Esse/Të mos i besosh Makiavelit!
Nga Mehmet Kraja

Esse/Të mos i besosh Makiavelit!<br />Nga Mehmet Kraja
Është për t’u habitur si erdhëm kaq shpejt në këtë situatë, kur me gjuhën tonë nuk arrijmë ta shprehin të saktë atë që e mendojmë, sepse për shumë gjëra e kemi tejkaluar kuptimin e fjalëve që përdorim.

Fjala Kosovë nuk thotë më asgjë nga ato që i kemi menduar dikur, nuk shpreh më asnjë nga idealet e dikurshme, më shumë është shndërruar në një përzierje fatale të krizës së përhershme të vlerave dhe e konfuzionit politik, identitar, historik, botëkuptimor, fetar dhe kulturor; një përzierje fatale e moralit të gënjeshtërt dhe e derivateve të tij me snobizmin, padijen dhe injorancën.

Nuk e kemi besuar ndonjëherë se fjala shtet do të merrte këtë kuptim, një sajesë njerëzore gati e pavlerë, e përdorshme vetëm për oligarkët që e sundojnë dhe e poshtërojnë, që e rrjepin dhe e zhbijnë, që përmirën dhe hedhin mbi të pëgërat e tyre krupndjellëse; pra një sajesë që më së paku iu shërben atyre që kanë nevojë për të dhe që e duan më së shumti. Fjala liri nuk e ka kuptimin e plotë te ne, sepse në brendinë e saj duhet ta përfshijë edhe zhgënjimin, pamjaftueshmërinë, neveritjen me kotësinë e saj, apo edhe dilemën nëse ajo është vërtet vlerë e përbotshme, për të cilën ia vlen të sakrifikohesh.

Për fjalën krizë do të duhej gjetur një kuptim më të frikshëm se në çdo gjuhë tjetër të botës, sepse ajo, duke qenë gjithëpërfshirëse dhe ciklike në botën shqiptare është po aq ogurzezë dhe e mnershme sa korbat e zinj që e hanë dhe e hanë dhe prapë e hanë Prometheun.

Ndërkaq, për fjalën politikë duhet zgjeruar rrethin kuptimor me një sërë atributesh, që nuk i ka njohur as Makiaveli, së paku jo në përmasa të këtilla, ku si kuptime të para hyjnë mashtrimi dhe gënjeshtra, banditizmi dhe korrupsioni, demagogjia dhe hipokrizia.

Ndërsa politikani është bërë sinonim i zhvatësit dhe kriminelit, por mbi të gjitha i moralizuesit të rremë dhe vullgar, i cili kudo në botë thotë gënjeshtra me shumicë, por te ne gënjen më së shumti pikërisht atëherë kur thotë se të gjitha i bën për Kosovën dhe popullin e saj. Edhe nga fjalët intelektual, profesor, akademik përfundimisht duhet hequr aureolën e idealistit dhe duhet shtuar nuanca të tjera kuptimore, në mënyrë që  të davaritën mjegullat e reja e të vjetra dhe faqe botës të dalin të tillë siç janë, njerëz me vese dhe me vlera të dyshimta ose pa to fare, të gënjeshtërt, egoistë dhe servil deri në neveritje.

Vërtet, të mos i besosh gjuhës!
 
 Po kaq e çuditshme të duket ndonjëherë, pse perënditë, kur i stisën të gjithë këto shtete ose gjysmë-shtetet shqiptare u gjenden në një situatë të pavëmendjes dhe të konfuzionit të madh. Në këto shtete, si të vinin nga një mallkim qiellor, krizat zëvendësojnë njëra-tjetrën, alternohen, një herë i çorodit shqiptarët në Maqedoni, pastaj në Shqipëri, pastaj në Kosovë, pastaj do të kthehet sërish, nëse jo në një vend konkret dhe nëse ajo nuk do të jetë politike, do të përfshijë çështje të tjera, më pak “tokësore”, siç janë ato fetare, identitare, historike, ideologjike, civilizuese etj. Por ajo që të bën përshtypje, që është unike, e veçantë, tipike shqiptare, është njëlloj mekanizmi i brendshëm, një si mallkim i racës, i cili prodhon dhe gjeneron kriza të vazhdueshme.

Te ne politika në mënyrë anekdotike vetë i prodhon krizat, i rrit, i zmadhon, i bën të pazgjidhshme, kriza që kundërmojnë, që u vjen era në tërë Europën dhe e kthejnë në gropë të zezë Kosovën dhe mbarë botën shqiptare.

Dhe pastaj, sipas shembullit të politikës, vijnë reaksionet zinxhir: ekonomia jonë prodhon krizë ekonomike, sistemi jonë arsimor prodhon krizë arsimore, kultura prodhon krizë kulturore dhe akulturim. Kosova prodhon krizë të përgjithshme, politike dhe shoqërore, vetë zhytet në atë krizë dhe, me progresion gjeometrik, degjeneron vlerat e saj njerëzore dhe morale.

Ky është rrethi i mbyllur. Por kjo duket teori, nëse gjatë këtyre tre muajve të fundit nuk je ulur qoftë vetëm një ditë të vetme para televizorit dhe të kishe parë se kriza jonë, në të vërtetë, është krizë e vlerave njerëzore, se klasa jonë politike është thellësisht shkatërrimtare, degjenerike, një kope gënjeshtarësh dhe mashtruesish ordinerë, pa kulturë, pa dije, pa sensin e masës për asgjë, moralizues të rremë, banditë, zhvatës, me procese të hapura gjyqësore, me dosje krimesh dhe korrupsioni. A i thamë të gjitha? Mbase jo, sepse përsëri të duket sikur fjalët nuk e thonë atë që duhet.

Për ta plotësuar kuadrin dhe për ta ndjerë veten të neveritur dhe të pështirosur deri në klithje, mbi krejt këtë duhet shtuar gënjeshtrën lapidare, se të gjithë këta matrapazë e zorzopë e lapërdharë punojnë për të mirën e Kosovës.

Për ta plotësuar kuadrin dhe për të ndjerë krupë më shumë se ç’mund të mbajë barku i njeriut, kësaj “llaçumie” të politikanëve tanë duhet t’ua vësh nga pas kopenë e analistëve, shumica syresh pa shkollë dhe pa dije politike, servilë dhe çanaklëpirës pa dinjitet, të cilët më shumë merren me shitblerjen e parimeve të veta sesa me analiza çfarëdo qofshin ato. Edhe këta, natyrisht, shumë të brengosur me fatin dhe ardhmërinë e Kosovës, e dendin eterin e këtij vendi me analiza pa asnjë vlerë, me fjalë boshe, me padijen e tyre anekdotike, me hipokrizinë morale dhe me batërdi marrëzish e gënjeshtrash politike.

Dhe, së fundi, për ta plotësuar kuadrin e krupës dhe neverisë, duhet shtuar këtu edhe një pamje tjetër të Kosovës politike, atë të djemve dhe vajzave të reja, që sapo kanë hyrë si “rishtarë” në politikën e këtij vendi. Rendi normal i gjërave e thotë ata do të duhej të ishin shpresa jonë e madhe për ndryshime, për një politikë ndryshe, për një ekspertizë profesionale, për moral tjetër politik dhe për një frymë europiane në institucionet tona vendimmarrëse dhe qeverisëse.

Por, Zot i madh, nga ajo që shihet deri më tani, këta janë edhe më të frikshëm se pararendësit e tyre! Përveç karrierizmit agresiv dhe demagogjisë vulgare, ata nuk i ofrojnë asgjë më shumë këtij vendi. Ata janë tepër të rinj që të jenë kaq gllabërues, kaq ujqër të uritur, me “synin kokërr” në misionin e tyre për ta rrjepur Kosovën. Nga ajo që kemi mundur të shohim, para këtyre lubive Kosova duket aq e vogël, aq e pafuqishme.

Që ta mbyll këtë mesele rreth politikanëve tanë, mbetet t’ju rrëfej se në njërën nga ditët e shkuara, kur më në fund u bë parlamenti i Kosovës dhe ndonjë ditë më pas, nuk më kujtohet tamam, në ekranin e televizorit pashë pikërisht fjalamaninë gënjeshtare për Kosovën, nga politikanët dhe analistëve tanë, dhe mendova se mbase ishte çasti më i përshtatshëm që televizorin tim ta hidhja nga dritarja, ose nga ballkoni i banesës.

Nuk e bëra, nuk e di nëse u tregova dorështrënguar ose i paguximshëm, vetëm se, pas një shëtitjeje nëpër lagjen time “Ulpiana” të Prishtinës, nuk pashë gjëkundi asnjë televizor të thyer e të hedhur në rrugë. T’ju them sinqerisht, ishte një zhgënjim i madh me veten time dhe me bashkëqytetarët e mi.
 
 Dhe, derisa politikanët tanë përpiqen të arnojnë pushtetet e tyre, duke pranuar çdolloj kompromisi dhe duke mbledhur copat e shteteve dhe të gjysmë-shteteve tona, në botën shqiptare ndodhin gjëra që kufizohen me një çmenduri kolektive dhe fatkeqësi kombëtare. Dhe, derisa opinionit shikon me shqetësim çfarë ndodh me politikën dhe bërësit e saj, në prapaskenë i bëhet gjëma Kosovës dhe institucioneve të saj.

Dhe, derisa Kosova tashmë është bërë ferr për të gjithë idealistët e këtij vendi, më anë tjetër ajo është kthyer në parajsë për të gjithë njerëzit me vanitete dhe është bërë strofull i ngrohtë për të gjitha veset njerëzore. Kjo krizë morale, kjo krizë vlerash dhe ky shfytyrim që na ka përfshirë ka krijuar alibi për të gjithë plangprishësit, të hershëm dhe më të vonë, për ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët e Serbisë, për ata që kanë punuar në dëm të Kosovës dhe për ata që me bëmat e tyre e kanë shkatërruar prestigjin e saj.

Të gjithë janë të amnistuar, pa kërkuar falje, madje mburren para syve tanë dhe ndihen krenarë. Ky konfuzion i bën të barabartë njerëzit e mirë dhe të këqij, ata që e kishin ideal lirinë e Kosovës dhe ata që në çdo formë u përpoqën ta mbanin Kosovën nën Serbi; ata që deshën autonomi dhe ata që deshën pavarësi; ata që çdo ditë shkatërrojnë institucionet e Kosovës dhe ata që përpiqen t’i ndërtojnë ato. Një Kosovë dhe një botë shqiptare me kriza që alternohen është hapësirë jashtëzakonisht e përshtatshme për krim të organizuar, për trafiqe, për pastrim parash, për korrupsion përmasash të mëdha, për çdo gjë.

Dhe ky krim i organizuar është i lidhur ngushtë me politikën dhe paranë, prandaj syleshët siç jam unë duhet të kuptojnë më në fund dhe të mos llogorasin kot, sepse krizat i krijon vetë politika dhe ajo i shfrytëzon ato për hesapet e veta. Një Kosovë dhe një botë shqiptare e përfshirë nga krizat ciklike është jashtëzakonisht e përshtatshme që vendi të bëhet deponi mbeturinash, që qytetet e saj të përfshihen nga një kaos urban i paparë, ndërsa kryetarët e komunave sërish dhe sërish të kandidojnë të bëhen kryetarë.

Në një Kosovë të këtillë sekush mund të fyejë idhujt kombëtarë, sekush mund të poshtërojë simbolet, sekush mund të propagandojë radikalizmin fetar, sekush mund të organizojë eksod ilegal dhe trafikim emigrantësh në qendër të Prishtinës, dhe sërish të mbetet i pandëshkuar.

Një Kosovë e këtillë është parajsë për gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, për profesorët që regjistrojnë studentë me para, që shesin nota dhe tituj shkencorë e universitarë. Në një Kosovë të këtillë ndihet mirë intelektuali provincial, shkrimtari mediokër, piktori diletant, krijuesi i patalentuar. Gjatë kohës që Kosova jeton krizën politike, dhe gjatë kohës që kriza politike wshtw në të ikur dhe në ardhur njëkohësisht, institucionet tona të të gjitha niveleve jetojnë dhe për një kohë të gjatë do të vazhdojnë të jetojnë dëlirin e vetëshkatërrimit dhe idilin e vetëmashtrimit.

Vetëm idealistët, ata që deshën ta bënin Kosovën një vend normal, vetëm ata nuk gjejnë asnjë ngushëllim.

Që politika nuk ka punë me moralin, këtë e kanë mësuar të gjithë nga Makiaveli, por që një shoqëri e tërë të mos ketë punë me moralin, këtë nuk e kishte menduar as dijetari fiorentinas.
makiaveli
(Niccolo Makiaveli nga Mehmet Kaja)

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij