Kuvendi është duke shqyrtuar projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ajo që vihet re këtë vit është një nxitim për t’i kaluar ligjet e paketës fiskale shpejt, duke shmangur kështu konsultimin publik të nevojshëm. Pse ndodh kjo këtë vit?
Në fakt, Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka filluar që në datë 11 nëntor prezantimin dhe diskutimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2017 dhe, bazuar në kalendarin e miratuar, do të vazhdojë deri në datë 15 dhjetor me shqyrtimin nen për nen në seancë plenare.
Unë besoj që 35 ditë janë plotësisht të mjaftueshme dhe shpresoj që gjatë kësaj periudhe edhe opozita të japë kontribut jo thjesht me vlerësime apo kritika, por të ofrojë edhe propozime konkrete apo sugjerime konstruktive që mund të sjellin përmirësime të vlefshme në të gjithë treguesit e buxhetit.
Ky buxhet quhet elektoral, sepse praktikisht qeveria po “zgjidh thesin” për shumë kategori. Në cilat drejtime kryesore do të harxhohen paratë e taksapaguesve këtë vit?
Unë nuk do ta quaja aspak buxhet elektoral, por përkundrazi edhe pse viti 2017 është një vit elektoral ky buxhet është i përgjegjshëm, i balancuar dhe serioz, duke reflektuar një qeverisje të përgjegjshme me fokus kryesor zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies të qytetarëve.
Gjatë qeverisjeve të kaluara, qoftë të majta apo të djathta, në të gjitha vitet elektorale është shfrytëzuar buxheti dhe financat publike të shtetit në funksion të fushatave.
Prandaj në qershor të këtij viti ne miratuam në ligj një kufizim të rëndësishëm për qeverinë, sipas të cilit në një vit elektoral asnjë qeveri nuk mund të shpenzojë në 6-mujorin e parë më shumë se 55% të deficitit vjetor të lejuar me ligj.
Duhet të theksoj që buxheti i vitit 2017 paraqet një hap të rëndësishëm në vazhdimësinë e rritjes ekonomike pozitive, e cila do të përshpejtohet në 3.8%, ose rreth katërfishi i asaj që ishte në vitin 2013.
Gjithashtu ai programon një ulje të konsiderueshme të borxhit publik me pothuaj 3% të PBB, pra nga 71.8% në 69.1%, dhe balanca primare programohet për herë të parë në një vit elektoral me suficit prej 0.7% të PBB, që do të thotë se shpenzimet për aktivitetet e qeverisë, janë më të ulëta se të ardhurat buxhetore.
Përsa i takon drejtimeve kryesore, buxheti i vitit 2017 është buxheti që mbështet financimin e reformave dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Konkretisht parashikohen rreth 20 miliardë lekë për zbatimin e reformës në drejtësi, reformës në administratën publike, reformën në pensione, decentralizimin dhe reformën e ujit.
Ndërsa përsa i përket rritjes së pagave dhe pensioneve, për herë të parë programohen rreth 100 milionë dollarë, që shënon fondin më të madh të akorduar brenda një buxheti në 25 vitet e fundit. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 600 mijë pensionistë dhe 110 mijë punonjës të administratës publike, duke synuar përmirësimin e shërbimeve publike në arsim, shëndetësi, rend e siguri, si dhe duke rritur ndjeshëm edhe pagën minimale në sektorin buxhetor.
Është e rëndësishme të theksoj se kjo rritje e konsiderueshme e pagave dhe pensioneve do të financohet tërësisht nga të ardhurat buxhetore dhe jo nga para të marra hua.
Përveç rritjes së pagave, a do të paguajnë shqiptarët më pak taksa?
Siç e theksova më lart, buxheti i vitit 2017 së pari mbështet reformat e nisura gjatë këtyre tre viteve të qeverisjes në shëndetësi, pensione, etj. Gjithashtu ai siguron uljen e borxhit publik dhe rritjen ekonomike deri në 3.8%, dhe qëllimi i tij nuk është ulja e taksave por mbledhja e tyre në një nivel më të lartë.
Konkretisht, nëpërmjet politikave fiskale, së pari do të sigurohen procedura të thjeshta tatimore, të kuptueshme dhe lehtësisht të zbatueshme nga tatimpaguesit. Po ashtu, do të mundësohet rritja e besimit të tatimpaguesve në drejtësinë e vendimmarrjes gjatë proceseve të ankimimit, eliminimi i sjelljeve abuzive në procesin e kontrollit të tyre, etj.
Ndërkohë, paketa e re fiskale për vitin 2017 parashikon uljen e nivelit të disa taksave me qëllim stimulimin e sektorëve të veçantë që kanë impakt në nxitjen e punësimit dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore të vendit si industria fason, prodhimi vendas i duhanit, rritja e vlerës së shtuar në përpunimin brenda vendit të mineraleve, etj.
Kjo bujari e qeverisë, a mund të passjellë një vështirësi ekonomike në realizimin e të ardhurave në gjashtëmujorin e dytë, që përkon fiks me periudhën paszgjedhore?
Unë mendoj që jo. Sipas parashikimeve të buxhetit, të ardhurat totale në vitin 2017 parashikohen me një rritje prej 7.6% krahasuar me vitin 2016, duke kapur kështu nivelin 436 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga tatimet, doganat dhe sigurimet parashikohen me një rritje 5.8% më të larta se në vitin 2016.
Por ajo që vlen të theksohet më shumë është se ky buxhet, ndryshe nga të gjithë buxhetet e mëparshëm, ofron një parashikueshmëri më realiste të të ardhurave, çka mundëson edhe planifikimin më realist të shpenzimeve.
Kjo bëhet akoma më e besueshme po të marrim në konsideratë treguesit buxhetorë të vitit 2016. Në fakt, edhe viti 2016 shënoi një performancë të përmirësuar të të ardhurave në buxhetin e shtetit, të cilat në fund të vitit 2016, pritet të jenë 408 miliardë lekë.
Rritja me 0.8% e kontributit të të ardhurave të buxhetit të shtetit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto për vitin 2016, është tregues i rëndësishëm i përmirësimit të performancës së mbledhjes së të ardhurave në kuadër të reformës së konsolidimit të financave publike.
Kjo rritje vjen kryesisht nga impakti i rritjes ekonomike dhe nga përmirësimi në administrimin e taksave, ndërkohë që gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të tarifave tatimore, përkundrazi, ulje apo heqje të tyre si në rastin e tatimit të thjeshtuar të fitimit për biznesin e vogël.
Qeveria ka sjellë propozim për rritjen e akcizës për gazin. Nuk ju shqetëson, qoftë dhe në aspektin elektoral, që do të shtrenjtohet buxheti familjar për ata që gatuajnë me gaz dhe ata që kanë makina me karburant të tillë?
Është e vërtetë që paketa fiskale shoqërohet me korrektimin e akcizës së gazit të lëngshëm me 13 lekë për litër, por ama jo për qytetarët, jo për përdoruesit shtëpiakë, por vetëm për automjetet, që përbëjnë 3 për qind të përdorimit të gazit.
Pra e theksoj që nuk do të ketë ndryshim për gazin që përdorin qytetarët. Disiplinimi i kësaj akcize është i dobishëm jo vetëm nga ana fiskale por edhe në aspektin e sigurisë të furnizimit të qytetarëve me gaz të lëngshëm në pika të certifikuara dhe jo në njësi shitjeje të çfarëdoshme e të pakontrolluara ku mund të ketë mungesë sigurie të furnizimit.
Megjithatë, edhe pse sot shumica e vendeve të BE-së përdorin akcizë për gazin e lëngshëm, edhe pse direktiva e rekomandon aplikimin e saj, qeveria dhe maxhoranca kanë gjykuar dhe vendosur që të vazhdojmë që gazin e lëngshëm për qytetarët të mos e taksojmë. Dhe unë vetë personalisht mendoj që ky është një vendim i drejtë për kushtet në të cilat ndodhemi.
Qeveria po jep shumë koncesione, që kryeministri pëlqen t’i quajë PPP. Këto janë para që privati i investon dhe që shtetit gradualisht do të duhet t’ia kthejë mbas. Mos po krijohet në këtë mënyrë një borxh i padukshëm, që mandatin e ardhshëm qeverisës mund të krijojë një bllokim ekonomik, sikundërse qe prezent sapo e majta nisi qeverisjen?
Përsa i takon borxhit, e kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj, sidomos pas situatës kritike në të cilën u gjetën ekonomia dhe financat publike të vendit para tre viteve, kur kjo maxhorancë erdhi në qeverisje. E kam fjalën sidomos për detyrimet e prapambetura të qeverisë ndaj biznesit privat me një total rreth 720 milionë dollarë, për borxhin sektorial të energjisë prej më shumë se 1 miliard dollarë, e sigurisht edhe për infrastrukturën rrugore të copëtuar, pa siguri e pa mirëmbajtje, për sektorin bujqësor të prapambetur, abuzimet me skemat e ndihmës e mbështetjes etj. Por, përsa i takon borxhit të fshehur, qeveria aktuale pas shlyerjes me përgjegjshmëri të lartë të detyrimeve të prapambetyra është e vendosur që kjo situatë të mos përsëritet më dhe marrëdhëniet me biznesin privat të jenë gjithmonë reciprokisht korrekte. Ndërkohë, unë besoj që nuk ka asnjë rrezik që në të ardhmen të krijohet ndonjë “bllokim ekonomik” sic e quani ju, sepse të gjithë treguesit ekonomik janë në një trend pozitiv që prej kthesës së rëndësishme në vitin 2014 dhe që vazhdon përmirësimin nga viti në vit. Dua të nënvizoj se buxheti i vitit 2017, i rakorduar edhe me FMN dhe me partnerët e tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, siguron vazhdimësinë e reformave të ndërmarra, me një fokus të veçantë mbi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe stabilitetin e financave publike.
dy.b/shqiptarja.com