Leku po triumfon ndaj monedhave të huaja çdo muaj e më shumë. Në shkurt valutat më të përdorura në ekonomisë shqiptare, monedha evropiane dhe dollari amerikan, prekën vlerat më të ulta historike, pasi euro është zhvlerësuar me 2.6% ndërsa dollari me -14% krahasuar me vjet.

Referuar kursit të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer në shkurt me mesatarisht 96.44 lekë, nga 99.03 lekë që ishte vlera në shkurt të vitit të shkuar.

KURSI I KËMBIMIT EURO-LEKË
Shkurt 2025         1€=99.03 lekë
Shkurt 2026         1€=96.44 lekë
Diferenca               - 2.59 lekë

Edhe më shumë po zhvlerësohet dollari amerikan, në raport me shkurtin e 2025-ës, po kushton 13.57 lekë më pak, dhe gjatë gjithë muajit këtë vit është këmbyer me mesatarisht 81.53 lekë thotë Banka e Shqipërisë.

KURSI I KËMBIMIT USD-LEKË
Shkurt 2025         1$=95.10 lekë
Shkurt 2026         1$=81.53 lekë
Diferenca              -13.57 lekë

Institucionet thonë se rënia ka ardhur si rezultat i hyrjeve të larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja. Zhvlerësimi i tyre sipas Bankës e Shqipërisë ka ndikuar pozitivisht në mbajtjen e inflacionit në kontroll.

Por nga ana tjetër gjithë kjo tkurrje e monedhave të huaja duhet të ishte reflektuar në çmime më të ulta të produkteve ushqimore që vijnë nga importi, por e kundërta po ndodh, pasi çmimet në tregje vijojnë të rriten, duke rënduar në xhepin e qytetarëve. Përsa kohë Shqipëria tek ushqimet 1 eksporton dhe 3 i importon, edhe zhvlerësimi i valutave duhet të kishte sjellë ulje të çmimeve në treg por që nuk ka ndodhur.

Për të mbajtur në kontroll kursin e këmbimit, dhe sidomos për të mos lejuar një rënie më të madhe të euros Banka e Shqipërisë duket se ka shtuar blerjet në tregun valutor.

Janar 2025      6,282 mln euro
Janar 2026      7,327 mln euro
Diferenca        1,045 mln euro

Rezerva valutore ka arritur në 7 miliardë e 327 milionë euro në fund të muajit janar të këtij viti me një rritje prek pak më shumë se 1 miliardë euro, çka reflekton shtim të blerjeve të valutës në treg me qëllim që të stabilizojë kursin.