Për të dytën herë brenda një sezoni kjo Vllazni barazon rekordin e para 50 viteve. Çfarë rekordi? E drejtë pyetja. Rekordin e humbjeve. Rekordin më negativ që mund të ketë një skuadër futbolli që janë humbjet. Pyetja që shtrohet është se ku po shkon Vllaznia? Cili është shërimi i kësaj skuadre? A e meriton Shkodra të jetë në këtë pikë kaq kritike? Pse jemi sot këtu? Një pjesë të këtyre përgjigjeve i dimë të gjithë bashkë. Keqmenaxhimi, keqmenaxhimi, keqmenaxhimi. Se cili është shërimi, këtu duhet të ndalemi gjatë. Edhe pjesën e kaluar të sezonit, Vllaznia shënoi 6 humbje radhazi.
 
6 humbje radhazi për Vllazninë natyrisht që shkruhen në historinë e zezë. E turpshme edhe ndeshja ndaj Flamurtarit. Vlonjatët mund të fitonin dhe nuk është çudi që skuadra e Ramelës ta mundte Vllaznia por kuqeblutë nuk dhanë asgjë në fushën e lojës. Një ndeshje e vakët, e dobët, pa asnjë lloj përgjegjësie dhe pa asnjë lloj ndjenje. Absolutisht kjo nuk është Vllaznia e shkodranit. Nuk është Vllaznia jonë, nuk është Vllaznia e Shkodrës. Nuk është Vllaznia e kolosëve që kanë shënjuar historinë e futbollit shqiptar. 6 humbje radhazi janë tepër dhe tashmë natyrisht të paparnueshme për një ekip si Vllaznia. Natyrisht që janë të merituara sepse kuqeblutë nuk kanë bërë aq sa të mos i meritojnë. 
 
Në rast se në ndeshjen e kthimit që Vllaznia luan me Kukësin për Kupë dhe merr një tjetër humbje atëherë kuqeblutë thyejnë rekordin negativ të para 50 viteve. Natyrisht që kuksianët nuk do të tolerojnë sepse këtë sezon synojnë të fitojnë gjithçka, Kupën dhe Kampionatin. E treguan forcën e tyre edhe sot me Partizanin duke e mundur 3-0. Edhe përballë Vllaznisë patjetër që objektiv i Kukësit do të jetë fitorja. E nëse ndodh kështu atëherë kuqeblutë thyejnë rekordin e para 50 viteve duke thelluar greminën e humbjeve nga 6 në 7 të tilla radhazi. Shpresojmë që të mos ndodh kështu sepse natyrisht që nuk do ishte mirë për Shkodrën, për vetë Vllazninë, për futbollin e aq më tepër për tifozët e saj të shumtë që në këtë situatë janë të hidhëruar.
 
Vllaznia ka drejtues. Ka president që është Kryetari i Bashkisë, ka drejtor sportiv, ka administrator, ka një bord drejtues me 5 shkodran anëntar të Këshillit Bashkiak dhe ka edhe trajner e futbollistë. A duhet dikush të mbajë përgjegjësi? A duhet dikush të dalë e thotë hapur gjërat? A duhet dikush ta marrë përsipër këtë që po ndodh apo të gjithë duhet të heshtin dhe të bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur? A e kuptojnë këta se çfarë do të thotë për Shkodrën, për Vllazninë që të marrë 6 humbjeve radhazi e të rrezikojë të ndëshkohet edhe me humbjen e 7-të që do kulmonte me thyerjen e rekordit të këtyre 50 vjetëve. Ndoshta dikujt nuk i bën përshtypje sepse e quan zakon humbjen e mendjen e ka tjetër kund. 
 
Dikush mund të thojë se Vllaznia shpëtoi edhe këtë sezon pa rënë nga Superliga. Po pse me kaq mjaftohen shkodranët që shpëtuan nga rënia prej Superligës? Jo zotërinj. E keni kuptuar gabim, Shkodra, shkodranët kënaqen vetëm kur kjo skuadër të rivalizojë ashtu siç ka ditur të bëjë ndër vite në historinë e saj të pasur e po ashtu të fitojë edhe trofe. Kujt i intereson se shpëtoi Vllaznia kur kjo skuadër rrezikon të thyej rekordin me 7 humbje radhazi? Paskemi shpëtuar dhe fitore e madhe gjoja dhe tani o burra hajde të mos kemi aspak përgjegjësi e të mundemi me nga 6-7 ndeshje radhazi. Kjo nuk është Vllaznia ime! Nuk është Vllazni! Ndoshta tabelë qitjeje! Është Vllaznia e turpit! Ma ktheni Vllazninë!