Shkon në tre numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut. Viktima e fundit është një 61-vjeçar, ndërsa në vend janë konfirmuar 35 raste të infektimit, gjashtë prej të cilëve në gjendje kritike.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se ka nisur spërkatja kundër mushkonjave në disa zona, ndërsa të tjera do t’i nënshtrohen këtij procesi në ditët në vijim. Sipas tij, në Shkup do të spërkaten 17 mijë hektarë nga ajri dhe 5 mijë hektarë me spërkatje tokësore. Ai shtoi se janë planifikuar ndërhyrje edhe në ujërat e ndenjura, përfshirë pellgjet në park dhe liqenin në Stajkovcë.

Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, bëri të ditur se gjashtë pacientë po trajtohen në Njësinë e Kujdesit Intensiv, ndërsa 16 të tjerë janë të shtruar në Klinikë. Sipas tij, pacienti më i ri me formë neuroinvazive të sëmundjes është 25 vjeç dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari çdo shpend të egër të ngordhur, veçanërisht korbat, pasi ato mund të ndihmojnë në monitorimin e përhapjes së virusit.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreziku për forma të rënda të sëmundjes është më i lartë te të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Ndërkohë, Athina mbetet një nga zonat më të prekura në Evropë nga ethet e Nilit Perëndimor. Në Greqi janë regjistruar deri tani 81 raste të formës neuroinvazive të sëmundjes dhe nëntë viktima, ndërsa raste janë raportuar edhe në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.