PRESHEVË/BERNË-Një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, Eusebio, që ndërroi jetë mëngjesin e së dielës, ishte një mik i madh i Hasan Kadriut nga Presheva.

Hasan Kadriu nga Presheva ka qenë menaxheri i parë shqiptar pranë UEFA-s dhe FIFA-s, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.

Hasani Kadriu, i cili jetoi për disa vite në Zvicër, humbi jetën në moshën 39-vjeçare në një atentat të përgatitur në Bullgari, në një udhëtim të tij zyrtar para 14 vitesh, më 18 shkurt 1998.

Legjenda e futbollit nga Portugalia, Eusebio ka qenë penguar nga regjimi autoritar i Antonio Salazar për t’u angazhuar me një klub të huaj. Si një ish-i kolonizuar dhe i diskriminuar, ai i kishte dobësi shqiptarët. Këtë e kishte shprehur gjithmonë në takimet me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Hasan Kadriun nga Presheva.
 
I lindur në Mozambik, atëherë një koloni portugeze, Eusebio i solli lavdinë klubit Benfica të Lisbonës, pasi ndihmoi ekipin të triumfojë në Kupën e Evropës më 1961 dhe 1962. Në këtë klub, ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij (15 vjet).
 
Në kampionatin botëror në vitin 1966 realizoi nëntë gola dhe ishte golashënuesi më i mirë. Eusebio da Silva Ferreira u paraqit në 64 ndeshje për kombëtaren e Portugalisë, duke shënuar 41 gola. 

Lamtumirë, mbret i futbollit dhe njeri i mrekullueshëm, Eusebio da Silva Ferreira!

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)