Kabllot e vjetëruara të rrjetit elektrik po dalin si një nga shkaqet kryesore të zjarreve më shkatërruese në Greqi. Sipas të dhënave paraprake të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Zjarrvënieve dhe hetimeve të zhvilluara pas zjarreve të fundit, shkëndijat e krijuara nga infrastruktura e amortizuar e energjisë kanë shkaktuar një pjesë të jashtëzakonshme të dëmeve të këtij viti.
Megjithëse zjarret e lidhura me rrjetin elektrik përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të rasteve të regjistruara, ato shpërthejnë zakonisht në kushtet më të rrezikshme, gjatë erërave të forta, periudhave me konsum të lartë të energjisë dhe në zona të largëta me rrezik të lartë zjarri. Sipas njësisë greke të Hetimit të Krimeve të Zjarrvënieve, këto zjarre përbëjnë rreth 75% të sipërfaqes së djegur në Greqi gjatë vitit 2026.
Dy zjarret vdekjeprurëse të fundit të korrikut, një në Atikën Perëndimore dhe një në Kretë, janë lidhur paraprakisht me rrjetin elektrik. Flakët dogjën mbi 36 mijë hektarë tokë dhe lanë pas katër viktima. Sipas ekspertit të WWF Greqi, Elias Tziritis, edhe gjatë vitit 2025 shumica e zjarreve më të mëdha u shkaktuan nga rrjeti elektrik.
"Statistikisht, shumica e zjarreve nuk nisin nga rrjeti elektrik, por pikërisht këto janë zjarret që bëhen më të mëdha dhe më shkatërruese", tha ai.
Ekspertët shpjegojnë se linjat e varura, kabllot e amortizuara, kontakti i bimësisë me rrjetin dhe grumbullimi i pluhurit në pajisjet e transmetimit mund të krijojnë shkëndija, ndërsa rreziku rritet ndjeshëm gjatë valëve të të nxehtit dhe ngarkesës së lartë në rrjet. Pjesa më e madhe e rrjetit elektrik grek është ndërtuar dekada më parë dhe kalon mbi tokë nëpër pyje dhe zona rurale të prirura ndaj zjarreve.
Operatori grek i shpërndarjes së energjisë, HEDNO, kundërshton akuzat se rrjeti është shkaku kryesor i zjarreve. Kompania deklaron se vetëm rreth 1% e incidenteve të zjarrit të regjistruara këtë vit lidhen me rrjetin elektrik dhe akuzon kritikët se po krijojnë një tablo të shtrembëruar. Megjithatë, pas zjarrit në Kretë, autoritetet arrestuan dy drejtues të operacioneve dhe mirëmbajtjes së HEDNO-s, të cilët më pas u lanë të lirë, ndërsa në një rast tjetër hetuesit po shqyrtojnë nëse një park privat me turbina ere ishte burimi i shkëndijave që ndezën flakët.
Qeveria greke ka njoftuar se do të forcojë rregullat për projektet private të energjisë dhe po përdor fondet e Bashkimit Evropian për të zgjeruar rrjetin nëntokësor. Aktualisht rreth 14% e rrjetit të shpërndarjes është vendosur nën tokë, nga 9% që ishte në vitin 2021. Sipas autoriteteve, shtrirja nëntokësore e të gjithë rrjetit prej rreth 120 mijë kilometrash do të kushtonte afro 35 miliardë euro, ndaj ndërhyrjet do të përqendrohen fillimisht në zonat me rrezikun më të lartë.










Komente
Komento