TALIN- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, filloi sot një tur të shpejtë në Estoni, Letoni dhe Lituani me qëllim garantimin e këtyre vendeve të vogla anëtare të NATO-s, të shqetësuara nga sjellja e Rusisë në konfliktin ukrainas.
"NATO-ja këtu është për të mbrojtur Estoninë", tha ai në bazën ajrore të Amarit (veri), ku ai takoi kryeministrin estonez, Taavi Roivas, si dhe ushtarakë amerikanë, gjermanë dhe estonezë.
Ai përshëndeti Talinin që shpenzoi dy për qind të PBB-së për mbrojtjen, duke dhënë një shembull për anëtarët e tjerë të Aleancës, dhe duke kujtuar rolin e tij si lider në përforcimin e sigurisë kibernetike. Estonia konsiderohet si një nga vendet më të përparuar në zhvillimini e teknologjive informatike. Këtë javë në këtë vend do të zhvillohet Koalicioni Kibernetik 2014, stërvitja me e madhe kibernetike në historinë e NATO-s.
I pyetur mbi shitjen e dy anijeve luftarake franceze të tipit "Mistral" në Rusi, Stoltenberg abstenoi ndaj çdolloj komenti. "NATO"-ja nuk shet materiale ushtarake, janë shtetet që e bëjnë këtë gjë. Nuk i takon NATO-s të vendosë se si ata duhet t'i drejtojnë çështjet e tyre", tha ai.
Më pas ai do të shkojë në Riga, në Lituani, ku do të takojë ndihmëssekretaren amerikane të shtetit për Evropën, Victoria Nuland, që do të qëndrojë në Lituani para se të shkojë në Ukrainë për të shoqëruar zëvendëspresidentin Joe Biden./ATSH/