Enver Hoxhës, si iu bë ditën e vdekjes maska dhe ku fshihet ajo! Esencë-Report Tv

Për herë të parë një kamera televizioni xhiron nga afër Maskën e vdekjes së Enver Hoxhës. 

Të ftuarit e emisionit Esencë në Report tv që shfaqet çdo të mërkurë në orën 23:00 dhe çdo të premte në orën 21:00 folën mbi mënyrën e konceptimit të së shkuarës totalitariste dje dhe sot përmes një objekti shumë pak të njohur për shqiptarët: Maska e vdekjes së Enver Hoxhës. I pari që ka folur ne shtypin e shkruar për maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, është Gazetari Ben Andoni. Në një shkrim të tijin për Revistën Java të vitit 2004, ndër të tjera ai shkruan:

 -Nuk flet më. Ka kohë që duhet të jetë diku, ku në tokën e tij nuk e deshifrojnë dot. Shumë e kanë dërguar në Ferr, ndërsa të tjerë, po me aq siguri në Parajsë. Sikur të flitet për një gjë krejt pa rëndësi, burokrati më lëshon një sërë justifikimesh pafund. Por, ajo është. Eshtë matrikulli 3786… në Muzeun Historik Kombëtar.

 “-Unë u propozova që Maska duhej të përgatitej shpejt''. Kujton Mumtaz Dhrami në shkrimin e Ben Andonit, si skulptori para të cilit ai pozoi shpesh në të gjallë dhe njeriu që u ngarkua t’i merrte maskën mortore. Dhrami thotë më tej:

-Nuk ramë dakord sepse Nexhmija na tha se i prishej lëkura, ndërsa ne duhet të kishim kontakt me portretin e tij. U thamë që nuk prishet lëkura, ndërsa ata vazhdonin të këmbëngulnin që prishet dhe… Sulo (Gradeci) pastaj na komunikoi që ajo do merrej pasi të mbaronin homazhet. Kaloi një javë që u bënë homazhet. Ndërkaq trupi degradohej dhe fytyrës i iknin ato tiparet karakteristike. Në fund, ditën që do merreshim me maskën, pamë se ishte transformuar fizionomia e tij. Format kishin ndryshuar, ndërsa hunda e kishte humbur profilin e vet, çdo gjë ishte jashtë karakterit, por ne e morëm maskën”- përfundon skulptori 70 vjeçar që nuk di më nga ajo ditë të jetë folur për maskën e Enverit.

Gazetari Ben Andoni vazhdon më tej duke hyrë edhe në detaje të tjera që kanë të bëjnë direkt me këtë vepër:

-Në fakt, maska mortore nuk i hynte më në punë. Të paktën atij, para të cilit kishte pozuar shpesh… Të ishte thjesht një trill i liderave komunistë për përjetësinë në mëndjen e njerëzve apo thjesht një paqtim. Në vitet e  pasluftës, dikush nga skulptorët shqiptarë kishte sjellë kopjen në Tiranë të maskës mortore të Leninit. Duhej të jetë ende në shtëpinë e njërit prej artistëve të kryeqytetit, ashtu si shumë syresh në gjithë Lindjen. Dëshira e njerëzve mbetej deri në përjetësimin material, sepse sa për atë shpirtëror nuk pranohej… Të paktën në dukje. Paçka se para vdekjes, komunistët ktheheshin si gjithë të tjerët, frikësuar në kulm… nga ankthi i amëshimit.

Por kujtimet nuk janë edhe aq rastësore. Ka edhe nje lidhje me disa maska të tjera mortore shqiptare. Sepse në traditën tone, maska e vdekjes nuk është lëvruar shumë! Ja çfarë thotë Ben Andoni në lidhje me një kujtim bisede me At Zef Pllumin:

-Kur vdiq Fishta, na françeskanët patëm thirrë nji jezuit italjan, Fr. A.Sala, që ishte skulptor; ai i nxuer maskën mortore, të cilën na e pruni në dy kopje allçije. Prej tyne, një ish nxanës i liceut tonë, Tomë Leci, pat nxjerrë kallëpin nga i cili punoi edhe gjashtë copë të tjera, të cilat i shpërndamë ndër miq e dashamirë për t’i ruejtë, mbasi pushteti “i ri” përpiqej me zhdukë çdo gjurmë të Fishtës, e jo ma maskën e fytyrës së tij”, kujtoj fjalët e At Zef Pllumit , një prej pak të mbeturve gjallë nga njerëzit që e kanë njohur Fishtën.

Këtu, Ben Andoni shton edhe disa të dhëna të tjera duke cituar kohën e takimit me At Zef Pllumin:

-Por, françeskanët luftonin dhe e dinin se maska ishte më shumë se maskë, ajo përbënte vetë landën, ku ishin pjesëzat e shpirtit të poetit. Pse jo edhe mbrojtjen materiale e tokës ndaj tyre. Ishin kohë të këqia, për njerëzit e Zotit. E kush mund t’i zhdukte këto pjesëza… Ndaj, në dukje, askush nuk “kujtohej” për to.

Ben Andoni shkon edhe më tej. Ai ndalet te Ahmet Zogu  me kërkesën e tij modeste:

-Kujtoj se kam kërkuar njëkohësisht me insistim dhe maskën mortore të Mbretit, por një premtim i stërgjatë... Ka mbaruar me një përgjigje diplomatike të Zëdhënësit të Oborrit: -Nuk kanë gjë këtu. Nuk dihet gjë as në Paris.

Për këtë arsye dhe të tjera nga shkrimi i tij, lidhen disa dëshmi njerëzore dhe historike, Ben Andoni ndalon te kjo nisje, ose më saktë te ky fillim i sinqertë edhe për ndërtimin e maskave të tilla:

-Maska e stilizuar e kokës së të famshmit Kara Mahmut Bushatliu, më ka shërbyer disi si argument. E kam parë në Cetinjë, dhe me kokën e tij është fillesa e çdo kërkimi për maskat… Ndërsa tek ne bërja e Maskës ka qenë një kulturë relativisht e re, ajo ka qenë shumë e rëndësishme në Qytetërimet, ku kultura e varrimit mbetej e rëndësishme. Maskat antropomorfike kanë qenë përdorur shpesh në ceremonitë, që shoqëronin vdekjen dhe ikjen e shpirtit. Maskat funerale bëheshin menjëherë sa vdiste njeriu dhe ishte një detyrë për kristianët, që bëhej fill pas marrjes së kungatës së fundit. Përgjithësisht, qëllimi i tyre ishte përfaqësimi sa më i mirë i karakteristikave të të ndjerit, qoftë për ta nderuar, por edhe për të vendosur një lidhje përmes maskës me botën e shpirtrave. A mund ta ketë lënë si amanet Enveri apo ka qenë një ritual “i sforcuar” i njerëzve që e kanë rrethuar... Askujt nuk i ka hyrë më në punë ajo, dhe po të ishte për detyrën që ajo t’i mbetej artit, ajo do kryhej menjëherë, ndërsa ashtu si një ritual ajo është bërë në fund të ditëve të homazheve, kur e kishte humbur gati çdo funksion?! Maskat e vdekjes mund të paraqesin momentin e fundit të jetës dhe në fakt realizohen për të krijuar portretet më pas nga artistët.

Gazetari Ardit Rada, i cili ka bërë edhe një nga shkrimet e para në lidhje me maskën e vdekjes së Enver Hoxhës tha në emisionin Esencë që drejtohet nga gazetari Eljan Tanini:

-At Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Karamahmut Pashë Bushatlliu, At Zef Pllumi, Alqi Kondi, Avni Rustemi, Mitrush Kuteli kanë maskë vdekjeje. Një kërkim i thjeshtë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar na tregon se edhe figurat shqiptare nuk i kanë shpëtuar maskës së vdekjes.  Imazhi i fundit i Enver Hoxhës është matrikulli me numër 3786 ndërsa maska është bërë një javë pas vdekjes së ish diktatorit, në prill të vitit 1985. Stafi i Muzeut historik kombëtar kishte frikë mos glorifikikohej diktatori. Ishte Mumtaz Dhrami, personi që drejtoi veprimet, ai e konsideron maskën si diçka pa vlerë pasi nuk i ruan tiparet kryesore të Hoxhës. Kufoma i kishte humbur tiparet pas një jave që qëndronte në arkivolin me frigorifer.  Maska u realizua në masa të forta sigurie, me prezencën e efektivëve të Sigurimit të Shtetit, në sallën ku trupi i Hoxhës qëndroi plot një javë për homazhe. Mumtaz Dhrami më ka thënë se “Nuk e kam bërë unë maskën… Ishin dy punëtorë të tjerë që quhen formatorë. Ndërsa punonjësit e Sigurimit që na ndiqnin gjatë procesit u skandalizuan. Maska e vdekjes së Enver Hoxhës nuk është marrë nga familja, ose as nuk është kërkuar fare. Maska vdekjeje kanë shumë figura të tjera botërore. Tom Leci ishte ishte ai që ruajti maskën e vdekjes se At Gjergj Fishtës. Gjithsesi, ajo maskë, maska e Enver Hoxhës, ka probleme anatomike, sepse është marrë një javë pas vdekjes. Kjo maskë nuk ka pse indinjon njeri, le të krijohet një pavion me maska të tilla. Maska e Enver Hoxhës nuk e tregon identitetin e saj, megjithatë ka vlerën e saj. Nga Enver Hoxha sot kemi thuajse asgjë, përveç palëve politike që akuzojnë njëra-tjetrën.

Ndërsa Ardian Isufi, artisti pamor që disa vite më parë ka bërë një vepër arti, ose siç njihet ndryshe performancë instalative në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, shprehet kështu:

-Maska e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha vjen si “Antihomazh”, sepse ne akoma jemi peng i asaj kohe. ARTISTI DUHET TË JETË GJITHMONË I VËRTETË. Jam frymëzuar për këtë instalacion nga një gazetë që gjeta fare rastësisht. Publiku nuk duhet ta shohë veprën me sytë e artistit. Mbaj mend se atë ditë Fatos Lubonja më tha se nëse futem brenda në muze per të pare maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, unë do e thyej atë. Vepra ime është një ngacmim për ta bërë publikun që të gjejë përgjigjet e veta.

Eljan Tanini: - Kur e pashë maskën për herë të parë, më ngjalli ftohtësi, negativitet, antihomazh, trishtim mes pozitivitetit dhe homazhit në të njëjtën kohë!

Ardian Isufi: -Ne kemi nevojë të rishikojmë historinë tone, ne mungon demokracia. Maska duhet të ishte e ekspozuar në muze, madje bashkë me instalacionin. Kjo është një nga veprat më të rëndësishme të krijimtarisë sime. Reagimet, qofshin ato edhe negative, i kanë bërë mire veprës sime. Maks Velo kur e pa maskën e vdekjes së Enver Hoxhës më tha: ‘’Bëre mire që e solle për publikun”.

Artisti Besart Papa, në lidhje me mënyrën, ndërtimin por edhe qetësinë që duhet të kesh përballë krijimit të një maske vdekjeje tha:

-“Duhet teknikë! Nuk është aq e thjeshtë. Duhet të jesh i qetë, ta shohësh vdekjen në sy. Nuk mund ta marrin dot të gjithë portretin e njeriut që ka ndërruar jetë. Nuk duhet ta kesh mendjen te vdekja, por te cilësia e punës, sepse ndryshe asgjë nuk bëhet dot. E gjitha kjo merr vëmendjen e saj, pasi vdekja nuk pyet askënd, ashtu siç edhe shtrija e allçisë në fytyrë ka hallin e saj. Hall të cilin gati gati duhet ta zgjidhësh të paktën për çerek ore. Ose ose sa më shpejt të jetë e mundur”.

E.T/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 22/02/2024 16:57

    Do gjetur maska sepse ne tregun e zi ben me miliona euro

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës Trump mbi emigracionin

Planet e administratës Trump mbi emigracionin