Bashkimi Europian ka hequr Brazilin nga lista e vendeve të autorizuara për eksportin e kafshëve dhe produkteve shtazore drejt tregut europian, për shkak të mosrespektimit të rregullave mbi përdorimin e antimikrobikëve në blegtori.

Vendimi rikthen vëmendjen edhe te tregu shqiptar, pasi Brazili është vendi nga ku Shqipëria importon sasinë të mëdha të mishit.

Sipas të dhënave të doganave shqiptare, importet e mishit nga Brazili kanë njohur rritje të fortë në 3 dekadat e tranzicionit. Në vitin 2024 Shqipëria importoi 48 mijë tonë mish, ku 26,8 përqind e të cilit ishin nga Brazili. Vendi i dytë për sasinë e importit të mishit është SHBA e ndjekur nga Greqia, Italia, Paraguai etj.

Në shumicën e rasteve kur janë konstatuar ngarkesa problematike me mish të importuar, origjina ka qenë pikërisht Brazili.

Siç raporton Bloomberg, Komisioni Europian konfirmoi se nga 3 shtatori Brazili nuk do të mund të eksportojë më në tregun e BE-së kafshë për prodhim ushqimor dhe produkte të derivuara, përfshirë mish viçi, shpendë, vezë, produkte akuakulture dhe mjaltë.

Sipas zëdhënëses së Komisionit Europian për Shëndetin, Eva Hrncirova, Brazili u përjashtua pasi nuk garanton respektimin e standardeve europiane për përdorimin e antimikrobikëve gjatë gjithë ciklit të jetës së kafshëve.

Rregullat e Bashkimit Europian ndalojnë përdorimin e antibiotikëve dhe substancave të tjera antimikrobike për rritjen e prodhimit në blegtori, si edhe përdorimin tek kafshët të barnave të rezervuara për trajtimin e infeksioneve te njerëzit.

Megjithatë, Shqipëria importon mish nga ferma braziliane të certifikuara nga Bashkimi Europian. Por ekspertët theksojnë se certifikimi nuk e përjashton plotësisht mundësinë e abuzimeve apo problematikave në zinxhirin e furnizimit.