Politika
Ndërkohë, në Greqi sa vjen e thellohet më shumë përçarja në radhët e partisë Syriza. Me kalimin e orëve bëhet më i theksuar dallimi mes kryeministrit Aleksis Tsipras dhe krahut më radikal të partisë së tij, që e kritikon ashpër për marrëveshjen e arritur në Bruksel. Platforma e së Majtës, krahu më radikal i Syrizës, u është përgjigjur dje deklaratave të fundit të Tsipras, duke thënë se kryetari, pas pesë muaj e gjysmë negociatash, ka pranuar se nuk ka pasur një alternativë kundrejt kërkesave të kreditorëve.
Grupimi insiston se qeveria duhej të shtetëzonte bankat dhe të pezullonte pagesat. Grupi pretendon më tej kryeministri nuk do të jetë në gjendje të negociojë një marrëveshje më të mirë për planin e tretë të shpëtimit dhe as do të mund t’u rezistojë shantazheve, duke qenë se e ka thënë hapur se nuk ka mbetur rrugë tjetër veçse të pranojë kërkesat e kreditorëve.
Parlamenti
Parlamenti grek është mbledhur dje për të votuar një paketë të dytë reformash strukturore, të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë për të siguruar mbështetjen e tyre për paketën e re të ndihmës financiare. Nëse paketa e dytë e reformave do të kalohet nga ana e deputetëve grekë, atëherë Athina mund të nisë negociatat për paketën e 86 miliardë eurove hua nga kreditorët e saj.
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka kërkuar votën e deputetëve, duke u thënë se grekët kanë varur të gjitha shpresat e tyre në qëndrimin në Eurozonë. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve që paketa mund të hasë në radhët e vetë deputetëve të Syriza-s, ajo pritet të kalojë me ndihmën e partive opozitare.Por Tsiprasit i nevojitet shmangia e rebelimit në radhët e partisë që drejton. 32 nga 149 deputetët e kësaj partie, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Yanis Varoufakis, votuan kundër paketës së parë të reformave. “Deri më tani kam parë reagime, kam lexuar e dëgjuar deklarata heroike, por nuk kam dëgjuar asnjë propozim, asnjë alternativë. Syriza duhet të reflektojë shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve që kanë varur shpresat tek ne”, u tha Tsipras deputetëve të Syriza-s mbrëmjen e së martës.
Javën e kaluar u votuan një sërë masash shtrënguese të kërkuara nga huadhënësit, një miksim reformash ekonomike dhe shkurtimesh buxhetore, si pararojë e nisjes së bisedimeve për lëvrimin e paketës së tretë të huasë. Propozimet që u shqyrtuan dje janë ndryshe, të një natyre më strukturore, duke përfshirë kodin e procedurave civile, që synon përshpejtimin e procedurave gjyqësore duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe adoptimin e një direktive të Bashkimit Europian për mbrojtjen e depozitave të qytetarëve me më pak 100 mijë euro. Në fundjavë u përfol se bashkë me këto do të kalonte edhe një ligj për heqjen e pensionit të parakohshëm dhe rritjen e taksave për fermerët, por këto propozime u shtynë për në muajin gusht.
Detaje
Reformat
Nëse paketa e dytë e reformave do të kalohet nga ana e deputetëve grekë, atëherë qeveria e Athinës mund të nisë negociatat për paketën e 86 miliardë eurove hua nga kreditorët ndërkombëtarë
Këstet
Datat e pagesave për Greqinë janë 20 gushti, kur duhet t’i paguajë 3.2 miliardë euro Bankës Qendrore Europiane dhe shtatori, kur duhet të derdhë 1.5 miliardë euro për llogari të FMN-së
Redaksia Online
(s.m/shqiptarja.com)