Muaji maj ka sjellë një tjetër rekord për kursin e këmbimit, me euron që prek nivelin më të ulët historik ndaj lekut.

Referuar kursit të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer në maj me mesatarisht 95.48 lekë, nga 98.51 lekë që ishte vlera në maj të vitit të shkuar, pra ka humbur më shumë se 3 lekë përballë lekut.

Maj 2025         1€=98.51 lekë
Maj 2026         1€= 95.48 lekë
Diferenca               - 3.03 lekë

Kjo është vlera më e ulët që ka prekur monedha evropiane në tregun valutor. Paralelisht me euron në rënie edhe më të fortë është dollari amerikan, i cili është këmbyer me mesatarisht 81.76 lekë, ose 13.33 lekë më pak, se në majin e 2025-ës.

Kursi i këmbimit USD-lekë
Maj 2025         1$=95.09 lekë
Maj 2026         1$=81.76 lekë
Diferenca              -13.33 lekë

Për të mbajtur në kontroll kursin e këmbimit, dhe sidomos për të mos lejuar një rënie më të madhe të euros, Banka e Shqipërisë duket se ka shtuar blerjet në tregun valutor.

Prill 2025      6,727 mln euro
Prill 2026      7,571 mln euro
Diferenca       +844 mln euro

Rezerva valutore ka arritur në 7 miliardë e 571 milionë euro në fund të muajit prill të këtij viti, me një rritje prej 844 milionë euro, çka reflekton shtim të blerjeve të valutës në treg me qëllim që të stabilizojë kursin.

Institucionet thonë se rënia ka ardhur si rezultat i hyrjeve të larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja. Zhvlerësimi i tyre sipas Bankës e Shqipërisë ka ndikuar pozitivisht në mbajtjen e inflacionit në kontroll.

Gjasat janë që zhvlerësimi i euros të mos ndalë, pasi me afrimin e sezonit turistik, pritet që presionet mbi kursin të vijojnë, duke mbajtur euron në nivele të ulëta historike edhe në muajt në vijim.