Kukësi është ekipi i vetëm shqiptar që vazhdon aventurën në Kupat e Evropës, pasi arriti të kualifikohej në turin e parë përballë ekipit Flora Talin të Estonisë. Ndeshja e kthimit e zhvilluar në stadiumin ‘Qemal Stafa’ rezultoi e suksesshme për Kukësin që nuk pësoi asnjë gol, pavarësisht se nuk shënoi në portën kundërshtare gjatë 90’. Barazimi pa gola me Flora Talinin i ka dhënë të drejtë verilindorëve që të vazhdojnë festën e debutimeve të suksesshme pas atyre në Superligë.

Ndeshja është zhvilluar në një atmosferë mjaft entuziaste, pasi nga Kukësi kishin udhëtuar drejt Tiranës shumë tifozë për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës. Ndeshja ka nisur e mirë për ekipin e drejtuar nga Armando Cungu dhe Sulejman Starova duke rrezikuar disa herë portën kundërshtare, por edhe duke u mbrojtur mirë në gjysmëfushën e tyre.

Pjesa e parë nuk kishte shumë për të veçuar, pasi golat munguan, e njëjta gjë edhe në të dytën, ku më shumë protagonistë ishin tifozët në shkallët e stadiumit. Në minutën e 79’ Kukësi mbetet me një futbollist më pak, pas largimit me të kuq të Musollit, por kjo gjë nuk ndikoi në lojën e vendase që u mbrojtën mjaft mirë deri në fund. Pas ndeshjes stafi kukësian dhe të gjithë tifozët shpërthyen në festë pas rezultatit pozitiv. Presidenti Gjici, stafi teknik dhe futbollistët u shprehën mjaft të gëzuar për këtë arritje.
Teuta humbet 2-0
Teuta ka zhgënjyer plotësisht në këtë edicion të Kupave të Evropës. Një ekip me eksperiencë të konsiderueshme gabon për herë të dytë radhazi, ashtu sikur vjet në turin e parë duke u eliminuar në mënyrë të habitshme.

Pas një rezultati mjaft të mirë në ndeshjen e parë në Durrës që fitoi 3-1 u duk se gjithçka mbaroi, por në Moldavi, ‘djemtë e detit’ u mundën me rezultatin 2-0 me nga një gol në cdo pjesë duke i thënë lamtumirë kompeticionit. Avantazhin nuk arritën ta mbanin me kujdes, por edhe nuk arritën të shënonin, kjo falë edhe meritës së ekipit kundërshtar që ishte në një ditë të mirë duke shënuar dhe u mbrojtur me fanatizëm. Teuta vështirë se me një kundërshtar të tillë dhe pas një avantazhi 3-1 të përsërisë historinë në të ardhmen.