Estetika migjeniane, një
studim monografik gjithpërfshirës

Estetika migjeniane, një<br />studim monografik gjithpërfshirës
Alfred Uçi është ndër të rrallët, mbase edhe i vetmi në letrat shqipe, që vazhdon krijimtarinë e vet me një passion dhe ritëm për admirim, që nga fillimet deri në ditët tona  duke e pasuruar, thelluar dhe madhëruar opusin e vet krijues dhe shkencën tone letrare. Me një formim dhe informim  të themeltë estetik dhe filozofik, ai vazhdon ta zgjerojë hapësirën dhe horizontin e dijes së shkencës tonë letrare, për çfarë, dëshmi e radhës është edhe vepra kapitale “Estetika migjeniane”.

Të përmendim me këtë rast vetëm disa nga titujt e krijimtarisë së tij të madhe,- në vëllim dhe në vlerë, si “Universi estetik”, që nga antikiteti deri në kohën tonë, e shtruar në një hapësirë disa mija faqesh, studimet monografike nga trashëgimia dhe bashkëkohësia jonë kulturore dhe shpirtërore, siç janë: “Parimet e estetikës e Jeronim de Radës”, “Filozofia e Kavaliotit”, “Grotesku Kadarean”, “Pesë të mëdhenjët e letërisës shqipe”, “Petro Nini Luarasi” etj.si dhe monografitë mbi disa nga gjenitë dhe kryeveprat e letërsisë botërore: “Shekspiri në botën shqiptare”, “Ferr-Parajsa Danteske”, “Dostojevski në kohën tonë”, “Prometeu dhe Hamleti”, “Filozofia e Donkishotizmit”, etj.  

 “Estetika migjeniane” (2013) e Alfred Uçitështë vepra më gjithëpërfshirëse studimore për krijimtarinë letrare të Migjenit. Është prurje thuaja shteruese e mendimit dhe vlerësimit kritik të gjertanishme të kësaj vepre, i cili zë fill menjëherë pas vdekjes së poetit. Autori me këtë rast sjell dhe regjistron të parin tekst të tillë për Migjenin, atë të Veli Stafës (1914-1939), që në fakt është një klithje e poetit për vdekjen e poetit, që edhe vetë është i shtruar për shërim po nga e njëjta sëmundje si ajo e Migjenit, në një senatorium të kohës në Slloveni (Golik), i cili e nënshkruan tekstin me pseudonimi “Platonikus”, botuar në gazetën “Shtypi” në shtator të vitit 1938, pra një muaj pas vdekjse së Migjenit.

Në këtë shkrim Veli Stafa do të bëjë fjalë për dy tekste të Migjenit, për poezinë “Kanga skandaloze” dhe prozën “Bukuria që vret”. Vlerësim më komplet, tekst që artikulon dy tipare më të veçanta të letërisë së Migjenit, atë si “Uragani” dhe “Lule e re me një aromë të panjohur në kopshtin tonë letrar” është Kristaq Tutulani (1922-1943). Në një shkrim përkujtimor dy vjet pas vdekjes së poetit Kristaq Tutulani i pari vë në pah dy karakteristika, të cilat do të shtjellohen dhe thellohen në studime të mëvonshme nga autorë të shumët.

Le të kujtojmë, gjithnjë në këtë vijë, esenë e Ismail Kadaresë, të sjellë gjithashtu në këtë studim monografik, i cili ndër të tjera thotë “Ngrehu Migjen të shkosh te letërsia shqipe. Për shkak të rrethanave ka ëndërruar këtë letërsi disi nga larg. Tani që u afrohet portave të saj të rënda, që dëgjon kërkëllimën e zinxhirëve të tyre, turbull e ndjen se ka diçka që është vjetëruar në këtë letërsi. E ndjen se ajo ka nevojë për riparim, për risi. Ai i hyri rrugës së letërsisë, por arti që do të bëjë ai është ndryshe nga të tjerët. Ndryshe për çdo gjë dhe në çdo gjë”.

Një tjetër i ri, poet gjithashtu, Gjikë Kuqali (1921-1944), gjithnjë në dy vjetorin përkujtimor do të botojë shkrimin me titullin “Pranvera mua më gjeti me Migjenin”. “Shkrimet e kaluara dorë më dorë (fjala është për librin “Vargjet e lira”, që u ndalua dhe sekuestrua nga policia në 1936 ende pa dalë nga shtypi), gjer tek unë janë hapur mbi tryezë… Migjeni përmendore që kurrë nuk do humbasë” e përfundon shkrimin e vet në mars të vitit 1940 Gjikë Kuqali. Pikërisht për këta të tre, klithës dhe vlerësues të pare të krijimtarisë së Migjenit, Skënder Luarasi do të shkruajë: “Këta janë vetëm disa pak zëra që nuk do t’i dëgjojmë më kurrë, pse edhe ata vetë shkuan udhës që shkoj Migjeni, po që dëshmojnë ushtimën e madhe që zgjoi kënga e Migjenit në zemrat e rinisë shqiptare të kohës, të etur për dije e liri!”

Janë këto vetëm disa nga mendim vlerësimet e para lidhur me veprën madhore letrare të Migjenit që do të vazhdojë të tërheqë dhe sfidojë vëmendjen dhe kureshtjen e studiuesve gjatë shekullit njëzet, e hapur dhe gjithnjë e zgjuar edhe në këtë fillimshekulli.
Kapitull shtyllë, sipas të cilit edhe emërtohet libri në fjalë, “Estetika migjeniane” që njëherësh e përmbyll pjesën e pare (vëllimin e pare) të veprës, në rreth 150 faqe tekst gjithnjë të ngjeshura, përmes 9 nënkapitujve, (realizmi ekzistencial, Origjina e ekzistencializmit, Migjeni dhe filozofia e ekzistencializmit, Filozofia e ekzistencës-thelbi dhe ekzistenca, Njeriu dhe humanizmi – homocentrizmi, Jeta-mënyra e ekzistencës së njeriut, Liria si formë e ekzistencës njerëzore, realizmi ekzistencial- fryma social kritike, dhe Erosi dhe marrëdhëniet seksuale, shpalos fuqinë studiuse të Alfred Uçit, që, me këtë rast për objekt ka krijimtarinë letrare të Migjenit, të përfshirë dhe fokusuar në prizmin estetik, filozofik dhe artistic.

Disa nga çështjet e prekura brenda këtij kapitulli, autori do t’i sjellë në vëmendje, do t’i plotësojë dhe rishikojë nga një kënd dhe perspective edhe më zgjeruar dhe, njëkohësisht në ballafaqim me autorë, drejtime, epoka nga përvoja universale e fushave që janë object i monografisë…
Kapitulli tjetër, gjithashtu shtyllë qendrore e studimit, Fuqia çmistifikuese e realizmit dhe, Fuqia çmitifkuese, fetishet, mitet, grotesku, tjetërsimi, ndërgjegja e tjetërsuar, etj.do t’i hapin rrugë kapitullit Leximet e Migjenit që përfshin në vete një univers të tërë pikëtakimesh migjeniane me fenomene, me ide të kohës, të botës letrare, filozofike, estetike, prekje të shumta në formë dhe frymë të botës migjeniane me to, çështje që kanë nxitur hamendësime të shumta, në kritikën letrare të shqipes, që kanë nxitur pajtime dhe mospajtime, që vazhdojnë t’i lënë të hapura edhe mëtej dhe, që vinë më të ndriçuara, më të qarta në studimin e Alfred Uçit, për faktin se me këtë rast ato vendosen brenda hapësirave, horizonteve dhe konteksteve me shikim më të plotë, më të qartë, më bindës.

Vlen të theksohet se në kuadër të këtij kapitulli, studiuesit shqiptarë më të pranishëm, janë Ernest Koliqi, Arshi Pipa dhe, studimi monografik më i ri “Migjeni ose parathënia e dyzuar” e Anastas Kapuranit.
Në faqet përmbyllëse të veprës “Estetika migjeniane” ( “Etyde estetiko-filozofike”) bota letrare e poetit tonë të madh do të gjendet përballë botës filozofike letrare të Shopenhauerit, Niçes, Kierkegardit dhe Hajdegerit, Alfred Uçi, për here të pare do ta sjellë në vëmendje edhe praninë e Kierkegardit në botën migjeniane…

Gjithnjë brenda vëllimit të dytë, që është dëshmi e investimit të një pune kërkimore të jashtëzakonshme rreth krijimtarisë letrare të Migjenit, dëshmi e formimit dhe erudicionit të Alfred Uçit, lexuesi do hasë edhe çështje të prekura për herë të parë lidhur me krijimtarinë e Migjenit. Ai, duke u nisur nga një fjali  e fundit e një letre të Migjenit “Nuk jam shopenhaurist pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të Njeriut, besoj në Mbinjeriun”, dhe duke kërkuar thelbin e këtij pohimi do të thotë: “ Duke i njohur lidhjet e treshes së pandarë gjermane të Shopenhauerit, Kiekegardit dhe Niçes, ne do të shtrojmë pyetjen që nuk e kemi hasur deri tani askund e asnjëherë: a ka të bëjë dhe a është e krahasueshme vepra letrare artistike e Migjenit me atë filozofiko-estetike të Soren Kiekegardit?”.

Brenda këtij nënkapitulli, Uçi niset nga një hipotezë, pra jo fakt të dokumentuar, që e le çështjen të hapur për debat, merr në shqyrtim dy vepra të filozofit danes, “Don Zhuanin. Muzika e Moxartit dhe erosi” dhe “Ose…Ose” për të pare përkimet e mundshme mes teksteve eseistike filozofike të filozofit ekzistencialist në petkun e priftit të rebeluar protestant dhe Migjenit ateist.

Libri “Estetika migjeniane” e Alfred Uçit, shkruar dhe konceptuar brenda projektit Fryma moderne në letërsinë shqipe, nënkupton një punë dhe përkushtim titanik të autorit, e investuar gjatë disa viteve. Edhe ashtu libri voluminoz, përfshin në vete dy vëllime: vëllimin e pare të përgatitur më herët me rastin e njëqind vjetorit të lindjes të Migjenit (2011) dhe vëllimin e dytë me rastin e shtatëdhjetë e pesë vjetorit të vdekjes (2013). Në këtë vepër janë përfshirë dhe komentuar mbi dyzet autorë dhe studime, tekste monografike mbi veprën letrare të Migjenit si dhe dhjeta vepra dhe autorë të huaj kryesisht teorike nga fusha e filozofisë dhe estetikës dhe që vijnë për të hedhur dritë në këtë debat të gjerë dhe të hapur mbi poezinë dhe prozën e Migjenit, për të sjellë rrjedhat univerzale të kohës, brenda së cilës lindi fenomeni Migjen.

Alfred Uçi, duke i sjellë bashkë në një tryezë debati të gjitha këto prurje të shfaqura brenda harkut kohor nëntëdhjetë vjeçar, gjykime dhe vlerësime që edhe kryqëzohen, edhe përputhen, edhe përplasen e përjashtohen pa fund, i artikulon brenda vizionit të vet kritik dhe estetik të qartë dhe kompetente, por tryezën e madhe të debatit e lë të hapur, me të drejtë dhe i bindur se ai do të vazhdojë të jetë i tillë. Do të vazhdojë edhe për arsyen, thotë Alfred Uçi, se Migjeni e ka përballuar gjenialisht sfidën me kohën dhe i tillë ka zënë vend të përhershëm në panteonin letrar të shqipes. Prandaj, vepra e tij hyn në rrethin e klasikëve universal, që pareshtur do t’a nxisë komunikimin me ndjesitë e brezave dhe epokave në vazhdim, gjithnjë, në këtë rrjedhë epokash do të rrezatojë reflekse vlerash artistike, shpirtërore dhe estetike në frymën e kohës.  

Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh