Dy tema kanë dominuar në përgatitje për gjysmëfinalen e dytë të "Euro 2012" mes Italisë dhe Gjermanisë sot në mbrëmje, frika dhe hakmarrja. Në disavantazh për shkak të pushimit dy ditë më të shkurtër, pa përmendur këtu vendosjen e ndeshjes me penallti, italianët gjejnë forcën në bilancin e tyre të mrekullueshëm kundër Gjermanisë, që ka dështuar të mposhtë "azzurrët" në të shtatë ndeshjet e kaluara në turne të mëdhenj.

Njeriu i momentit, Andrea Pirlo, thotë: "Ata frikësohen nga ne. Ne jemi në një nivel me Spanjën". Pirlo dhe portieri Gianluigi Buffon janë të vetmit të mbijetuar nga ekipi i Italisë që startoi në ndeshjen e fundit garuese kundër Gjermanisë, të cilën italianët e fituan me rezultatin 2:0, për t'u kualifikuar në finale të botërorit të vitit 2006.

Sulmuesi me përvojë i Gjermanisë, Miroslav Klose, pranon se humbja në Dortmund ishte "traumë", ndërsa kapiteni Philipp Lahm ende e kujton atë ndeshje: " Natyrisht që ne e kemi ende në mendje".

Por përzgjedhësi Joachim Loew që ishte asistent i Jurgen Klinsmannit atë kohë në 2006, refuzon të kthehet në të kaluarën. "Në futboll nuk ka shumë gjëra për hakmarrje. Ndeshjet e kaluara nuk kanë absolutisht rëndësi për ne apo për lojtarët tanë të rinj, që mund t'i dinë gjërat vetëm nga historia" tha Loew.(rb/shqiptarja.com)