Eva Golemi, Abigaille
shqiptare që debutoi në Kore

Eva Golemi, Abigaille<br />shqiptare që debutoi në Kore
Thonë që suksesi vjen vetëm më punë, por për sopranon lirike Eva Golemi ndodh ndryshe. Fal shkëlqimit të saj në skenën operistike ajo është një nga emrat që ka shijuar suksesin me role në kryeveprat botërore. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” sopranoja Eva Golemi vjen në një rrëfim krejtësisht ndryshe, këtë herë jo për skenën shqiptare, por për një ndër kryeveprat e Verdit, operan Nabucco e cila iu besua roli i Abigailles në Kore. “Pas një audicioni të bërë për rolin e Abigaille-s, një bashkëpunim ky i Teatrit të Modena “Luciano Pavaroti” me Soal Opera Art Center në Seul, mu besua premiera mes shumë Abigailles nga shumë vende të botës për tri net. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, publiku më priti jashtzakonisht mirë. Ishte një rol premierë për mua, pasi unë isha Abigaille e parë shqiptare!”, thekson Golemi. Eva Golemi është një nga zërat më brilante të muzikës lirike, e cila ka disa vite që është pjesë e pandarë e roleve kryesore në vepra të ndryshme operistike.
 
Prej disa ditësh jeni kthyer në Tiranë më një rol të veçantë në karrierën tuaj si soprano. Çfarë solli Abigaille e Verdit tek ju?

Pas një audicioni të bërë për rolin e Abigaille-s, një bashkëpunim ky i Teatrit të Modena “Luciano Pavaroti” me Soal Opera Art Center në Seul, Kore. Një premierë që u mbajt më datë 8, 10, 11, 15, 16 dhe 17 nëntor, mu besua premiera mes shumë Abigailles nga shumë vende të botës për tri net. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, publiku më priti jashtzakonisht mirë. Ishte një rol premierë edhe për mua pasi unë isha Abigaille e parë shqiptare!
 
Të interpretosh Nabuccon e Verdit është një sfidë për një soprano. A hasët vështirësi duke ditur që koha nuk ishte në favorin tuaj?

Në fakt, që pas audicionit u përgatita që në Tiranë duke bërë prova intensive në opera, duke më favorizuar për ato pak ditët që më kishin ngel për provat gjenrale në Kore. Baritoni “Dona Ana” i Don Goivan i Moxart, një ndër zërat brilant në itali më tha; “Nuk e besoj akoma që ti këtë rol e ke premierë”. Ishte një punë e madhe me pianisten time Ingrid Pulizo që arrita me katër ditë prova regjie të isha të gatshmë për skenë.
 
Çfarë simbolizon Verdi me operan “Nabuço”?

Opera me katër akte e Verdit, premiera e së cilës u dha me 9 mars 1842 në Milano, është opera e tretë e Verdit e cila shënoi një sukses triumfues, është një ndër veprat më të hershme të tij. “Nabucco” shquhet për koralet e shkëlqyera dhe veçanërisht “Korit të burgosëve”. Roli i Abigailles është i dyti, është një rol shumë kompleks dhe me vështirësi të mëdha vokale të cilën Verdi e ka evidentuar edhe në partiturë.

eva golemi
 
A mund të cilësohet si një ndër rolet më të veçanta të karrierës suaj artistike?

Ishte një rol shumë interesant, jo vetëm për vështirësit e tij teknike apo mesazhin që ai përcjell, por mund ta cilësoj si majën e karrirës sime! Pas operas Norma në rolin kryesor, roli i Abigailles qëndron në majën e  karrierës sime deri më tani.
 
Çfarë sollët për publikun me rastin e Festave të nëntorit dhe të Natës së Bardhë?

Patëm një sërë evenimentesh, ku e nisëm me një koncert për të vijuar deri në orët e mesnatës. Ndërkohë, po përgatitemi për 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit si dhe për festat e fundvitit. Ndërkaq, kemi “Grand Ballon” e fundëvitit në TKOB, një nga evenimentet më të mëdha të këtij lloji. E kthyer edhe kjo tashmë në një traditë shumëvjecare, prezanton përpara publikut një event elitar i cili në fund të tij përfshin publikun në vallëzimin e valseve më të bukura vjeneze.
 
Përveçëse një soprano e talentuar, ju jeni nënë e dy fëmijëve?

Pasioni im për operan sigurisht që është i rëndësishëm, por familja është gjithçka për mua dhe prindërit. Me dëshirë dhe me pak sakrificë unë them se mund ti realizosh perfekt të dyja. Por, një mbështetje e fortë ka qenë edhe bashkëshorti Arben Llozi, i cili më ka ndihmur të jem kjo që jam sot.
 
Pas kaq vitesh, si i kujtoni fillimet tuaja në opera?

Në fakt, e kam nisur disi çuditshëm sepse pa mbaruar Akademinë e Arteve kam bërë rolin e parë “Dona Ana” i Don Giovann i Moxart kur kam qenë vetëm 22 vjeçe dhe që nga ai moment u emërova si soliste në TKOB.
 
Sa ka arritur gama e roleve deri më tani?

Nëse nuk gaboj kam arritur 28 role të para. Shpresoj që karriera ime të vazhdoj me të njëtin sukses. Të gjitha rolet në opera dhe veprat që kam interpretuar në skenë janë të dashura dhe të rëndesishne për mua. Padyshim që Tosca e Puçini-t, Violetta nga Traviata e Puçinit, Norma e Belinit,  Maddalena nga Andrea Chenier e Giordano-s të cilat i kam prezantuar me sukses në teatrot Evropianë mbeten disa nga rolet më të rëndësishme për mua.            
 
Përveç operas keni ndonjë pasion tjetër?

Më pëlqen shumë të lexoj. Kur kam ndonjë libër para nuk dua ta lëshoj nga dora deri sa ta përfundoj.
 
Po repertori për 2014-n çfarë do të na sjellë?

Kemi një sërë projektesh por, do ti lemë surprizë! Do të them që në shkurt do të interpretoj sërish “Nabuccon” dhe “Aidën”.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com" versioni print

Redaksia Online
(Xhulia Karavella/shqiptarja.com)
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve