Ndërsa vera po afrohet dhe gjithnjë e më shumë turistë kërkojnë të shmangin destinacionet e mbipopulluara, media britanike Express ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që duhen zbuluar këtë sezon. Në artikull flitet për destinacione europiane që ofrojnë qetësi dhe bukuri natyrore, pa rrëmujën e zakonshme të plazheve të famshme.
Në këtë listë, vëmendja shkon te bregdeti shqiptar, ku përmenden veçanërisht Ksamili dhe Porto Palermo. Ksamili përshkruhet si një nga zonat më të bukura, me ujëra turkuaz dhe rërë të bardhë, që shpesh krahasohet me “Maldivet e Europës”. Edhe pse po bëhet gjithnjë e më popullor, artikulli thekson se ka ende hapësira që mbeten më pak të frekuentuara nga turistët.
Ndërkohë, për ata që kërkojnë diçka edhe më të qetë, rekomandohet Porto Palermo me një gadishull karakteristik dhe kështjellën historike të Ali Pashës. Zona vlerësohet për atmosferën e saj të qetë dhe për faktin që nuk është prekur ende nga turizmi masiv.
Shqipëria përmendet në këtë listë krah destinacioneve si La Gomera në Ishujt Kanarie dhe rajoni i Alentejos në Portugali, si një alternativë për pushime verore më të relaksuara. Artikulli nënvizon se gjithnjë e më shumë turistë po largohen nga “hotspotet” klasike dhe po kërkojnë vende më autentike — dhe pikërisht këtu hyn edhe bregdeti shqiptar.
Komente










