Europianët, shqetësim për tensionet me Iranin

 Europianët, shqetësim për tensionet me Iranin

Britania, Franca dhe Gjermania të hënën shprehën përsëri mbështetje për marrëveshjen ndërkombëtare për kufizimin e programit të armëve bërthamore të Iranit, duke i paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër rritjes së tensioneve në rajonin e Gjirit Persik me shfaqjen e forcës ushtarake dhe përpjekjet për të minuar ekonominë iraniane.

Diplomatë të lartë nga tre aleatët europianë të SHBA u takuan në Bruksel me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, pasi ai anuloi një ndalesë të planifikuar për në Moskë, para se të shkojë për një takim të martën në vendpushimin rus të Soçit, me presidentin rus Vladimir Putin dhe me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Departamenti amerikan i Shtetit tha më parë se Pompeo do të bisedonte me aleatët rreth "veprimeve dhe deklaratave të fundit kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit". Presidenti iranian Hassan Rouhani paralajmëroi javën e kaluar se Teherani mund të rifillojë pasurimin e uraniumit në një shkallë më të lartë, nëse fuqitë evropiane, Kina dhe Rusia nuk do të zhvillonin një plan për të penguar sanksionet ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara ndaj sektorit bankar dhe energjetik të Iranit.

Shtetet e Bashkuara, të cilat u tërhoqën nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 për të kufizuar ambicjet bërthamore të Iranit, kanë dislokuar aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln me një grup avionësh dhe katër bombardues të B-52 në Lindjen e Mesme, në përgjigje të shqetësimeve që Irani mund të planifikojë një sulm kundër objektivave amerikanë.

Por aleatët evropianë i paralajmëruan Shtetet e Bashkuara për rrezikun e një përshkallëzimi të tensioneve.

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt bëri thirrje për qetësi. Ai tha: "Ne jemi shumë të shqetësuar për rrezikun e një konflikti që mund të ndodhë rastësisht, nga një përshkallëzim i paqëllimshëm në të dyja anët, por përfundon me një lloj konflikti".

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se Berlini "ende e konsideron marrëveshje bërthamore si bazë që Irani të mos ketë armë bërthamore në të ardhmen dhe ne e konsiderojmë këtë si ekzistenciale për sigurinë tonë". Ai tha se Gjermania është "e shqetësuar për zhvillimin dhe tensionet në rajon, se nuk duam që të ketë një përshkallëzim ushtarak".

Ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha se masa e Shteteve të Bashkuara për të shtuar sanksionet ndaj Iranit për të frenuar tregtinë ndërkombëtare të naftës "nuk na përshtatet".

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkoi të hënën në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, ndalesa e parë e udhëtimit të tij evropian.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha se Sekretari i Shtetit "do të vazhdojë të koordinojë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, me synimin që interesat e përbashkëta në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën të jenë të sigurta".

Fillimisht Sekretari Pompeo kishte planifikuar të takohej të hënën me diplomatët amerikanë dhe udhëheqësit e biznesit në Moskë.
Pati një ndryshim të planeve të tij të dielën vonë dhe në vend të kësaj, ai ndaloi së pari në Belgjikë.

Planet për pjesën tjetër të udhëtimit të diplomatit të lartë amerikan mbeten të pandryshuara.

Sekretari Pompeo shkon të martën në Soçi për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin dhe me Ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov.

Udhëtimi i zotit Pompeo vjen disa javë para një takimi të nivelit të lartë të G-20 në Osaka, të Japonisë, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin.

Udhëtimi i zotit Pompeut në Rusi ndodh në mesin e tensioneve mes të dy vendeve mbi Iranin.

Shtetet e Bashkuara po e forcojnë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, në atë që zyrtarët thanë se ishte një "përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një numri treguesish dhe paralajmëruesish shqetësues" nga Irani.

Të mërkurën e kaluar Ministri i Jashtëm rus Lavrov i kërkoi Sekretarit Pompeo të përdorte diplomacinë në vend të kërcënimeve, për të zgjidhur çështjet, pas bisedimeve të zotit Lavrov me Ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarifin në Moskë. VOA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Futet nga stoli dhe përmbys ndeshjen, Roço Vata i jep tri pikë Ëatfordit në limite

VIDEO/ Futet nga stoli dhe përmbys ndeshjen, Roço Vata i jep tri pikë Ëatfordit në limite