KOSOVE- EULEX ka nisur hetimin për projektin “Rruga 7, autostrada Morinë-Merdare”, të cilin Qeveria e Kosovës ia besoi kompanisë amerikano-turke, “Bechta&Enka”. Agjensia e lajmeve ‘Indeksonline’ shkruan se burime brenda EULEX-it kanë bërë të ditur se prej një muaji ky mision është duke kërkuar në vazhdimësi dokumente në Ministrinë e Infrastrukturës për këtë projekt.

Vlera e këtij projekti sipas të dhënave nga ministritë e linjës arrin në mbi 700 milionë euro. Ndërkaq EULEX nuk ka mohuar dhe as pohuar nisjen e hetimeve. Zëdhënësi I këtij misioni Blerim Krasniqi ka deklaruar “EULEX-i në parim nuk komenton rreth hetimeve”.

Ndërkaq zëdhënsja e kompanisë “Bechtel&Enka” ka deklaruar se “Projekti nuk ka marre asnjë kërkesë nga EULEX për të dhënë asnjë lloj dokumentacioni”.
Ky projekt ishte tenderuar nga ish-Ministria e Transportit dhe Postelekomunikacionit (MTPPT) kur atë po e drejtonte deputeti Fatmir Limaj.Pas një procesi të gjatë tenderimi, kontratën me “Bechtel&Enka”, përvec Limajt e kishte nënshkruar edhe ish-shefi i Prokurimit, Nexhat Krasniqi, i cili ashtu si Limaj, është hetuar si i dyshuar për korrupsion nga EULEX-i për dy vite me radhë.

“Rruga 7, autostrada Morinë-Merdare” është pjesë e të ashtuquajturës “Rruga e Kombit”, e cila lidhet me autostradën e Shqipërisë, ndërtuar nga kompania “Bechtel&Enka”.
(jd/shqiptarja.com)