Sot në mbrëmje në DonBass Arena, Spanja kampione e Europës dhe botës do të ketë ndoshta testin më të vështirë në Euro 2012, pasi do të luajë në gjysmëfinale ndaj Portugalisë. Derbi i gadishullit iberik pritet që të jetë emocionues ndërsa favorite është skuadra e Del Bosque.

Spanja e di shumë mirë se Portugalia nuk varet vetëm nga një futbollist, edhe pse Cristiano Ronaldo ka pushtuar të gjitha faqet e para të gazetave evropiane. Por përballë armatës spanjolle, do të jetë mjaft e vështirë për yllin e Real Madrid, që është kthyer në kandidat kryesor për Topin e Artë.

Pak histori - Portugalia pati "shkrirë" Spanjën 4:0, në ndeshjen e fundit miqësore, të zhvilluar në nëntor në vitit 2010. Ronaldo nuk ishte në mesin e shënuesve dhe u zëvendësua në pjesëlojën e dytë kur portugezët avanconin 3:0.
Edhe pse ndeshja ishte miqësore, Spanja u paraqit me ekipin më të fortë. Në përbërjen e Vicente Del Bosques ishin dhjetë futbollistë që luajtën në finalen e botërorit "Afrika e Jugut 2010", plus David Silva.

Ronaldos i qe anuluar një gol në fitoren 4:0, kur pas një sulmi individual dhe një parabole, ishte Nani që prishi gjithçka. Preku topin me kokë nga pozicioni jashtë loje dhe Ronaldo mbeti pa u regjistruar në listën e realizuesve. Ai reagoi shumë ashpër, pasi e hodhi në tokë shiritin e kapitenit dhe nuk u pajtua me Nanin.(rb/shqiptarja.com)