Sipas shifrave zyrtare të përditshme të Bankës së Shqipërisë, në mesditë euro është këmbyer mesatarisht me 136.83 lekë. Ndërkohë, dollari është këmbyer me 111.42 lekë, duke u rivlerësuar 0.18 lekë më shumë krahasuar me një ditë më parë.
Këto lëvizje pasqyrojnë edhe ndryshimet e fundit në tregjet botërore, që karakterizohen nga dobësim gradual, por i pandalshëm, i vlerës së euros. Euro ka rënë në nivelin më të ulët 2-vjeçar kundrejt dollarit dhe pritet vazhdim i rënies pasi ministrat e eurozonës nuk arritën të qetësojnë panikun për krizën e borxhit, ndërsa investitorët presin ende një verdikt të gjykatës gjermane mbi fondin e shpëtimit të rajonit.
Monedha e përbashkët e eurozonës ndodhet nën nivelin e 1.2250 dollarëve, duke rrëshqitur drejt një kuote prej 1.20 dollarësh për një euro. Në rast se rënia vazhdon, rrezikohen kuota që nuk konstatoheshin që prej qershorit të vitit 2010, kur euro ndodhej në nivelin 1.1875 dollarë.
(gk/shqiptarja.com)