë, ku kishin kaluar netë pasioni dhe kishin biseduar aq gjatë rreth miqësive në Parisi, rreth Tiranës dhe të afërmve të Esadit, miqve dhe armiqve të tij, problemeve politike e shoqërore... Esadit, do ti vinte gruaja nga Turqia për disa ditë, ndërsa Lissete do të shkonte të jetonte diku larg tij për aq kohë sa ajo të ishte në Paris. Pashai do të shkonte ta vizitonte atje, dhe mandej....

Ishin vetëm plane. Sepse gjithçka u pre në mes atë ditë qershori, kur një djalosh shqiptar me pistoletë në dorë e qëlloi Esad Pashën në hyrje të hotel Kontinental, e mandej, vrapoi rrugës, “Castiglione” me pistoletë në dorë.

Lissete ishte në automobil bashkë me nipin e Esadit,  Xhemil Vlorën. Në fillim kishin dalë që të tre së bashku. Do të shkonin për të drekuar jashtë. Por në momentin e fundit, gjenerali, siç e thërriste ajo, iu kishte thënë se do të kthehej në hotel për pak minuta dhe që ata të ecnin para drejt automobilit. Pikërisht atë moment, ndërsa prisnin në makinë, Lissete pa nga xhami i pasëm një djalë që hodhi një pistolentë në tokë dhe vrapoi përgjatë rrugës. Lissete dalloi njerëz që i thërrisnin e donin ta ndalonin. Kishin dëgjuar dy të shtëna. Kishin zbritur me nxitim nga vetura dhe kishin trokitur në një shtëpi aty pranë, derën e së cilës e kishte hapur e zonja e shtëpisë. Kur kishin dalë, kishin pas pak çastesh kishin dëgjuar: kanë qëlluar Esad Pashën...

Një përzierje ndjesish dhe tronditjeje. Ajo s’mund ta besonte këtë deri në momentin e përballjes. Në hollin e hotelit, fare pranë ashensorit, gjenerali i shtrirë përtokë, i gjakosur...

Parizjenia 22 vjeçare i ka kujtuar të gjithë hollësitë një ditë më pas në postën policore. Dëshmia e shkruar dhe e firmosur prej saj, e mandej nga komisari i policisë i nënshkruar Jublin, është lexuar në një prej ditëve të gjyqit të Sienës, kur ishte thirrur për të dëshmuar Lissetë, dëshmitarja në vendin e ngjarjes, që zbulon me hollësi detaje nga ditët që ka kaluar me Esadin në Paris. 

Kjo dëshmi e përfshirë në dosjen gjyqësore, zhvilluar në Paris, gjendet bashkë me shumë njoftime të tjera të dëshmitarëve, me  aktakuzën dhe pjesë të procesverbalit të gjyqit francez  në Paris kundër të pandehurit Avni Rusemi akuzuar për vrasjen e Esad Pashë Toptanit. Dosja që përmban 191 fletë u soll në Tiranë me  kërkesën për të zbardhur këtë ngjarje. Tashmë ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit në fondin e Esad Pashës dhe prej shumë vitesh shfrytëzohet nga studiuesit dhe historianët, kryesisht për rrethanat politike të dy personazheve kryesorë të ngjarjes Esad Pashën dhe avni Rustemin.
Por ne kemi ndaluar tek personazhi i Lissetës. Jo rastësisht. Ngjarja e bujshme e Parisit është trajtuar qindra herë në media e botime të ndryshme. Por pak është folur për këtë vajzë 22 vjeçare, e vetmja që jetoi ditët e fundit në krah të Pashait, që ndau intimitet e saj me të dhe bisedoi për shumëçka rreth jetës dhe dëshirave të tij. Dishmia e saj dhënë komisarit të policisë një ditë pas vrasjes së Esad Pashës, është ana tjetër e medaljes së karakterit ekspresiv të këtij personazhi, mbase më kontradiktori dhe i përfoluri i asaj periudhe.
 
Mikesha Lissete
Ishte 22 vjeçe, pa profesion. Jetonte prej disa muajsh me Esad Pashë Toptanin nëpër hotele të ndryshme të Parisit dhe prezantohej gjithnjë si e dashura e tij.
 
Intimitete dashnorësh
Lissete dëshmon se Esad Pasha ishte shumë i mirë  me të. Ai i fliste edhe për punët e tij të veçnata e politike. Parizjenja tregon se ishte në dijeni për martesën e gjeneralitdhe se ato ditë Esadi priste të shoqen t’i vinte nga Stambolli për pak ditë. 
 
Rrëfimet e gjeneralit
22 vjeçarja rrëfen se Esadi nuk i kishte fshehur se kishte shumë armiq. Vetëm një ditë para atentatit, ndërsa ai lexonte gazetën i kishte thënë se partizanët e tij ishin ata që kishin rrëzuar qeverinë e Tiranës. E mejgithëkëtë, sipas saj ai nuk ia kish frikën ndonjë atentati në Paris.
 
“Ju rrëfej orët e fundit me gjeneralin”
 
14 qershor
Viti 1920

 
Vazhdojmë hetimet. Dëgjojmë zonjushën Dufour Elise e thirrur Lissete Delle, 22 vjeç pa profesion, banuese në hotel “Kontinental” në dhomën 179 e më pas banuese tek mikja e saj  zonjusha Marry Maud në rrugën Colonel Bonnet 18.

Ajo deklaron:

E kam njohur gjeneral Esad Pashën vitin e kaluar në muajin shtator në Deauville. Nga që unë u bëra maitresse e tij nuk jam larguar prej tij që prej asaj kohe. Që prej dy muajsh rri në hotel Kontinental në apartamentin 179. Më parë ishim së bashku në apartamentin e mobiluar, 25 rruga Monceau.
Sot do të më duhej të lija hotel Kontinenatalin për të shkuar në Vichy kurse gjenerali do të zhvendosej në një hotel të zënë prej tij me qera “Villa Said 3”,  të cilën e kisha vizituar një herë me të.

Gjenerlai ishte shumë i mirë për mua. Ai më fliste edhe për punët e tij të veçnata e politike. E dija se ishte i martuar e që priste të shoqen t’i vinte nga Stambolli për pak ditë. Madje për këtë arsye më duhej të shkoja në Vichy, ku gjenerali do të vinte më vonë të takohej me mua.
Gjenerali nuk ma kishte fshehur se kishte shumë armiq.  Dje në mëngjes, ndërsa lexonte gazetën më tha se partizanët e tij ishin ata që kishin rrëzuar qeverinë e Tiranës. Por megjithatë nuk ia kish frikën ndonjë atentati në Paris.

Dje në mëngjes mbërriti në hotel nipi i gjeneralit  zoti Xhemil Vlora (Djemil Vlora). Rreth orës një pas dreke në hollin e hotelit gjenerali më prezantoi me nipin e tij dhe të tre pak më vonë do të shkonim të drekonim në restorant.

Në çastin e kalimit të portës në rrugën “Castiglione” gjenerali më tha: një minutë, hipni në automobobil”. Dhe u kthye në hotel.
Unë hipa në automobil bashkë me zotin Xhemil Vlora dhe në atë moment dëgjova dy krisma. Pashë nga pasqyra e prapme e veturës  dhe dallova një njeri që hidhte përtokë një revolver që mbante në dorë dhe njerëz që përpiqeshin të kapnin këtë njeri, që nuk e njihja. Bashkë me zotin Xhemil hymë në portën e një shtëpie aty afër, derën e së cilës e mbylli e zonaj e shtëpisë. Pas pak castesh ne dolëm sërish e hypëm në veturë për të pritur gjeneralin. Në atë çast dëgjuam një njeri që thoshte me zë të lartë se sapo kishin shtënë mbi  Easad Pashën. Zbritëm menjëherë nga automobili dhe shkuam në hotel të shihnim ç’kishte ngjarë.  Gjetëm gjeneralin të shtrirë në dysheme afër ashensorit, i cili nuk jepte më shenja jete. Pas pak gjenerlain e ngjitën në dhomën e tij.
Pranoj, nënshkruej, leximin e deklaratës
Nënshkruar
Elisse Dufour
Komisari i policicisë nënshkruar Jublin.
 
Pasaporta e Avni Rustemit në Gjykatën e Sienës
Nga e njëjta dosje gjyqësore zbulojmë edhe shumë deatje të imtësishme mbi tiparet e Avni Rustemit, levizjet e tij dhe gjithë hollësitë e shënuara në pasaportë. Janë të dhëna të hollësishme mbi 23 vjeçarin që vrau para Hotel Kontinnetal në mes të Parisit Esad Pashë Toptanin. Ky dokument i cili iu konfiskua atentatorit nga autoritetet e policisë, është përkthyer për synim hetimi në gjuhën frënge dhe është pjesë e elemnteve hetimore. Në fondin e Avni Rustemit, kjo dosje me 10 fletë përmban raportin e Low Hedeman dërguar Gjyqit të Sienës mbi të dhënat e nxjerra nga pasaporta e tij.
 
Iow Hedeman përkthyesi jure pranë Gjykatës së Sienës  10,  rruga Martel Paris.
IV./ 844
 
Çështja kundër Avni Rustemit i pandehur për vrasje të vullnetshme
 
Raport
Zoti  gjyqtar hetues, duke zbatuar  vendimin tuaj për të përkthyer në frëngjisht të dhënat në pasaportën e të pandehurit, ja çfarë gjendet në  pasaportën në fjalë:
 
Në faqen nr. 1 thuhet:
Nr. i pasaportës: 421   nr.regjistrit 1
Pasaportë
Lëshuar Avni Rustemit i biri i Nerimit dhe Lale Shakos, lindur në Libohovë,  më 9 shtator 1895
Banues në Vlorë me gjendjen e tij student.
 
Në faqen nr.2:
Shenjat
Lartësi e trupit 1m.65
Mosha: 23 vjeç
Balli: i lartë
Sytë: gështenjë
Hunda: greke
Goja: e rregullt
Flokët: gështenjë
Mjekra: e rrojtur
Mustaqet: gështenjë
Ngjyra: rozë
Trupi: i dobët
Nënshkrimi i titullarit
Firmosur: Avni Rustemi
 
Në faqen 3
Kjo pasaportë është lëshuar për në Itali dhe është e vlefshme për nji vit. Lëshuar gratis më 19 dhjetor 1918. Sekretari për çështjet civile të Shqipërisë
Nënshkruar: Capialti
 
Faqet 4 dhe 5 të caktuara për të plotësuar emrat e personave që shoqërohen me titullarin janë bosh.
 
Në faqen 7
Ndodhet një fotografi e titullarit që përmban  nënëshkrimin e tij dhe poshtë në të djathtë, Nr. 1555.
Në të dy anët e fotografisë ndodhen vula me ngjyrë e drejtorisë së policisë së Vlorës
Më poshtë thuhet:
“Vërtetohet se titullari i kësaj pasaporte është efektivisht personi  i riprodhuar  me anë të fotografisë.
Nënshkrimi është vënë nga vetë dora e titullarit
Vlorë 21.12.1918
Nëntogeri i karabinierëve
Nëndrejtor i policisë
Firma
 
Në faqen 8:
Pa vërejtje
S.Demitrio  Corone
10.7.1919
Për komandantin e stacionit
Firma: V.Cuporto
Më poshtë:
E vlefshme për të udhëtuar me anije për në Vlorë
Brindizi 12.7.1919
Nën komisari i sigurimit
Firma; d’Aprile
 
Faqe 9
U pa arritja në Vlorë 13 korrik 1919
Marshalli i stacionit të karabinierave
Zëvendës drejtori i policisë
Firmuar:  Giuseppe Jandolo
Vula e Drejtorisë së Policisë Vlorë
Vazhdon një shënim me shenjë kryqi, shenim që thotë:
I autorizuar të lërë tokën e mbretërisë duke kaluar kufirin në Brindizi ku ai do të shkojë brenda 5 ditëve me anën e rrugës Romë, Caserta, Foggia, Bari.
Romë 3.5.1920
Për prefektin e policisë firma
 
Në faqen 10
Nr. 2042
E vlefshme për të shkuar në San Demetrio Corone dhe kthim në Vlorë
Vlorë 24 shttaor 1919
Për sekretarin e çështjeve civile të Shqipërisë
Firma
Poshtë thuhet:
U pa për të shkuar në Durrës 3 dhjetor 1919
Nga San Demetrioi Corona
Mareshalli shef komandanti i stacionit
Firma
 
Në faqen 11
U pa e vlefshme për udhëtim me anije për Durrës 5.12.1919
Nën.komisar i policisë d’Aprile
Vulë e komisariatit të policisë në stacionin detar.
Më poshtë:
1555
u pa për udhëtim për Vlorë e Durrës
Brindizi 4.5.1920
Komisari Rizza
 
Në faqen 12
U pa për udhëtim me anije
Essiroli 18.12.191
Për kapitenin komandanti i kompanisë
Firma
Vula e kompanisë së komandimeve në Durrës
Më poshtë:
U pa arritja Vlorë 5 maj 1920 nëntogeri i karabinierëve drejtori i policisë
Firma
Vula e drejtorit të policisë Vlorë
 
Në faqen 13
U pa arritja durrës 5 maj 1920
për kapitenin, komandanti i kompanisë  firmosur  Bradascio
vula e stacionit të karabinierëve Durrës
Më poshtë:
Ndodhet një shënim i fshirë fort ku dallohet midis fshirjes: 
u pa për të shkuar në Itali me anijen  Molfetta
27 maj 1920
për kapitenin e kompanisë
pa firmë
 
Në faqen 14
Atashehu Italian në prefekturën e Durrësit
Kjo pasaportë lëshuar  zotit Avni Rustemi zgjatet për një vit dhe për destinacionin si shënohet në faqen nr.3 Itali
Durrës 20 Maj 1920
Atashehu Italian në prefekturën e Durrësit
Firma
 
1920 - 13 qershor – 2017

Nga Niko Kotherja


97 vite - Nje nga vrasjet me te bujshme dhe njekohesisht enigmatike te historise se Shqiperise. Esat pashe Toptani duke dale per te hyre ne automobilin e tij, rreth ores 13:00, ne hyrjen kryesore te hotel "Continental", u qellua per vdekje me dy plumba nga Avni Rustemi. Plumbat, duke i pershkuar organe jetesore, i sollën pashait vdekjen e menjëhershme. 
Eshte aluduar shume rreth personazheve qe kane investuar ide, organizim dhe monedha per kete atentat. Midis tyre eshte lakuar edhe emri i Ahmet Zogut. Ende sot, nje pjese e dokumenteve te procesit gjyqesor te Rustemit nuk jane bere publike, si dhe bisedimet qe ai ka pasur me avokatin e tij De Monzie, per te krijuar versionin e trajtimit te ngjarjes ne gjykate.
 
Në foto: faqja e parë e gazetës "Le Petit Parisien", botimi i menjehershem pas ngjarjes, i dates 14 qershor 1920; poshtë majtas reklame e markes se pistoletave "Smith & Ëesson" sipas modelit qe perdori Avniu ne atentat; poshte djathtas fotografi e Avniut menjehere pas dergimit te tij ne polici, pasi u godit dhe u dhunua nga persona te rastit pas atentatit dhe fotografia djathtas tregon godinen ne ditet e sotme te hotelit ku u krye atentati (shenuar vendi ku ndodhi ngjarja me 1 pozicioni i Avniut dhe 2 vendndodhja e Esatit kur u qellua).

esat pashe toptani

esat pashe toptani

esat pashe toptani
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore