EULEX ka deklaruar se hetimet po zhvillohen nga një ekip i cili është krijuar në Bruksel, drejtohet nga një ish-gjyqtar i gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord.
Në intervistën e publikuar në median franceze “Le Monde”, gjyqtari Simmons ka thënë se EULEX-i donte ta shkatërronte një pjesë të klasës politike kosovare, siç ishte Fatmir Limaj (ish-komandanti i UÇK-së).
Më tej ka thënë se EULEX nuk është misioni i promovimit të sundimit të ligjit, por është mision politik.
“BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero-tolerancës për sjellje të papërshtatshme dhe keq bërje, ndërsa të gjithë pjesëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre.
Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016.
Nga Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por për fat të keq, ai këtë nuk e ka bërë ende”, thuhet në njoftimin e EULEX.
“EULEX-i dëshiron të theksoj se është Mision i Sundimit të Ligjit me mandat të asistojë autoritetet vendore”, thuhet në njoftim.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com











