“Expo Milano 2015”, prognoza e burimeve natyrore për ushqimin në dhjetravjeçarë



MILANO, 31 Tetor/ATSH-Harilla Koçi/.- "Ekspo Milano 2015" vlerësohet si aktiviteti më i arrirë në llojin e vet. Kjo, jo thjesht për shkak të madhështisë dhe të shkëlqimit, por për atë që ka arritur të realizojë, për mesazhet që përcjell, për zgjidhjet dhe alternativat që ofron, për numrin e pjesëmarrësve dhe vizitorëve, për gjeografinë e shtrirjes së vendeve të përfaqësohen këtu.
Pra, në çdo gjë, në të gjitha drejtimet, ky panair është i pakrahasueshëm me paraardhësit. Sipas përllogaritjeve paraprake të organizatorëve, deri sot, në 31 tetor, që shënon edhe finishin e këtij aktiviteti, pavionet e tij janë vizituar nga më shumë se 20 milionë njerëz nga e gjithë bota.
Suksesi i tij shfaqet fare qartë, si aktiviteti më i spikatur dhe më me shkëlqim, krahasuar me të gjithë paraardhësit. Në këtë këndvështrim, "Ekspo Milano 2015" vlerësohet si sinonim i përpjekjeve të botës mbarë, për t'u paraprirë dekadave.
Këtu është e pranishme e gjithë bota, në dimensionin e vet më të prekshëm, ushqimin. Dhe në fakt, kjo është edhe përmbajtja dhe mesazhi që përcjell Panairi "Ekspo Milano 2015". Promovimi dhe përsosja e metodave inovative për të shfrytëzuar burimet natyrore për një ushqim të sigurtë. Popullsia e botës po shtohet me ritme të shpejta dhe përballë një fakti të tillë rritet edhe dilema: çfarë do të bëhet me ushqimin. A do të ruajë ai të njëjtat parametra, në raportet sasiore e cilësore, apo do të ndryshojnë ekuilibrat duke i mëshuar sasisë.
Kjo dilemë që po shfaqet prej kohësh kushtëzohet nga ana tjetër me mënyrat dhe aftësitë e njerëzimit për të realizuar dhe ruajtur këto ekuilibra, për të shfrytëzuar sa dhe si duhet burimet natyrore në funksion të këtij qëllimi. Dhe pavionet e vendeve pjesëmarrëse e përmbushin më së miri këtë fakt. Aq e vërtetë ishte kjo sa, pas çdo vizite, ndihesh optimist për të tashmen dhe të ardhmen.

Nuk ka rëndësi se ku shkon dhe si rritet popullsia e botës, nuk ka rëndësi se sa miliardë njerëz popullojnë sot planetin dhe sa do të arrijnë në vitin 2050. E rëndësishme është që njeriu të jetë i ndërgjegjshëm për atë që përfaqëson, për atë që mund dhe arrin të bëjë.
Janë 140 vende pjesëmarrëse në këtë aktivitet botëror. Të gjitha përfaqësohen me identitetin e tyre, me performancën dhe përvojën e tyre, me atë çka kanë bërë dhe atë që pritet të bëjnë, duke i mëshuar idesë se, ushqimi është burimi i energjisë që e çon përpara zhvillimin. Në funksion të kësaj, çdo vend sjell për vizitorët elementë dhe produkte tipikë, mënyra e aspekte që përcaktojnë profilin natyror e social të tij. Sjellin historinë, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Evidentojnë përpjekjet, realizimet konkrete dhe pritshmëritë.
Nëse Brazili, me pavionin e vet shfaq në miniaturë kapacitetet e veta, rezervat në burimet ujore, në prodhime të veçanta si farëra të bimëve të ndryshme, kafenë e famshme të këtij vendi, të kultivuar në kushte natyrale, aty në mjediset e këtij aktiviteti, ideuesit dhe kuratorët e tij, kanë zgjedhur edhe një mënyrë origjinale për të përcjellë një mesazh. Një rrjetë e stërmadhe, e fortë, që shtrihet përgjatë disa dhjetra metra në hyrje të pavionit, përfaqëson simbolikën se, për të arritur objektivin, asgjë nuk është e lehtë.
Vizitorët duhet të përshkojnë këtë rrjetë me jo pak lehtësi, për të hyrë në mjediset plot jetë e dritë të pavionit. Duhet të vuajnë pak, por në finish ndihen sa të lodhur, po aq edhe të çlodhur. Gjelbërimi natyral që i pret brenda, mjafton që të harrojnë argëtimin e lodhshëm, për të hyrë në një tjetër dinamikë. Ky vend vlerësohet si prodhuesi më i madh i kafesë në botë, ndërkohë që soja dhe misri përfaqësojnë 86 për qind të prodhimit të drithërave, ashtu sikundër 28 lloje bimësh shërbejnë si bazë për ushqimin, por po punohet edhe për zbulimin e të tjerave. Në këtë vend, 250 mijë njerëz punojnë në fushën e bletarisë, 450 mijë të tjerë në atë të bujqësisë etj, ndërkohë që realizohet një prodhim vjetor në produkte ushqimore prej 18 milionë tonë.

Ndërkohë, një tjetër performancë ofron pavioni i Tailandës, ku historia e futjes së metodave e teknologjive moderne në prodhim, nis prej vitit 1961. Gjatë kësaj periudhe, janë eksperimentuar dhe janë realizuar më shumë se 5436 projekte në fushën e prodhimit agroushqimor, duke e rreshtuar Tailandën në rradhën e vendeve kryesore për arritje në këtë fushë. Përmes materialit të pasur filmik të realizuar në formatin 3 dhe 4d, vizotorët përjetojnë në dinamikë përpjekjet që bëhen në këtë vend. Orizi në Tailandë, nuk përfaqëson vetëm faktin që është ushqimi kryesor, por ai ka një kuptim më të thellë se kaq. Ai përfaqëson dinjitetin e këtij vendi dhe përcakton mënyrën e jetesës në të.
Në pavionin e SHBA-ve, dilema aktuale shtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: Çfarë do të bëhet me ushqimin, cila është perspektiva e tij në vitet 2050 e në vazhdim? Popullsia po shtohet me ritme të shpejta dhe, kësaj tendence duhet t'i përgjigjemi me gjetjen dhe shfrytëzimin e burimeve të nevojshme natyrore për të ruajtur ekuilibrat aktualë mes cilësisë dhe sasisë.
Përmes një teknologjie tepër të lartë, pavioni gjerman përcjell nivelin dhe shkallën e modernizimit të bujqësisë në këtë vend të zhvilluar perëndimor, ku elementë të tillë si patatja, apo gruri, përbëjnë bazën e agroindustrisë së prodhimeve ushqimore.
Në Ekuador gjenden 24 lloje unike kafshësh, ndërkohë që këtu haset breshka me peshë deri në 300 kg që ka një jetëgjatësi prej 100 vjetësh. Ekuadori zë vendin e parë në prodhimin e bananeve në botë, ndërkohë që një vend të rëndësishëm zë eksporti i luleve me lartësi deri në 1 metër. Në këtë vend kryhen investime të shumta në bioteknologji dhe çdo vit, shkojnë për të studiuar jashtë vendit më shumë se 10 mijë studentë.
Ndërkohë, Italia, e përfaqësuar me pavionin e saj të ndarë në shumë seksione të vendosura në një gjeografi të gjerë, përfaqësonte dinjitetin plot madhështi të vendit organizator. Të gjitha llojet e kulturave bujqësore, teknologjinë e lartë në agroindustri, shumëllojshmërinë e verërave, artizanatin, industrinë moderne, e gjeje në këto pavione të kuruara më kujdes dhe grintë.

Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Greqia, ashtu sikundër edhe gjeografikisht, gjenden pranë njera tjetrës me pavionet e tyre në këtë panair, ndërkohë që plotësohen edhe nga Egjipti e Malta. Në tavanin e pavionit serb, vërtitet një gur mulliri, që përfaqëson elementin bazë të jetës dhe ushqimit të këtij vendi, ndërkohë që ideatorët e eksponateve në pavionin e Malit të Zi, një vend malor e blegtoral, janë kujdesur të evidentojnë prodhimin e leshit, si produktin identifikues.
Në pavionin e Maltës të tërheq shumllojshmëria e prezantimit të mjaltit, që targon këtë vend, ndërkohë që përmes një materiali filmik të pasur e të prezantuar në formatin 4d, Egjipti, përcjell historinë e tij të lashtë të konkretizuar edhe në punimet artizanale.
Laosi, Kamboxhia, Vietnami, Angola, Sao Tome e Principe, etj, vende të tjera të vogla, prezantohen së bashku në aksin kryesor të Panairit, me pavione të mëdhenj, plot shkëlqim e me një material të pasur. Pavarësisht, potencës dhe peshës që kanë në realitetin aktual, ato këtu shfaqen ndryshe, duke sfiduar mjaft vende të mëdha e të fuqishme ekonomikisht e duke qëndruar në krah dhe përballë Gjermanisë, Japonisë, Brazilit, Italisë, SHBA, Spanjës etj etj.
Sipas organizatorëve, vëmendja dhe rëndësia që këto vende i kishin dhënë këtij aktiviteti, tejkalonte mundësitë dhe fuqinë e përfaqësimit. Por, gjithsesi...ato kërkonin të flisnin dhe folën....
Për të hyrë në pavionet e Ekspo Milano 2015, duhej të prisje në rradhë për periudha të ndryshme kohore. Interesimi i madh, për këtë aktivitet, bënte që fluksi i vizitorëve të ishte çdo ditë tepër i lartë. Duhej të humbisje orë të tëra në rradhë, aq sa, megjithë përpjekje, në harkun kohor të një dite, nga mëngjesi në darkë, nuk mund të vizitoje më shumë se 3-4 pavione.
Ishte fat, nëse do të prisje vetëm një orë në rradhë, ndërkohë që në pavione të vendeve të tilla si, Japonia, ajo arrinte në limite të pabesueshme, nga 4.5 orë deri në 6 orë. Shumë e shumë vizitorë, shkonin në Ekspo prej mëngjesit të hershëm, për të hyrë në këtë pavion diku nga dreka. Ishte kjo arsyeja, që nuk pata mundësi të vizitoja këtë pavion, që, sipas organizatorëve, përfaqëson nivelin tepër të lartë të teknologjisë së këtij vendi në agroindustri..
-Pavioni i Shqipërisë, ose mesazhi për ushqimin dhe historinë-
Pavioni shqiptar është konceptuar në dy kate, që përfaqësojnë dy seksione respektive. Rezarta, një vajzë e re që jeton në Itali, prezanton për vizitorët idenë dhe mesazhet që përcjell pavioni, materialet e vendosura në të, që "udhëhiqen" nga një mulli statik uji, me të cilin përballesh qysh në hyrje. "Energjia dhe ushqimi", mesazhi që përcjell pavioni, përfaqësohen nga ky mulli dhe raporti që ai krijon me elementët e tjerë", thotë ajo.
Rezarta shton se, vizitorët, që janë të shumtë, pëlqejnë idenë dhe mesazhet që përmban pavioni dhe që perceptohen fare qartë. Disa monitorë të vendosur në muret e një hapësire modeste në katin e parë, përcjellin elementë dhe segmente të historisë dhe realitetit shqiptar, ndërkohë që një monitor tjetër, me përmasa më të mëdha në katin e dytë, në një hapësirë edhe më të ngushtë se ajo e katit të parë, shfaq një dokumentar për vlerat kulturore, natyrore dhe historike të vendit, në funksion të turizmit. Përpara nesh, dy gazetarë të Rai-t, vizituan me interes materialin e ekspozuar, duke lënë edhe një shënim në librin që është vendosur në hyrje.
-Arditi, studenti nga Shqipëria, që punon në këtë Panair-
Ardit Agolli, një i ri 27 vjeçar nga Lushnja, jeton e punon prej 9 vjetësh në Perugia. Ai studion për Komunikim Ndërkombëtar dhe Publicitar në universitetin e qytetit ku ka zgjedhur të jetojë, por gjendet prej muajsh në mjediset e Ekspo Milano 2015, për shkak të punës që bën, krahas studimeve. "Për të mundësuar studimet unë punoj dhe kompania ku bëj pjesë, më ka sjellë këtu", thotë Agolli. Ai është punonjës salle në një lokal tepër të njohur në mjediset e Panairit, që ofron për klientët kuzhinën italiane. "Panairi përcjell mesazhin e përpjejeve që duhet të bëjmë për t'i paraprirë zhvillimit në produktet ushqimore, në ushqim, si baza e energjisë që çon botën përpara", thotë Agolli. Ai shprehet se edhe menyja që ofrohet në këtë lokal, përcjell këtë tendencë. 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Flota ruse zbarkon në Mesdhe, fregata 'Neustrashimy' pritet të mbërrijë nesër në kanalin siçilian