A ju ndodh të zgjoheni në mëngjes me fytyrë të fryrë, bark të fryrë, të ndieni këmbët të rënduara apo të shihni se pesha juaj ndryshon nga dita në ditë? Shpesh, pas këtyre shqetësimeve fshihet mbajtja e lëngjeve në trup, por si ta kuptojmë nëse bëhet fjalë për fryrje, grumbullim të lëngjeve apo shtim në peshë nga yndyra? Dhe a mund të na vijnë në ndihmë bimët mjekësore për të lehtësuar këtë gjendje në mënyrë natyrale? I ftuar në "Rreze Dielli" në Report TV, specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, shpjegon pse ndodhin fryrjet, cilat janë shkaqet më të zakonshme dhe çfarë duhet të dimë përpara se të përdorim bimët që ndihmojnë organizmin të çlirohet nga lëngjet e tepërta.

“Organizmi i njeriut është një sistem biologjik ku uji qarkullon vazhdimisht ndërmjet gjakut, qelizave dhe hapësirave ndërqelizore. Ekuilibri i ruajtjes së lëngjeve në organizëm ruhet nga tre mekanizma kryesorë, që janë funksioni renal, funksioni venoz dhe funksioni limfatik. Kur sistemi i filtrit të veshkave nuk funksionon mirë, rritet përqindja e ujit në trup”, thekson Merja.

Shkaqet që nxisin edemën

·         Insuficienca renale: Sëmundjet e veshkave mund të ndikojnë në pastrimin e balancës së natriumit, kripërave, si dhe të shkaktojnë humbje proteinash.

·         Dobësimi i zemrës: Rritet tensioni venoz dhe gjaku në kapsulën Bowman nuk bën procesin e filtrimit.

·         Kripa e tepërt dhe sheqeri i tepërt pengojnë procesin e filtrimit të gjakut.

·         Rritja e presionit të gjakut në vena: Fryrja e kapilarëve pengon largimin e ujit të tepërt.

·         Sëmundjet e mëlçisë: Mund të ulet albumina dhe të ndryshojë qarkullimi i gjakut.

·         Bllokimi limfatik pengon kthimin e ujit dhe të proteinave.

·         Inflamacionet në kyçe dhe vena rrisin përshkueshmërinë e kapilarëve.

Si ta kuptojmë mbajtjen e lëngjeve

“Simptomat e mbajtjes së lëngjeve në organizëm janë fryrje e gjymtyrëve, ënjtje në këmbë dhe kyçe, fryrje e barkut, fytyrë e fryrë, ndryshim i shpejtë në peshë”, thekson Merja.

Ushqimet dhe zakonet që ndihmojnë

·         Kufizoni kripën dhe ushqimet e përpunuara.

·         Ecje dhe aktivitet fizik i rregullt.

·         Konsumoni ushqime të pasura me kalium, por me kujdes.

Bimët mjekësore që ndihmojnë

·         Mështekna: Gjethet përmbajnë flavone, si glikozide të kuercetinës dhe përbërës fenolikë.

·         Bishti i kalit: I pasur me flavonoide, përbërës fenolikë dhe silic, shton diurezën.

·         Hithra: Acidet fenolike dhe mineralet ndihmojnë në shtimin e urinimit.

·         Dëllinja dhe trëndafili i egër: Nxisin urinimin, përmirësojnë funksionin e veshkave.

·         Gjuhënusja dhe lulerradhiqja: Përmbajnë flavonoide dhe terpene që nxisin diurezën.

“Gjethet e këtyre bimëve mund të përgatiten në formë çaji. Në 2 litra ujë mund të zihen 2–3 minuta, nga një lugë gjelle për çdo bimë. Kullohet çaji pas 15–20 minutash dhe pihen 3 gota në ditë. Me vajin Reumer lyhen kyçet 1 herë në ditë”, këshillon Merja.

Sipas Merjas, çajrat diuretikë për shtimin e urinës përdoren në shqetësime të lehta, ndërsa kujdes duhet treguar te çajrat për dobësim, pasi mund të ulin ujin, por jo yndyrën.

Kur nuk duhet të mjaftohemi me çajrat bimorë: Gabimet që mund të bëhen

·         Ënjtje e papritur në njërën këmbë: duhet të shkoni te mjeku për të evituar ndonjë problem tromboze.

·         Nëse kemi vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, ndezje gjoksi, kërkoni menjëherë urgjencën.

·         Në edemë të pashpjeguar, ju duhet të kryeni analizat e azotemisë, kreatinemisë, natriumit dhe kaliumit në gjak, analizën e urinës dhe të albuminës.

 

Shënim i redaksisë: Bimët medicinale mund të kenë përdorime të caktuara, por nuk zëvendësojnë diagnostikimin dhe trajtimin e duhur mjekësor.