Kjo shtyllë dhe përcjellësit e energjisë elektrike qëndrojnë në tokë prej të paktën 4 ditësh në fshatin Rrilë të Lezhës. Shtylla e tensionit 220 kW u dëmtua nga eskavatori i Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Lezhë, i cili po punonte në hapjen e kanaleve kulluese në këtë zonë.
Përcjellësit e energjisë elektrike në tokë janë kthyer në rrezik për jetën e banoreve që jetojnë në këtë zonë, të cilët kërkojnë që të merren masa të masa të menjëhershme për t’i dhënë zgjidhje problematikës.
“Prej 4 ditësh është bërë pastrimi i kanalit, është prishur shtylla. Ka qenë duke më rënë mbi kokë mua natën e Shën Kollit. I kam thënë OSHEE. Nuk dëgjojnë të përgjigjet askush. Kanë ardhur edhe të Bordit e Bashkisë dhe nuk më është përgjigjur askush. Këtu ka rrezik se është korrenti i zhveshur. Unë dua të më vihet shtylla se nuk kam të ardhura ta blej. Nuk di asnjë lloj manovrimi, se di si do e zgjidhim. Unë nuk kam lekë për të blerë shtyllën”, tha banori Pjetër Vermoshi.
E kontaktuar për këtë çështje Njësia e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike në Lezhë bën me dije se problematiken ja kanë përcjellur drejtorisë rajonale dhe pritet miratimi për të nisur ndërhyrjen në riparimin e dëmit të shkaktuar. Drejtori rajonal Armand Zhuka foli për Report Tv duke thënë se ditën e nesërme do të vendoset shtylla e re ndërsa shton se s'është ndërprerë energjia për të mos lënë familje pa drita.
“Po është e vertetë që ka rënë shtylla nga punimet, por kabujt janë të veshur, nuk përcjellin energji. Aty jane vetëm dy familje dhe për të mos i lënë pa drita nuk kemi stakuar energjinë. Jo më larg se nesër vendoset shtylla e re”, tha drejtori rajonal Armand Zhuka.