Me një trupë baleti shumëkombëshe prej 1 mijë kërcimtarësh nën drejtimin e Marco Balich, Euro 2012 ka ngritur siparin në një ceremoni të bukur në stadiumin e Varshavës që i dha jetë turneut kontinental. Pianisti polak Ádám György dhe DJ Karmatronic ishin vetëm disa nga performuesit e shfaqjes së bukur që më pas i la vendin ndeshjes së parë.

Në sfidën hapëse Polonia barazoi 1-1 ndaj Greqisë, në ndeshjen e grupit A. Forma e mirë e vendasve u duk që në minutat e para me rastet radhazi nga Levandovski, Blazikovski dhe Porkis. Por mbrojtja e helenëve rezistoi deri në një krosim nga e djathta e kapitenit polak, që prodhoi golin me kokë të Robert Levandovskit.

Gjërat u përkeqësuan për grekët kur arbitri Carballo nxorri nga loja S. Papastathopoulos pas kartonit të dytë të verdhë, ndërsa më pas skuadra helene protestoi për një prekje të topit me dorë në zonën e Polonisë. Barazimi erdhi në fillimin e pjesës së dytë nga Salpingidis pas një neglizhence të vendasve në mbrojtje.

Por befasia e polakëve vazhdoi dhe më tej kur Salpingidis, “asi nën mëngë” i trajnerit të grekëve, fitoi një penallti duke nxjerrë dhe portierin Sezni me karton të kuq. Por Karagunis dështoi ngga pika e bardhë përballë portierit zëvendësues. (rb/shqiptarja.com)