Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me mos veprimet e tij ka ligjëruar gjithçka që ka ndodhur këtë edicion në Kategorinë Superiore të kampionatit kombëtar të futbollit. Pas ndeshjeve të javës së fundit të kampionatit, ku disa takime u përfolën si të toleruara, pasi fituan të gjitha ekipet për të cilat kishte mbetur diçka në lojë kundrejt kundërshtarëve që i kishin arritur apo i kishin tanimë të pakapshëm objektivat pritshmëritë ishin të mëdha për vendimet e Komisionit të Etikës, të krijuar enkas në FSHF për të gjykuar dhe dënuar ekipet që tolerojnë apo trukojnë, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në njoftimin zyrtar të FSHF, theksohet se Komisioni i Etikës në lidhje me deklaratat publike për trukime të futbollistit të Tomorit U-19, Daniel Zëre është thërritur dhe dëgjuar trajneri Arben Arbri ndërsa futbollisti ka munguar. Komisioni i Etikës ka vendosur të thërrasë në mbledhjen e ardhshme zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit në ndeshjen mes Kamzës dhe Tërbunit për të shqyrtuar problematikën në lidhje me vlefshmërinë e titullit të golashënuesit të Kategorisë së Parë. Kamza fitoi ndeshjen me rezultatin 6-5 dhe plot 5 gola u shënuan nga Agastra, i cili kryeson klasifikimin e golashënuesve në fund të kampionatit me 21 finalizime.

Akuzat që sollën më pas edhe mbledhjen e Komisionit të Etikës erdhën nga sulmuesi i Butrintit, shkodrani Raboshta, i cili akuzoi Agastrën se kishte vjedhur Këpucën e Artë me gola të falur.  Megjithatë vendimet e anëtarëve të Komisionit të Etikës nuk e mbyllin aspak diskutimin për javën e fundit, ku Teuta fitoi në Shkodër me Vllazninë duke lënë pas shumë hije dyshimi, po ashtu edhe ndeshja Skënderbeu-Laçi që shkoi për këta të fundit me qëllim kapjen e Europës.

Por mbi të gjitha akuzat e Besës përmes Presidentit, Bizhdili për trukime dhe favorizime, por Etika ende nuk e ka bërë pjesë të punës së saj për t’i marrë të paktën ndonjë nga akuzat e shumta që ka hedhur kundrejt organizmit të kampionatit, FSHF dhe klubeve për tolerime. Theksojmë që Komisioni i Etikës ende nuk ka marrë asnjë vendim për dënimin e ndonjë ekipi në Superiore duke e cilësuar si të pastër gjithçka ka ndodhur, pavarësisht se një gjë e tillë vështirë të besohet edhe nga ata vetë se është e vërtetë.