Ëndrra e bashkimit në Teatrin e
Kujtesës, porosia e Mjedës

Ëndrra e bashkimit në Teatrin e <br />Kujtesës, porosia e Mjedës
Ëndrra e bashkimit është e hershme dhe e natyrshme, si një domosdoshmëri e të qënit më të sigurtë, të fortë e me identitet, kolektivitet i barabartë me të tjerët, as më poshtë, por dhe as më sundues, në harmoni gjenerale me të gjithë.
Manifestimi madhështor i Shkupit, si prelud i kremtimeve të Ditës së mëvetësisë, bëri bashkë personalitet e larta të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës dhe të Maqedonisë. Drama e bashkimit bën që askush të mos ndihet spektator, por aktor në teatrin e ngjarjeve.

* * *
Është rasti të shohim dhe pas, nga vijmë dhe përsëris thënien që ne jemi ajo që kujtojmë. Ky 100 vjetor është plot kujtesë, të bronztë, të mermertë, prej tinguj e ngjyrash, prej ere, fjalësh e shpirti. Flamujt ngjajnë me mendimtarë.
Teatri i kujtesës kërkon dramën e bashkimit. Ka qënë dhe do të jetë…

Ndryshohen aktet, dalin dokumente, fakte, çështje, hapen arkiva ashtu si dhe varret e harresës, bëhen botime, hidhet dritë mbi kujtesën kolektive dhe llogjikshëm rëndesa kalon atje ku duhej, por që ishte shmangur dhe mpaken shpërdorimet ashtu si padrejtësitë, etj, etj, dhe e gjitha duket si një rivënie e re në skenë e një epoje triumfi.

Populli ynë e do teatrin dhe është përpjekur ta ketë dhe në kohëra më të vështira, me personazh ëndrrën, madje, për paradoks edhe duke e luajtur realisht në rrugë, me personazhe të vërtetë e vrasje të vërteta, ndërkaq në kohëra ngritjesh e sigurish, sikur e lë pas dore dhe ndërton e rindërton ngrehina, me gjakim modernitetin, por nuk ngre një teatër të ri. Jeta, historia futet në skenë dhe pastaj drama e tyre del nga skena dhe bëhet pjesë e jetës.
Ky 100 vjetor e kërkoi dramën, shpalli dhe një konkurs dhe fituesen e vuri në skenë, ku në titull përsëdytej fjala "ëndërr". Se ka qënë dhe më parë në jubiletë e mëparshëm. Ëndërr e 500 vjetëve...

Qytetari Zef Skanjeti sjell një dëshmi të vyer nga kremtimet e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Xhaxhai i tij, dramaturgu dhe regjisori Andrea Skanjeti kishte shkruar një dramë që lidhej me Ëndrrën shekullore kolektive. Ëndrra në vetevete risjell atë që mungon, rifshaq atë për të cilën është punuar dhe përpjekur a të dyja i bashkon ankthshëm si një metaforë sublimuese e reales. Ëndrra është, në fund të fundit, dhe dëshirë e fuqishme për ata që nuk flenë…
Të vazhdojmë me dëshminë. Bëhet fjalë për një vizitë tek poeti panteonik Dom Ndre Mjeda. Shkojnë Andrea Skanjeti, që kishte nisur të shkruante drama qysh adoleshent, protagonist i njohur i skenës shkodrane në vitet '30, së bashku me mësuesin e tij. Bisedëëmbël, mendimthellë, shkëncëtar në çështjet gjuhësore e prijëtar në ato letrare, Mjeda i priti me përzemërsi, madje autorin e ri, Andrea Skanjetin, e përgëzon për dramën e porsavënë në skenë atëhere, "Ali Pashë Tepelena dhe suliotët", për të cilën kishte lexuar komentet në revistën "Cirka".
- Ke bërë mirë që je marrë me dramë patriotike, historike, - tha Mjeda i vëmëndshëm, - të këshilloj që këtij subjekti të mos i shmangesh, se atdheu ynë ka shumë dhe shumé nevojë. Mos harro se në këtë vit po mbushen 25 vjet të pavarësisë, datë e shënuar që populli ynë do ta festojë madhërisht. Puno në këtë e drejtim... - Kështu kujton Andrea Skanjeti në veprën e tij "100 vjet teatër në Shkodër, 1879-1979".
Atdheu ka nevojë, - nuk tha bukë, nuk tha armë, - por drama, tha Mjeda. Një popull që s'ka drama, është në rënie, thotë një nga shkrimtarët më të njohur në Europë. Dhe 30 vjeçari Andrea Skanjeti iu përvesh punës, me besim tek porosia e Poetit, në nderim të tij, të idealit, me përkushtim e frymëzim. Dhe kështu u arrit tek drama "Ëndrra e 500 vjetëve", të cilën e shfaqi në Shkodër më 1937 shoqata "Vllaznia" në bashkëpunim me aktorë të sprovuar të qytetit, mbiemra të njohur, nga ata që më pas diktatura do t'i kalonte burgjeve apo në pushkatime.

Gjithsesi intelektualë gjithandej u angazhuan për dramën, kompozitorë, kori "Skanderbeg", dekoristë, teknikë, marangoza, inxhinierë për ndriçimin, rrobaqepësa për kostumet, shoqata "Bogdani", qyteti i gjithë. Drama pati sukses të bujshëm. Gjindja e ndoqi e përmalluar, e magjepsur, me duartrokitje të gjata, duartrokisnin kumtet e mëdha të saj, interpretimin mbresëlënës, e komentonin, donin ta shikonin prapë. Por ai që nuk e pa dot, ishte pikërisht Mjeda, nxitësi i saj. Pak ditë më parë kishte ndërruar jetë.

Por porosia e tij ishte bërë realitet. Vetë drama i tejkalonte përmasat e një shfaqjeje, se ishte dhe program, dhe vegim, që e merrte nga e kaluara, për t'ia përcjellë së ardhmes, si detyrë e së tashmes. Dramë me dy mjedise, në të parin është protagonisti Sokol Miraj, lexon deri përtej mesnatës shtypin klandestin të kohës. Dremit sikur të donte të ndërronte realitet. Dhe vjen ëndrra në mjedisin e dytë: Kalaja e Lezhës dhe Skënderbeu, kryeheroi legjendar që bashkon princat shqiptarë... Ëndrra e të gjithëve, shekullore, shtegtare. Dhe drama atë vit u fut menjëherë në programin zyrtar të festimeve të 25 vjetorit të shpalljes së pavarsisë. Ëndrra e bashkimit...

Drama do të rishfaqej edhe një herë në vitin 1959, po në Shkodër, me po atë regjisor, autorin, por dhe me ndonjë aktorët e dikurshëm. Kohë tjetër, porosi e njëjtë.
Andrea Skanjeti nuk do t'i ndahej "amanetit" të Mjedës, dramës së patriotizmit. Do të shkruajë shumë e shumë vepra do të vërë në skenë. Të tijat do të jenë "Norën e Kelmendit" dhe "Shote Galica", ndërkaq ai do të jetë dhe regjisori i operas së parë "Mrika", boton dhe tregime, i përkthehen, etj, etj, por vëllanë e tij, Marianin, të cilin e kishte dhe aktor, e dënojnë, e burgosin tri herë si kundërshtar të diktaturës komuniste. Dhe kështu Andrean e shmangin dalngadalë. Ia kalojnë braktisjes dhe harrimit si vazhdim i dramave të tij. Por në vitin 1992, më 28 nëntor 1992, me rastin e 80 vjetorit të pavarësisë, një ditë para vdekjes, dekorohet nga Presidenti i Republikës.

* * *
Ndërkaq ëndrra vazhdon, ka fuqinë e 500 vjetëve dhe amanete poetësh, vezullimet e vetëtimta të shpatës së Skënderbeut, hijet e princave shqiptarë, flamurin e Plakut të Vlorës, dëshirën e njerëzve pa fund, të cilët hyjnë dhe dalin nëpër këtë ëndërr të madhe si në shtëpinë e tyre. Rruga drejt së ardhmes ngjan me rrugën drejt së shkuarës, ndërrojnë kahet, po i bashkon përpjekja. Të dyja rrugët kanë nevojë për mirëmbajtje. Madje ato janë një e vetme. E kuptuam sërisht në Shkupin e asaj mbrëmjeje... Dhe në Prishtinë si vazhdim paqësor tashmë... Dhe në Tiranën si kryeqytet i ëndrrës...

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi