Valuta e përbashkët europiane ka shënuar një rekord të ri negativ në tregun vendas të këmbimit valutor. Zhvlerësimi i euros që nisi në muajin mars ka mbërritur dje në kursin e 124.7 lekëve, në rënie me një lek për njësi krahasuar me javën e kaluar. Tashmë, që prej fillimvitit, euro ka humbur gati 7% të vlerës së saj. Ndërkohë luhatjet ditën e djeshme janë regjistruar deri në nivelin e 124.3 lekëve.
Por nuk është vetëm euro që po humb terren në tregun shqiptar të valutave. Forcimi i lekut është reflektuar edhe në raportin që kishte dje në treg kundrejt valutave të tjera kryesore të huaja. Dollari amerikan, edhe pse po performon mirë në tregjet ndërkombëtare, në pikat e këmbimit në vend blihej për 106.6 lekë dhe shitej për 107.5 lekë. Edhe më e theksuar është rënia e paundit britanik, i cili është tashmë në kursin e 142.3 lekëve, në rënie me 0.7 lekë për njësi krahasuar me javën e kaluar. Në rënie paraqitet edhe franga zvicerane, e cila dje këmbehej për 107.8 lekë.
Monedha europiane rezulton të ketë humbur afro 10 lekë që prej fillimit të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar euro shkëmbehej me 134 lekë. Ekspertët parashikojnë që rënia e saj të vazhdojë, tanimë edhe për shkak të sezonit turistik, kur dihet që mbi 90% e turistëve, ose vijnë nga Eurozona, ose përdorin euron.
Ky është niveli më i ulët që nga janari i vitit 2009, kur euro e hapi vitin në kuotat e 123-124 lekëve, por më pas u rrit, për të arritur në nivelin rekord në mes të vitit 2011, kur arriti në 142.6 lekë. Më pas, euro mbeti në nivele të qëndrueshme për gjashtë vjet, duke u këmbyer midis 139 dhe 140 lekëve. Rënia nisi në gjysmën e dytë të vitit 2016 dhe ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme, duke u përshpejtuar në muajt e parë të këtij viti.
Ekspertët e këmbimeve pohojnë se arsyeja kryesore mbetet oferta e lartë për valutë që vjen nga kanalet formale (remitancat, investimet, eksportet e mallrave dhe shërbimeve, turistët), ato informale (paratë ilegale që futen kryesisht në punë përmes ndërtimit), si dhe ndikim të dukshëm në luhatjet e forta kanë pasur transaksionet për konvertimin e kapitalit të bankave.
Mungesa e lekut
Por ndërkohë në tregun monetar shqiptar po ndodh edhe një fenomen tjetër. Që mund të ketë lidhje direkte edhe me forcimin e vlerës së lekut. Sasia e parasë gjithsej që qarkullon në ekonominë e vendit, në duar të privatëve apo shtetit, ka shënuar rënie historike në katër muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në muajin prill, paraja gjithsej (agregati M3) arriti në 1.23 trilionë lekë. Në krahasim me fundin e vitit 2017, ky tregues ka rënë me 36 miliardë lekë (apo rreth 270 milionë euro), që është dhe tkurrja më e fortë historike, të paktën që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Paraja gjithsej ka pasur tendencë rritëse deri në vitin 2013 (me përjashtim të periudhës 2008-2009, kur u konstatua tërheqje e depozitave si rrjedhojë e panikut të krijuar nga kriza globale) dhe më pas ka filluar rënia e saj, për të arritur kulmin në katër muajt e parë të 2018-s. Kjo tendencë, ka ardhur pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare që nga mesi i vitit 2011, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet minimale historike prej 1.25%, nga 5.25% në shtator 2011.
Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se, e vetme, nuk po mjafton për t’u dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.