Evazioni, amnistia, taksat dhe Europa

Evazioni, amnistia, taksat dhe Europa

“Është më e thjeshtë që një Deve të kalojë në vrimën e gjilpërës se një evazor të kalojë portën e burgut”, një thënie e opinionistit kontrovers italian Marco Travaglio i qëndron perfekt kontekstit shqiptar të vitit 2022.

Ka kohë që po bluajnë mullinjtë ligjpropozues të qeverisë për të nxjerrë risi projektligjesh në fushën e amnistive, ngritjes së taksave dhe si pasojë goditjes së sigurisë së biznesit në vend për të minuar më tej parimet kushtetuese që përcaktojnë qartë kufirin se deri ku mund të shtyhet ekzekutivi në politikat që ndërhyjnë në politikat e taksave dhe tatimeve. Nuk është diçka e re në nivel global dhe as monopol i situatës shqiptare fakti që shumë subjekte priren që të krijojnë mundësitë e evazionit fiskal apo përfitimit nga vakume ligjore, ashtu si është po aq e vërtetë që shteti duhet të vërë në zbatim mekanizmat e kontrollit që të garantohet barazia e të gjithëve përpara ligjit edhe në fushën e pagesës së tatim – taksave.  

Që një shtet të garantojë arkëtimin e sa më shumë të ardhurave nga subjektet paguese të tatim –  taksave duhet në radhë të parë të jetë i paanshëm në trajtimin e tyre duke ju dhënë mundësinë e garantimit të sigurisë konkuruese në bizneset respektive dhe më tej mbledhjen e tatim – taksave nga të gjithë sipas përqindjeve dhe parashikimeve të ligjit. Raportet e vetë administratës tatimore tregojnë që nuk respektohen këto dy parime të thjeshta në Shqipëri dhe si pasojë trajtimi i taksapaguesit është i ndryshëm, jo për dhe në respekt të kritereve ligjorë por për elementë preferencialë dhe diskrecional të vetë shtetit nëpërmjet administratës tatimore.  Pra në një farë kuptimi shteti toleron ose nuk kontrollon evazionin, favorizon kanalet e fshehta të kalimit të të ardhurave dhe më tej, kur nuk i del llogaria si pasojë e arkave bosh, po shteti propozon amnisti për të legalizuar të ardhurat e subjekteve të ndryshëm me apo nga burime jo zyrtare.

Evazioni dhe amnistia e evazorëve janë dy koncepte që po përdoren nga qeveria shqiptare me argumentin se i bëhet mirë si shtetit si individit, pyetja është kujt individi? Atij që ka paguar rregullisht tatim- taksat, atij që ka duruar presionin e administratës tatimore duke mbajtur biznesin në këmbë edhe në kohë tërmeti, pandemie, lufte apo recensioni ekonomik? Jo, bëhet fjalë për tu bërë mirë evazorëve apo më keq akoma individëve që burimet e tyre nuk i kanë nga puna por nga aktivitete që variojnë sipas kalibrit të dredhive dhe “zotësive” për të anashkaluar respektimin e parashikimeve proceduriale tatimore në vend.

Nga ana tjetër qëndron individi/subjekti që, edhe pse jo evazor, për arsye të ndryshme mund të ketë qenë  i sanksionuar nga administrata tatimore i cili jo vetëm që nuk gjen asnjë parashikim favorizues në këto propozime por është i detyruar që për të apeluar një vendim modest duhet të parapaguajë detyrimin e të garantojë pjesën e gjobës. Më tej duhet ta çojë çështjen në një gjykatë, duke u ngarkuar më tej me detyrime, shpenzime, që ndodhta një ditë të ketë një vendim në favor të tij. Shpejtësia e aprovimit të amnistisë është marramëndëse në krahasim me itinerarin e arritjes në një vendimi ndaj tatimpaguesit korrekt shqiptar, fiton evazori!

Procesi ligjvënës në Shqipëri shoqërohet nga disa garanci kushtetuese në fushën e tatim – taksave duke kërkuar, për aprovimin e tyre, një shumicë të caktuar parlamentare dhe më herët këtij momenti respektimin e parimit të mos lejimit të efektit prapaveprues në këto raste ndryshimesh ligjesh pra kur bëhet fjalë për ndryshime në ligjet e tatim – taksave. Amnistia fiskale nuk mund të favorizojë vetëm një kategori të caktuar individësh për detyrime që kanë patur detyrimin ti deklaronin dhe paguanin tatim – taksat por që nuk e kanë bërë në afat, përndryshe me një logjikë të tillë do të favorizohej evazioni i gjerë ai masiv deri në amnistinë e radhës. Nevoja që shteti të ndërhyjë me një propozim të tillë duhet të jetë mbi të gjitha proporcional, dhe proporcionaliteti nuk mund të mos prekë komplet taksapaguesit e regjistruar që duhet të kenë një trajtim të njëjtë, minimalisht të sqarohet nga propozuesit se përse imponohet preferimi i amnistisë nga goditja e tij.

Në anën tjetër të propozimeve të fundit të qeverisë bie në sy projetkligji për të ardhurat i cili ka një arsyetim totalisht të kundërt me logjikën e përdorur në projektligjin për amnistinë duke ndryshuar tërësisht mënyrën e taksimit të profesioneve të lira apo bizneseve të vogla në vend. Propozohet që tatimet të rriten për profesionet e lira dhe biznesin e vogël me formula përllogaritëse që në shumë raste i lihen në dorë administratës tatimore në vend, po asaj administrate tatimore që sot propozon amnistinë fiskale dhe që është e pafuqishme të mbledhë tatimet apo më keq e korruptuar dhe e kapur nga pjesa e evazorëve fiskalë. A ka moral apo logjikë proporcionaliteti që nga njëra anë të amnistohen evazorët të cilët mund të deklarojnë në amnisti deri në 2 milion euro të  ardhura (ama kusht i fortë është për familje jo për individ!!) dhe nga ana tjetër bizneset e ndershme familjare, profesionet e lira, biznesi i vogël tu kërkohet që të paguajnë më shumë tatime? Shprehjen e vjetër, të shekullit të kaluar, mbi tatim - taksat “lekwt duhet tw merren aty ku janw: te tw varfrit, kanw pak por janw tw shumtw” po e vë në zbatim ligjpropozuesi në rastin e rritjes së tatimeve për këto kategori.    

Administrata tatimore që nuk mundi dot të mbledhë dot të ardhurat në kohë ndaj evazorëve sot do të kontrollojë, mbikqyrë dhe çertifikojë amnistinë e personave me vlera deri në 2 milion Euro “për familje”? E gjitha kjo në kushte anonimati, pra përfituesit e amnistisë do të jenë anonim!

Patjetër që të dy nismat ligjpropozuese i kanë brenda lobistat dhe grupet e interesuara që të aprovohen këto ligje por nga ana tjetër qëndron masa e madhe e qytetarëve, që me të drejtë besoj ndihen të tradhtuar nga shteti i tyre e që nuk do të kenë më vullnet se përse të jenë korrekt në pagesën e detyrimeve tatimore. Në të tilla raste shoqëria civile, që qëndron pas projekteve për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të individëve, besoj  duhet të tregojë që qënia e tyre aktiv e ka një arsye tjetër përveç fitimit të vlerave monetare në projekte dhe bërjes së strategjive në letër që skanë asnjë vlerë pa reagimin e tyre institucional në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe europiane të gjithëpranuara.

Jo të gjitha të këqiat vijnë për të prishur pune, ka një lajm të mirë edhe pas çdo lajmi të keq. Muaji korrik 2022, si na rastisi koinçidenca, solli dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin euriopian dhe kjo është një ngjarje vërtet historike jo vetëm si datë e shumëpritur nga shqiptarët për të afruar më afër vendin me vendet perëndimore por kryesisht për të garantuar dhe patur filtrimin paraprak të politikave ligjvënëse të parlamentit shqiptar nga organet e Komisionit europian. Raporti i vitit 2021 i Bashkimit europian i ka dedikuar një kapitull të tërë politikës ligjzbatuese në fushën e tatimeve dhe taksave (kapitulli 16) duke kërkuar bashkëpunimin ndërinstitucional të administratave tatimore të vendeve europiane me atë shqiptare për të luftuar (jo amnistuar) evazionin fiskal si një prioritet i politikave dhe parimeve të ligjeve në Bashkimin europian.      

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A. N.: 21/07/2022 21:54

    Kjo eshte tallje qe i behet taksapaguesit te ndershem i cili eshte perpjekur qe te paguaje cdo detyrim ne kohe. Si gjithmone i ndershmi eshte ai i shtypuri dhe me siguri duhet te kete shume pak te ndershem perderisa askush nuk ankohet per kete padrejtesi qe po i behet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Vendimi i parë që do marr kur të vij në pushtet, është rihapja e TikTok

Sali Berisha: Vendimi i parë që do marr kur të vij në pushtet, është rihapja e TikTok