Ardhja e turistëve ka rritur sasinë e valutës në treg, duke sjellë edhe rënien e vlerës së saj në raport me monedhën tonë kombëtare. Njëherësh gushti shënon edhe rënien e dukshme të aktivitetit të eksport importeve, gjë që gjithashtu ul kërkesën e tregut për valutë të huaj, veçanërisht euro. Por, përtej efektit sezonal, 2017-a ka regjistruar një rënie të dukshme të euros edhe përgjatë muajve të parë të vitit.
Prej muajsh euro gjendet në kuotën e 136 lekëve nga kuota mesatare prej 138 lekësh vitin e shkuar. Specialistët e këmbimeve valutore e lidhin këtë rënie me zhvleftësimin e monedhës evropiane në tërësi, me efektin e daljes së Anglisë nga BE, por edhe me flukset valutore që ka sjellë në Shqipëri ndërtimi i Gazsjellësit Transadriatik. Në rënie kundrejt lekut rezultojnë edhe valutat e tjera. Një dollar amerikan u këmbye sot në vlerën 121 lekë, nga 122 lekë që është mesatarja e kohëve të fundit.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com