“Gjermania është favoriti im në këtë turne. Ata kanë fituar të gjitha ndeshjet në kualifikime. Përzgjedhësi Joakim Lëv i njeh mirë lojtarët e tij, prandaj mendoj se Bastian Shvainshtajger me shokët e tij do të kalojnë pa problem në çerekfinale”, ka shkruar Maradona në kolumnen e tij për gazetën “The Times of India”. Gjermania para katër vjetësh humbi në finale të Evropianit kundër Spanjës, 1:0, por legjenda argjentinase mendon se kampionët në fuqi nuk do të arrijnë ta përsërisin suksesin. “Visente del Boske mund të mbështetet tek kampionët e tillë si Çavi, Iniesta, Buskets, Pike e Lorente për ta kaluar me lehtësi grupin. Spanja është favorite, por në këtë turne do të luajë pa dy të lënduarit David Vila dhe Karles Pujol”, ka shtuar Maradona. Ai ka dhënë mendimin e tij edhe për kombëtaren italiane, për të cilën ka thënë se ende është në kërkim të identitetit. “Çezare Prandeli duhet të inkurajojë mirë skuadrën e tij në mënyrë që të fitojnë pikë dhe t;i gëzohen fitoreve. Italia është në kërkim të identitetit të lojës së saj, edhe pse në këtë kampionat ka në radhët e veta futbollistë me përvojë si Andre Pirlo, Mario Balotelli dhe Antonio Kasano”, ka nënvizuar Maradona.

(rb/shqiptarja.com)