Kompeticioni i dytë për nga rëndësia për klube në Evropë, Europa League zhvilloi mbrëmjen e të enjtes tetë ndeshjet e para në fazën play-off, teksa shumë çifte kanë lënë të hapur kualifikimin për në ndeshjet e kthimit që luhen pas gjashtë ditësh.

Në stadiumin e qytetit Bergen të Norvegjisë, vendasit e Brann u mposhtën 0-1 nga Bologna. Ekipi i Serie A iu fal golit të të përhershmit Santiago Castro në minutën e nëntë të ndeshjes. Castro lëvizi bukur me topin në një aksion individual dhe nga brenda zonës ia doli të shënonte golin që vlen shumë në këtë fazë.

Në Stamboll, vendasit e Fenerbahces u mposhtën 0-3 nga Nottingham Forest. Ekipi i Premier Leagues angleze shënoi dy gola me Murillon dhe Igor Jesus brenda pjesës së parë, ndërsa Gibbs-White në minutën e 50-të "vulosi" shifrat për 0-3.

Në 'Maksimir', Dinamo Zagreb u mposht 1-3 nga belgët e Genkut. Heynen dhe El Quahdi shënuan dy golat për miqtë, para se Beljo të shkurtonte shifrat. Por sërish El Quahdi për Genkun shënoi edhe golin e tretë. Për kroatët 71 minuta në fushë qëndroi edhe Arbër Hoxha, sulmuesi anësor i Kombëtares.

Stuttgart mori një fitore me shumë peshë duke mposhtur 1-4 Celtic në Skoci.

Më 26 shkurt do zhvillohen ndeshjet e kthimit mes këtyre çifteve, aty ku do mësohen edhe tetë skuadrat që do garojnë në fazën e 1/8-ave.

Europa League, faza play-off, akti i parë:

E enjte, 19 shkurt 2026

Brann 0-1 Bologna

Dinamo Zagreb 1-3 Genk

Fenerbahce 0-3 Nottingham

PAOK 1-2 Celta Vigo

Celtic 1-4 Stuttgart

Lille 0-1 Crvena zvezda

Ludogorets 2-1 Ferencvaros

Panathinaikos 2-2 Plzen