Evropa, Greqia, kriza
ekonomike dhe ne

Evropa, Greqia, kriza<br />ekonomike dhe ne
Më shumë se dymijë vjet më parë brigjet e Mesdheut verior e lindor ishin qëndra e qytetërimit. Prej Athinës dhe Romës shpërndaheshin rrezet e dijes e të kulturës. Nëse Roma zotëronte atëherë një kontinent që, në kufijtë e saj haste t’ashtuquajturit “fise barbare”, Athina e pushtuar ushtarakisht zotëronte me artin, filozofinë e shkencën e saj atë pjesë të njohur të botës që do t’ishte Evropa e ardhëshme. Ndoshta mendime të tilla i vijnë ndërmend cilitdo që, duke ndjekur ngjarjet e ditëve të sotme, shtrin vështrimin në të shkuarën e largët, duke u munduar të gjejë një lidhje, një fill të padukshëm, që përshkon shekujt, ngjarjet, historinë e popujve, të brezave, të shoqërive, të shteteve. Sot Evropa përballet me një nga sfidat e saj më të vështira, atë që fillimi i mijëvjeçarit të tretë m.K. i ve përpara një bote që,  mbasi ka përvehtësuar dijen, shkencën, teknikën, artin, kulturën, përvojat shoqërore e politike të shoqërive të saj, matet me të në fushën e ekonomisë. Evropa, që i dha botës teoritë e doktrinat më të ndryshme ekonomike të lashta e bashkëkohore, sot gjëndet në një amulli që, për herë të parë në historinë e saj mijëvjeçare, duhet t’a përballojë e bashkuar. Ëndrra e saj e bashkimit, e përkundur në djepat e mëndjeve të ndritura të brezave të shkuara, e trupëzuar mbi gërmadhat e luftës më të egër të gjithë historisë së saj, e plotësuar me shëmbjen e sistemeve të diktaturave, sot ndeshet me një të vërtetë dramatike që quhet “krizë ekonomike”, duke marrë këtë emër pikërisht nga gjuha e grekëve të Homerit. Kjo krizë që i përngjet një tërmeti të fuqishëm ka epiqendrën e saj në Greqinë e Platonit dhe Aristotelit e përhap ushtimën e saj në të gjitha kryeqytetet e kontinentit. Quhet krizë ekonomike e burimet e saj na çojnë në dy motive kryesore : borxhet dhe globalizimi.

Borxhet janë justifikuar nga një morí arsyesh, që mund të përmblidhen në një frazë të vetme : të jetosh sipër mundësive, të harxhosh më shumë se sa fiton, "të shtrish këmbën më shumë se sa ke jorganin" thonë në Vendin tonë. Globalizimi, dukuria e njëzet viteve të fundit, është pasqyrë e ndryshimit të botës, e ecjes së saj përpara, e prishjes së drejtpeshimeve të vendosura nga koha kur Evropa hyri në epokën e industrializimit, të zhvillimit, të shtrirjes së saj në botë me fuqinë e armëve, të t'ashtuquajturve "revolucione", për të vendosur "drejtësinë shoqërore" duke sjellë sisteme padrejtësish e dhune, të luftrave për hegjemoninë e ideologjive, të racave, të shteteve, të kombeve, të kulturave.
Kriza ka mbërthyer pasardhësit e ligjvënësve të lashtësisë, grekët dhe italianët, në forma e përmasa të ndryshme. Ne gjëndemi mes tyre. Kemi lidhje të vjetra e të reja, probleme, armiqësi e miqësi po aq të vjetra e të reja. Janë fqinjët tanë në perëndim e në jugë e, megjithëse historia na ka lënë mjaft plagë në marrëdhëniet me to, koha e re e paskomunizmit ka krijuar një tjetër atmosferë, mbasi një pjesë e mirë e popullsisë sonë në këta njëzet vjet, ka gjetur në këta dy Vende strehë dhe mjete jetese, duke i ardhur në ndihmë vetes, familjeve e Shqipërisë. Si shtet, kemi me këta dy Vende pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, e më duket një ëndërr e bukur fakti që kriza e tyre të mos ndikojë sado pak në ekonominë dhe drejtpeshimet e shoqërisë sonë. Për këtë flitet pak në shtypin tonë dhe aspak haptas në qarqet e politikës dhe qeveritare, gjë të cilën e quaj diçka të papjekur, madje të dëmshme. Por kjo është diçka tjetër, të mundohemi të depërtojmë disi në krizën greke, që është ajo më e mprehta e që sot, në pjesën më të madhe të mediave e të agjensive të rejtingut, quhet "default" = falimentim, dështim i plotë financiar.

"Kemi arritur në pikën zero" shprehej para pak ditësh Kryeministri teknik i Greqisë, ish zv. Guvernatori i BQE, Lukas Papademos. "Zgjedhja nuk është të bëjmë apo jo sakrifica, por ndërmjet sakrificave dhe diçkaje të paimagjinueshme." i drejtohej me këto fjalë kolegëve të Parlamentit Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos, në diskutimin për masat e jashtzakonshme. Janë fjalë që tregojnë, në gjithë rëndësinë e saj, një gjëndje të një Vendi, i cili në vitin 2006 kishte një rritje "zyrtare" të prodhimit të brendshëm brut prej 5,6% e në 2007 prej 4,28%, për të arritur në 2011 në - 6%, pra një rënie prej 12% në pesë vite, shifra rrënqethëse për këdo që kupton sado pak ekonominë e ligjet e saj.

Por si erdhi Greqia në këtë gjëndje? Dështimi i shtetit grek është dështimi i sistemit politik e konkretisht, i partitokracisë greke që, për një kohë të gjatë, vazhdon të vërtitet rreth disa mbiemrave që, për mirë apo për keq, kanë patur eskluzivën e drejtimit të shtetit grek. Këta mbiemra janë Papandreu, Karamanlis, Venizelos, etj., të cilëve u shtohet Micotaqis. Këta zotërinj, që e kanë kthyer Vendin e tyre në një republikë "mbretërore" të trashëgueshme, mbasi përzunë mbretërinë, i kanë dhënë një drejtim të qëndralizuar jetës politike dhe ekonomike greke. Kështu është rritur jashtë mase numuri i nëpunësve të administratës (750.000), afërsisht një nëpunës në 15 qytetarë, ekonomia është vënë në binarët e planifikimit shtetëror, me pasoja të dëmshme për rendimentin dhe krijimin e klientelave dhe të korrupsionit. Është rritur në nivele shumë të larta shpenzimi shoqëror, që kushton përqindje të larta të buxhetit të shtetit. Grekët deri tani kanë marrë dy paga suplementare, e 13 dhe e 14, madje shteti i u ka paguar çdo punonjësi apo pensionisti 15 ditë pushime të posaçme në lokalitete turistike, gjë e padëgjuar n'asnjë Vend të Evropës. Kjo gjëndje ka krijuar një atmosferë mirëqënieje, e cila ka vënë në gjumë qytetarët duke krijuar iluzionin se do të jetë gjithënjë kështu. Kjo i ka shkuar për shtat edhe politikës për të bërë premtime, për të marrë vota e pët të zotëruar pushtetin. Kjo mendësi ka çuar në situata absurde, në të cilat kategori të ndryshme si armatorët, pronarët e anijeve të mëdha të transportit, përjashtohen nga pagesa e taksave, për të ushqyer klientelizmin partiak e politik. Kjo shoqërohet me një evazion fiskal të llahtarshëm, mbasi ekonomia e ashtuquajtur "e zezë", zë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë së përgjithëshme.
Deri sa nuk ishte monedha e përbashkët sistemi funksionoi në një farë mënyre, por në 2001 duheshin plotësuar kriteret e pranimit në zonën euro. Atëherë Qeveria socialiste tjetërsoi statistikat dhe arriti të hyjë. Në këtë kontekst ka vënd edhe për një shqyrtim të proçedurave të pranimit në organizmat e Bashkësisë, që janë treguar ndoshta shumë "zemërgjërë", duke marrë vendime politike më shumë se teknike e duke mbyllur një sy për ata shtete që nuk plotësonin kriteret, me shpresë se do të punonin në t'ardhmen për t'a ndrequr gjëndjen. Në rastin e Greqisë, por edhe t'Italisë në forma më të lehta, nuk ndodhi ashtu dhe përgjegjësia nuk mund të mos i shkojë, në një farë mase, edhe organeve drejtuese të Brukselit apo Frankfurtit.

Më 2004 Greqia organizoi Lojrat Olimpike, pesha financuiare e të cilave i kalon 9 miliard euro. Simbas specialistëve ai qe një grusht i fortë për buxhetin dhe që atëhere filloi tatëpjeta e pashmangëshme e mbuluar gjithmonë me fallsifikime shifrash. Më 2008 fillon kriza e përgjithëshme financiare globale e më 2009, Papandreu vjen në pushtet, mbasi ka fituar zgjedhjet me 44% të votave. Kupton greminën në të cilën po shkonte Vëndi dhe padit gjëndjen duke dhënë alarmin. Evropa luhatet në qëndrimin e saj për të nxjerrë Greqinë nga gjëndja e vështirë, mbasi në aftësinë vendimmarrëse të saj luftojnë dy koncepte. I pari, i përfaqësuar kryesisht nga Gjermania dhe i përkrahur nga Vendet "virtuoze" me vlerësimin 3A, si Hollanda, Franca (deri para dhjetorit) apo Finlanda janë për rreptësinë financiare, respektimin e saktë të kritereve të borxhit të përgjithshëm e të raportit të tij me PPIB, me fjalë të thjeshta " secili duhet të bëjë vetë detyrat e shtëpisë". I dyti, i përfaqësuar nga Vëndet "e sëmura" të Evropës jugore, bën thirrje për solidaritet të konkretizuar nëpërmjet eurobondëve, aksione të BQE që do të shpërndante sakrificat tek të gjithë, pavarësisht nga përgjegjësitë e secilit, e për dhënien e kredive atyre që janë në vështirësi. Kësaj zgjidhjeje kancelaria Merkel i ka vënë veton, e kështu deri sot nuk ka vendime të qarta për të shpëtuar Greqinë.

Trojka, e përbërë nga përfaqësues të FMN-së, BQE-së dhe Komisionit evropian, që mbikqyr reformat në Greqi dhe bisedon me Qeverinë greke, kërkon masa të domosdoshme për rimëkëmbjen financiare dhe ekonomike, por që rëndojnë dukshëm në varfërimin e shtresave të gjëra të popullsisë. Shkurtimet në administratë deri në 2015 duhet t'arrijnë në 150.000 punonjës, kursimet në ilaçet e paguara nga shteti duhet të kapin shumën e 1,1 miliard €, rrogat e ulta duhet të zbresin nga 700 në 580 €, pa përfshirë taksat , pensionet mbi 1200€ ulen në masën 22% e të tjera masa të forta duhet të bindin autoritetet monetare e politike t'Evropës të miratojnë kredinë prej 130-145 miljard €, që i duhen patjetër Greqisë, për të mos kaluar në një falimentim të plotë, që do të kishte pasoja tepër të rënda për Greqinë, por edhe për zonën euro.
"E ardhmja e Greqisë në Eurozonë tashmë është vetëm në duart e saj." shprehet Filip Rësler, zv. Kancelari gjerman. Pa dashur të ve në dyshim peërgjegjësinë e rëndë të politikës greke në krizën aktuale, më duket me vënd të shpreh ndonjë mendim edhe për rolin e funksionet e organeve drejtuese të Bashkësisë në t'ardhmen e Evropës. Deri tani funksioni i kontrollit të Komisionit evropian në politikat ekonomike të shteteve ka qenë i cunguar, mbasi "të mëdhenjtë" nuk kanë dashur kurrë të kalojnë tek Komisioni, Qeveria e Evropës, një pjesë të sovranitetit të tyre. Kështu herë herë vendimet e mbledhjeve të Kryetarëve të shteteve e qeverive, forumet vendimmarrëse të Bashkësisë, nuk kanë mbajtur parasysh rregullat e miratuara. Kështu p.sh.më 2003, kur bilancet e Gjermanisë e të Francës kishin dalë nga parametrat, me bashkëpunimin e qeverisë Berluskoni, kryetare e rradhës, drejtuesit e këtyre Vëndeve i u kundërvunë me forcë kontrolleve e sanksioneve. Ky qe një precedent i keq për Bashkësinë që u gjend e pazonja të merrte masa për këdo, që në hapat e para të shkeljes së rregullave.
Në të gjitha këto proçedura, sidomos kur kriza është shumë e thellë, ka një kundërshti të madhe në vetvete : fajtorët qeveritarë e politikanë nuk vihen para përgjegjësisë e pasojat gjithmonë i paguajnë njerëzit e thjeshtë që janë të pafajshëm. Mjerisht, është një situatë pa zgjidhje, në të cilën qytetarët e dëmtuar nuk kanë mjet tjetër, veç votës, për të spastruar klasën politike. Por cila është alternativa? Shpesh herë më e keqe se sëmundja.

Në dramën greke bie në sy një fakt që të ve në mendime : Greqia është Vëndi i pestë në botë për blerje armatimesh, fakt që shkakton habinë e madhe edhe të përfaqësuesve të NATO-s. Me 3% të vlerës së PPIB, të shpenzuar për armatime Greqia barazohet me SHBA-s, në raport me popullsinë. Edhe në vitin në vazhdim ka një shtesë shpenzimesh prej 18,2%, në krahasim me vitin e shkuar, duke arritur në shumën mbi 7 miljard €. Në këta harxhime hyjnë blerjet e armatimeve nga Franca e Gjermania, madje, simbas shtypit të huaj (Corriere della sera - 13 shkurt 2012), ka edhe trysní të këtyre Vendeve kundrejt Greqisë për të respektuar kontratat, duke kushtëzuar kreditë e kërkuara me blerjet e armëve. Nëse është kështu (deri tani nuk ka asnjë përgënjeshtrim) prestigji i Francës e i Gjermanisë pëson shumë lakime dhe Evropa, që quhet modeli ynë, duhet parë me një sy tjetër. A nuk do t'ishte me vënd që, vetë Evropa të detyronte Greqinë, në gjëndjen e saj, të bënte një pakësim të dukshëm të blerjes së nëndetseve, tankeve, anijeve luftarake helikopterëve etj. për të shëndoshur financat e saj? A nuk do t'ishte më e pranueshme moralisht që të mos uleshin pensionet apo rrogat e ulta, por të shmangeshin plotësisht blerjet e armëve? Kujt i shërbejnë ato, konfliktit me Turqinë? A nuk është në gjëndje NATO të sigurojë mungesën e luftës në gjirin e saj? Apo duhet të pranojmë se interesat e industrisë së armëve të Francës e të Gjermanisë duhet të kenë përparësi edhe mbi mjerimin e një populli antar të Evropës së Bashkuar, siç është populli grek?

A kemi diçka për të mësuar ne nga kjo dramë që zhvillohet në kufijtë tanë e që prek qindra mijra bashkëqytetarët tanë? Mendoj se po, në disa drejtime. Së pari mund të vemë një shenjë barazimi mes klasave politike, që ruajnë përbërjen drejtuese të njëjtë për njëzet vjet, tek ata edhe më tepër. Një klasë politike e atrofizuar në pushtet apo opozitë, që paraqet gjithmonë të njëjtat fytyra, është e prirur të krijojë regjime, ku mungon tejdukja në të gjitha drejtimet, duke filluar nga administrimi i ekonomisë. Pak më shumë se njëzet vjet na ndajnë nga koha kur gjithshka "e dinte partia", edhe kur hahej bar. Qeveria na paraqet gjithmonë një gjëndje idilike të Shqipërisë, por kur vijnë ekspertët e organizmave ndërkombëtare dhe ofrojnë 200 miljon dollarë " për të përballuar krizën", Qeveria përgënjeshtrohet dhe humb besueshmërinë. Sa e si harxhohet nga fondet shtetërore, cili është niveli i t'ardhurave, cili është rendimenti prodhues i ekonomisë, niveli i borxheve të jashtme e të brëndëshme, të gjitha këto janë të zhytura në mjegullnaja propagande e nuk janë të prekëshme nga qytetari. Jepen shifra të fryra të t'ashtuquajtura biznese, për të dhënë idenë e një Vendi prodhues e eksportues, por pastaj mësohet se 80% e tyre i përkasin bujtinave, kafeneve apo restoranteve. Nuk spjegohet asgjë mbi pasojat konkrete në ekonominë tonë prej krizave të fqinjëve e çfarë plani masash ka për t'i përballuar ato.

Besoj se shumë prej këtyre pyetjeve e dyshimeve politika në përgjithësi, e Qeveria në veçanti, duhet të mundohen t'u japin përgjigje të plota e të sakta, për t'i bërë të ditur opinionit publik se cila është e vërteta e këtij Vendi, për të mos u gjendur një ditë të befasuar para një drame, shumë më të hidhur se ajo e grekëve.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate