Evropa pret Merkelin

Evropa pret Merkelin
Angela Merkel ndodhet mjaft e vetme me politikën e saj ndaj refugjatëve në Evropë. Plani i saj për t’i shpërndarë “më drejt” refugjatët në Evropë deri tani ka dështuar. Sepse partnerët e saj evropianë mendojnë: pse duhet ta paguajmë ne, kur Merkeli dërgon gjeste ftuese në botë?
 
Reagimet e populistëve të djathtë si Marine le Pen ose Viktor Orban nuk kanë pse e shqetësojnë fare Merkelin. Më rëndë peshon gjykimi i Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk. Polaku i kujdesshëm u shpreh se vala e refugjatëve është “shumë e madhe, për të mos u ndaluar”. Përpjekja për t’u imponuar shteteve të tjera të BE që të pranojnë kuota për pranimin e refugjatëve, sipas Tusk­ut është në kufijtë e “cënimit të lirisë politike”.
 
Kritika të tilla të qarta ndaj kursit të Merkelit u shtuan nga fundi i vitit, edhe prej njerëzve, të cilët e kanë mbështetur Merkelin në gjëra të tjera.Kryeministri kristjandemokrat holandez, Mark Rutte, tha para pak kohësh: “Siç e dimë nga Perandoria Romake, perandori të mëdha fundosen, kur kufijtë e tyre nuk mbrohen mirë”. Edhe vetë ministri besnik i Financave i Merkelit, Wolfgang Schäuble e krahasoi migrimin e pakontrolluar me një “ortek”, të cilin mund ta vinte në lëvizje një “skiator i pakujdesshëm”.
 
Konfliktet e brendshme të Evropës janë thelluar
Merkeli i ka mbetur në parim besnike vijës së saj. Në këtë mënyrë, pa e dashur, ajo i ka thelluar konfliktet e brendshme të Evropës. Kudo në zgjedhje partitë e djathta i kanë forcuar pozitat, hapësira e Shengenit pa kontrolle kufitare është vënë në diskutim. Dhe një efekt anësor i rëndë po përvijohet në Britaninë e Madhe, ku më e vonta në vitin 2017 do të zhvillohet një referendum për qëndrimin apo daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
 
Pa mbyllje nuk bëhet
BE ka nisur shumë inisiativa të drejta në politikën e refugjatëve: luftimin e shkaqeve të arratisë; mbështetjen e vendeve përreth Sirisë, lejimin e një migrimi të kufizuar për punë. Po edhe sikur e gjitha kjo të kontribuojë – dhe shumë nuk duhet pritur prej këtyre masave – nuk ka alternativë tjetër veç mbylljes së Evropës. Dhe BE nuk duhet të bazohet vetëm tek Turqia, që ajo t’ia mbajë larg refugjatët Evropës. Këtë punë të pakëndshme BE duhet ta kryejë në radhë të parë vetë.
 
Tema e madhe e vitit 2016 do të jetë sigurimi i kufijve të jashtëm të BE. Po të mos arrihet kjo, siç ka paralajmëruar zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans “do të dështojë jo vetëm Shengeni, por Evropa”. Merkeli ka thënë të njëjtën gjë për Euron para disa viteve. Kjo fjali vlen edhe më shumë për çështjen e migrimit.

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ndahet nga jeta fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë në vitin 1974

Ndahet nga jeta fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë në vitin 1974