Pasditet e mia janë shumë të thjeshta e të bukura njëherësh. Pasi kthehem nga puna, e gjithë pasditja është në funksion të dy vajzave të mia, ku bën pjesë edhe shëtitja e përditshme. I tillë ishte itinerari edhe dje. 

Ndërsa dilja me vajzën e madhe përdore dhe të voglën në karrocë, para nesh u gjend një pitbull gjigant i cili hidhej sa gjerë- gjatë për t' u shpëtuar zinxhirëve të t'zot.
 
Ky i fundit ishte një djalosh rreth të njëzetave muskuloz e me tatuazhe, i veshur me rroba të shtrenjta.  Mblodha veten nga tronditja dhe i them me mirësjellje "të lutem mund ta mbash qenin pak më tutje, se fëmijët....”

Dhe aty u shpalos fjalori tipik prej adoleshenti të kohëve moderne "..., ku ta mbaj kalaqafë?", - tha (pjesën e para të fjalisë nuk ma lejon etika ta shkruaj). 

Përgjigja e tij më vrau më shumë se sytë e egër të pitbullit. M'u errën sytë jo më nga frika e qenit sepse tashmë e kisha marrë situatën në dorë, por nga ky djalosh, i cili, - intuita më thotë që është djali i ndonjë familjeje të kamur e ndoshta edhe me pozita, e cila me siguri që nuk është edhe aq krenare për bishën që ka rritur.
 
Dhe këtu nuk e kam fjalën për qenin…
Eca drejt shtëpisë time në zonën e Brrylit pranë Maternitetit të ri, aty ku rreth 2 muaj më parë një fëmijë u sulmua po nga një pitbull. Ngjarja përfundoi me konflikt deri në plagosje, por unë thjesht doja t'ia mbathja, aty ku ndihesha më e sigurt; në shtëpi...

Më shumë sesa kafshët e padisiplinuara mendoj se shoqërinë tonë po e vrasin njerëzit e tillë. Dhe, më besoni: Ata janë më të rrezikshëm, për sa kohë kanë më shumë në dorë se kafshët...

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)