BRUKSEL - Bastet duket se janë bërë një gangrenë për futbollin. Në këtë konkluzion ka dalë Europoli dhe kreu Rob Wainwright (foto), pas hetimit të kryer prej organizatës që ai drejton, ku kanë rezultuar plot 380 ndeshje, të cilat dyshohen si të trukuara, në futbollin europian.

Sipas asaj që deklaron shefi i Europolit janë identifikuar më shumë se 425 zyrtarë klubesh, futbollistë dhe kriminelë me emër në kontinent, të cilët janë përfshirë në trukimin e ndeshjeve në më shumë se 15 vende europiane.

Por ajo që shqetëson sipas Wainright është fakti që mes ndeshjeve të dyshuara janë dhe ato të Uefa Champions League dhe elmininatoreve për Kupën e Botës dhe Kampionatin Europian. Edhe rreth 300 ndeshje dyshohen si të trukuara në Azi, Afrikë dhe Amerikën Qendrore e Jugore, duke e çuar numrin total në 680 ndeshje.

Në ndeshjet e trukuara dy janë të Champions League, ku një është luajtur në Britaninë e Madhe përpara 3-4 viteve. Gjermania është vendi me fluksin më të madh të ndeshjeve të dyshuara, si të trukuara, që arrin deri në shifrën e 300 takimeve.

Hetimi përfshin periudhën nga viti 2008 në vitin 2011. Kreu i Europolit ka deklaruar se kjo është një ditë e trishtuar për futbollin Europian.

"Kjo është hera e parë që ne kemi krijuar prova të konsiderueshme se krimi i organizuar operon tani dhe në botën e futbollit", u shpreh kreu i Europol-it.

Për momentin, Shqipëria nuk është lakuar nga Europoli por vetëm pak muaj më parë vendi ynë rezultoi se ka futbollin më të trukuar në Botë dhe nuk përjashtohet mundësia që në këtë raport të Europilit të përfshihen edhe ndeshje të Supërliges dhe Kupës së Shqipërisë.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)