(Vijon nga numri i kaluar. Pjesa e parë e kësaj eseje u botua në suplementin rilindasi në numrin e të dielës së Shqiptarja.com)
II
Si folëm gjer tani për lidhjen miqësore Casseres – Konica dhe farsën e tyre rinore ndaj Apolinerit, le të shohim nga afër jetën dhe veprën e Benjamin de Casseres për të dalë në idenë që parashtruam në titullin e kësaj eseje. Lypset të themi që në fillim se njëshja/dyshja Konica – Casseres kishin mjaft gjëra të përbashkëta: ishin vërsnikë në moshë, duhanxhinj të mëdhenj, shijues pijesh të veçanta; ishin "de bons vivants" - sipas shprehjes së Sherif Delvinës ose ndryshe në shqip "shijues të artit të të jetuarit"; ishin publicistë që në moshë të re, eruditë autodidaktë, njohës të shumë gjuhëve; kishin shije të hollë për letrat, artin dhe kulturën në përgjithësi, të prirë drejt së rejë, modernes dhe penë të fuqishme për ta shprehur; kishin një rreth të gjerë miqsh dhe bënin përgjithësisht jetë të rregullt (po ku nuk mungonin ndoca hope origjinaliteti dhe, pse jo, "ekstravagance" rinore!); dhe më në fund, do ndodhte që, që të dy, të vdisnin në gjumë.
Individualist gjer në narcisizëm, Benjamin de Casseres e konsideronte "egon" si etalonin e tërë vlerave, duke i besuar madhështisë dhe hyjnizimit të Njeriut, në antitezë me idenë e masës, me opinionin publik, me Kishën apo Shtetin. "Çdo njeri ka program të vetvetes dhe për vetveten", shprehej ai, duke u shfaqur kështu si një luftëtar i përjetshëm kundër moralizimeve, koncepteve dhe gjykimeve të standardizuara.
"Të jesh individualist, do të thotë të kultivosh personalitetin tënd, autonominë tënde, egoizmin tënd"; dhe kjo, nëpërmjet tri gjërave të pashkatërrueshme: Fuqia, si sinonim i Vullnetit; Ngadhënjimi i vetvetes; dhe më në fund Bukuria dhe Gëzimi i jetës. "I barabartë, në mos më i miri shkrimtar publicist i kohës së vet", ai publikoi artikuj në gati tërë organet e shtypit të Nju Jorkut, Bostonit, Çikagos, Los Anxhelosit, Filadelfias, San Franciskos, Uashingtonit, etj. Botoi mbi 40 vëllime me shkrime, ese dhe drama plot fiksione, aventura mërgimesh, anatemash, me kritikë të fortë e litani mohimesh, duke u shfaqur në këtë mënyrë si një pamfletist klasi të lartë. Më 1899, Neë York Times do shkruante për të: "Ka shumë kritikë, por ka vetëm një Benjamin de Casseres". Ishte spontan në shkrimet e veta, të mbushura me epigrame nga më të mahnitshmet, një amerikan i stilit à la Rochefoucauld apo à la Lichtenberg.
Me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij, gazeta franceze l'Unique do shkruante më 8 mars 1946: "De Casseres – ja një nga mendjet më të çuditshme e më origjinale të SHBA-ve, mendje e dimensionit të katërt, individualist i papendueshëm, kundërshtar i tërë idealizmave, të cilat i quante gënjeshtra".
Studiuesi C.Cestre, profesor në Sorbonë, nëpërmjet artikujve të tij e paraqet Casseres-in si një "penë e lirshme kritike", "shkatërruese, utopike e profetike" njëherësh, me një "asketizëm puritan", si një kritik e individualitet që reagon me forcë ndaj individualiteteve të tjera të artit dhe letërsisë klasike e moderne, nga ajo franceze, te ajo angleze e amerikane. Shumë shkrime të tij janë refleksione për mori figurash madhore, në veçanti për Verlaine, Rosetti, Baudelaire, Ëilde, Mary Magdalena, Balzac, Flaubert, Rimbaud, Ibsen, Ëagner, Voltaire, Jules de Gaultier, Spinoza, Niçe, Shopenhauer, Emerson, Sofokliu, B. Shoë, Poe, Ëhitman, mbreti David, etj. etj. Por nga ana tjetër, ai vetë është i admiruari i veçantë i bashkëkohësve të tij: Xh. London, Clarc Ashton, Smith, R. de Gourmont, Mencken, Huncker, Thomas Hardy, Charles Fort, e kështu me radhë.
E kanë cilësuar Casseres-in si Bodëlerin amerikan që "më shumë sukses do kishte pasur në Europë se në Amerikë"; kanë thënë për të se i parapriu kohës duke shkruar për të pastajmen, me një finesë e pasuri sa pasiononte aq edhe sensuale, tipare këto të një gjeniu të vërtetë. Ishte një "avangardist i frikshëm", aq sa nuk i botoheshin librat nga botuesit amerikanë. Vetë ai e shpall veten platonist, ndërkohë që karakterizohet nga breshëri idesh e mendimesh të shpejta falë një automatizmi a shkrimi të rrëmbyer e të hopuar, plot prerje e ndërprerje, plot humor e satirë.
Radikal i lindur, studiues i shquar arti dhe njëkohësisht njohës i kulturës azteke, ishte një figurë e përplotë poliedrike: shkrimtar e gazetar, kritik e eseist, poet e editorialist. Mbi të gjitha, ishte kundërshtar i shpallur i komunizmit dhe i çdo ndërhyrjeje amerikane në konfliktet botërore. Dhe, meqenëqë kishte botuar artikuj edhe në shtypin anarkist e socialist të kohës, nuk kishin munguar ta cilësonin atë si një "anarkist e socialist".
Në një gabim të tillë do binin më pas edhe ndoca studiues të veprës së Konicës kur do e shihnin këtë të botonte për shembull artikullin e tij të parë më 1895 Shqipëria dhe turqit në organin e majtë parisian La Libre Parole, apo kur mund të ishte përfolur se Konica mbante lidhje me shkencëtarin Elysée Reclus, cilësuar ky si anarkist e socialist (me të cilin ai botoi një nga kryeveprat e tij Hartën e parë të Shqipërisë etnike - 1901). Apo, siç do ndodhte vite më pas (në vitet 20-30) kur Konica u shpreh për socializmin, apo kur u përfol se kishte miqësi me një anarkist (me Casseres-in), por pa i ditur as emrin këtij të fundit.
Jo, Konica ishte dhe mbeti një përfaqësues i denjë i klasës së tij (nuk e ndau nga emri titullin "beg"), ishte përfaqësues i së djathtës së moderuar shqiptare, Rilindës i emancipuar dhe i evropianizuar, Aristokratik në plot kuptimin e fjalës, sa fisnik, aq edhe elegant, shijehollë e mendjendritur. Por kjo çështje do të jetë objekt i një studimi tonë të ardhshëm.
Dihet se në kapërcyell të shekujve XIX – XX, si socializmi, si anarkizmi ishin rryma socio-filozofike në modë, dhe të ishe anarkist apo socialist, por edhe "revolucionar", do të thoshte - pa qenë i lidhur me ideologji të caktuar -, të ishe thjesht kundërshtar i konservatores, një prishës a plëngprishës, një turbullues që kërkon ndryshimin, të renë, përmbysjen; veçse, njerëz të tillë doemos që shiheshin "me vese", të papastër, shthuranakë, "çuditës", njerëz që hutonin sidomos fanatikët e konservatorët. Këtyre epiteteve nuk do t'i shpëtonte as Casseres, i cilësuar si "anarkist individualist" kur në fakt për idhull e "kumbar shpirtëror" ai kishte filozofin Niçe.
Por duke iu shmangur këtu rrymave socio-filozofike, le të përqendrohemi tek avangardistët modernë të fillim-shekullit XX kryesisht në Amerikë, në fushat e letërsisë dhe artit, kur kërkonin shtigjet e reja që do çonin natyrshëm drejt simbolizmit të Apolinerit, drejt vlerave dhe estetikës artistike, letrare e kulturore europiane të viteve 1910-1920. Është e njohur se, gjer në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX, sidomos në kontinentin e ri vazhdonte - disi e zbutur - fryma konservatore tradicionale, ndërkohë që idetë e reja ishin pothuaj të papranueshme, duke u cilësuar madje anarkike. Më 1903, Alfred Stieglitz boton revistën e tij Camera Ëork, që do të bëjë epokë gjer më 1917 dhe do të çelë rrugën drejt modernitetit estetik amerikan.
Fotografitë që botoheshin në të ishin të një cilësie jashtëzakonisht të lartë, me vlera të mirëfillta artistike në bardhë e zi. Fotografia mori në këtë revistë vlerën e mirëfilltë të artit, fitoi statusin artistik. Shumë shpejt, revista do botonte edhe riprodhime të artit modern, si ato të Rodin e Matisse para se vetë këta të bëheshin të njohur publikisht në arenën ndërkombëtare. Ndër bashkëpunëtorët e parë të revistës do të shfaqeshin Huncker, Casseres dhe i famshmi Marius de Zayas, promotori i ardhshëm i artit modern amerikan. Më 1903-1910, Benjamin De Casseres boton në këtë revistë mjaft shkrime, ku shfaq vlerat e individualiteteve letrare e artistike (Emerson the Individualist dhe Other Art, ndër të tjera), duke çelur kështu shtegun drejt vlerave të reja estetike.
E megjithatë, gjatë kësaj periudhe nuk shohim ende të përmenden emrat e figurave moderne europiane, kur në fakt, Apolineri me shokë ishin ende në organizim e sipër të lëvizjes së tyre letraro-artistike që do të merrte emrin "simbolizëm" në bazë të propozimit që ishte bërë në fund të shekullit XIX nga shqiptari Jean Moreas apo Jani Morea! Në janar 1910, nr. 29 i Camera Ëork boton katër karikaturat e meksikanit Marius de Zayas dhe shkrimin domethënës të Casseres-it Karikatura e Nju Jorkut. Po ashtu, çelet edhe ekspozita me 25 punime të Zayas në "Galerinë e artit 291" të Stieglitz.
Që këtej nis reforma e dytë e revistës së tij lidhur me pikturat, vizatimet, riprodhimet dhe shkrimet me estetikë moderne, duke guxuar të goditet tradicionalja konservatore. Casseres del në tetor 1910 (Camera Ëork nr. 32) me esenë bombë për artin modern: "Mbi dekadencën dhe mediokritetin". Dhe vetëm në janar 1912, për herë të parë, Casseres boton për simbolizmin shkrimin: "Essays in symbolisme subjektive". Ndërkohë që Farsa që sapo trajtuam, do fillojë me letrën e parë Konica-Casseres drejtuar Apolinerit pas 4 muajsh, më 1 maj 1912.
Kështu, duke përmbledhur sa më sipër, dhe duke parë intensitetin e veprimtarive për një art e letërsi amerikane ndryshe, por me model europian, kemi të drejtë të themi se lidhja Casseres - Konica, ka filluar që gjatë viteve të famshme të Havardit të Konicës (1910-1911), ndërkohë që Casseres kishte bërë sakaq edhe një udhëtim të shpejtë në Europë më 1910, aq sa të nuhaste atje artin e ri kubist që po lindte dhe artin e mirëfilltë afrikan. Shohim pra dyshen tonë Casseres-Konica, njëri me origjinë hebraiko-spanjolle, tjetri me origjinë shqiptare në miqësi të ngushtë, po edhe në rreth të gjerë miqsh e intelektualësh amerikanë, gjë që do të vazhdojë gjer në shkurt 1913.
Rrethanat si janë njohur Konica-Casseres janë ende të panjohura, por vitet e Havardit dhe mjedisi amerikan i Letrave e i Artit, poliglotizmi e erudicioni doemos e favorizonin një njohje e miqësi të tillë të ngushtë. Ndoshta ata janë njohur në ndonjë aktivitet artistik, kur e dimë që Konica ishte frekuentues i rregullt i Artit të Madh, i ekspozitave e i koncerteve simfonike.
Benjamin de Casseres me bashkëshorten
Ndoshta nëpërmjet revistës Camara Ëork, siç ndodhi njohja e Konicës me Apolinerin nëpërmjet revistës l'Européen në shtator 1903. Sidoqoftë, nisur nga përvoja e tyre e pasur në fushën e publicistikës, letrave dhe artit avangardist, ata kishin ç't'i përcillnin shoshoqit.
Sidomos Konica, që kishte njohur nga afër mjedisin europian modern, që kishte marrë pjesë edhe vetë me shkrime e botime shijeholla që e vendosnin atë në pararojë të intelektualitetit europian (sidomos dy librat e tij Mbi Edukimin dhe Ese mbi gjuhët e gjalla...) dhe që kishte bashkëpunuar me Apolinerin e Remy de Gourmont në revistat e tyre le Festin d'Esope dhe Mercure de France. Lidhja e tyre nuk ishte për të pirë thjesht një kafe turke, apo për të rrëkëllyer një ëhiski, por ishte lidhje miqësore për këmbim idesh dhe erudicioni, e pse jo, edhe për "aventura extra-artistike" të tipit të mësipërm. Dhe për shqiptarin, "Farsa" apo "Lojnia" Konica-Casseres-Apoliner që shtjelluam më sipër do pasonte menjëherë xhonglimin publicistik Konica-Aladro Kastrioti (në vitet 1909-1911) me romanet ende të panjohura për publikun Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka.
Mund të shtrohet pyetja, qoftë edhe me skepticizmin më të skajshëm: si ka mundësi që tërë këto kanë mbetur gjer sot në hije, në heshtje, si nuk janë përmendur kurrkund?
E vërteta është se gjurmët e gjithçkaje intriguese koniciane, plot mistere e të papritura, janë të stampuara e hallakatura në dokumente e shkrime, në alegoritë e tij, në marrëdhëniet dhe qëndrimet "e çuditshme" ndaj figurash e ngjarjesh të caktuara, ku duhet qëmtuar me imtësi e gjykuar me ftohtësi.
Sepse Konica, që nga ajsbergu i tij eruditiv, me dritë-hijet e veta, të xhonglonte intelektualisht, të vinte dhe të luante në majë të gishtave, siç thotë populli. Por e vërteta e thjeshtë është se në mjediset e larta intelektuale, qoftë të Europës, qoftë të Amerikës, qoftë mes bashkëpatriotësh, Konica impononte kudo personalitet në shkallë të epërme, dinjitet e respekt, mbi të gjitha si politikan, diplomat dhe burrë shteti i veçantë, deri aty sa Apolineri e pat thënë hapur e publikisht që më 1906: "Nëse Shqipëria do të ishte shtet, ai do të ishte padyshim kryeministri i saj".
Pra, vetë qarqet e larta intelektuale, apo ajka e intelektualitetit euro-atlantik e ruante atë, do guxonim të thoshim, mbante qëndrime serioze ndaj tij për të mos e "kompromentuar" në asgjë.
Pas vitit 1913, dhe gjatë viteve të luftës së parë botërore, gjithçka do fillojë të ndryshojë, dhe dyshja Konica-Casseres do shpërbëhet përkohësisht, secili në udhë të vet: Konica në Europë thellon veprimtarinë e tij patriotike, në mbrojtje të fateve të Shqipërisë, Casseres, falë shtigjeve që i ka çelur edhe Konica, intensifikon lidhjet e tij me avangardistët modernë, kryesisht me Remy de Gourmont nëpërmjet Mercure de France, teksa Camara Ëork dhe Galeria e Artit modern, Avenue 5 Neë York, zë të shfaqë vepra të Pikasos, Braque, Francis Picabia, Kandinsky, Laurvuk, Cezanne, Van Ghog, Brancusi, Rivera, etj. Casseres thellon nocionin e "bovarizmit" të Jules de Gaultier, si nocion çelës i kritikës letrare dhe psikopatologjisë, nocion i përcjellë më parë në Amerikë nga James G. Huncker, mik i ngushtë i De Casseres-it. Më 13 mars 1915, në kronikën "Një amerikan na shkruan", Remy de Gourmont prezanton De Casseres-in te publiku intelektual francez, kur shënon: "Benjamin de Casseres – shkrimtari më i vrullshëm, më i pavarur, por shpesh, më paradoksali dhe ndonjëherë më poetikisht i errëti që kam njohur". De Casseres nis kështu të përkthehet në Francë.
Më 1919, ai martohet me bukuroshen Adèle Mary Jones (Bio Terrill – ndarë nga i shoqi i parë), dhe në vitet 20, pas luftës, ai do takohet në Amerikë me Konicën, me mikun e tij të hershëm shqiptar. Kjo dëshmohet tërthorazi jo vetëm nga pohime gojore ish-vatranësh, por edhe kur Konica boton më 1922 një nga kryeveprat e tij "Katër pralla nga Zullulandi", tek përmend emrin Adela, kur shkruan këto vargje "simbolisto-erotike" në frëngjisht: "Adèle, / T'es belle! / J'aime tes gros nichons, / Folishon! / T'es ronde, / T'es blonde". Përkthimi ynë i lirshëm, siç do apo nuk do t'i pëlqente Konicës: Adelë, e bukur je, / Cicat e mëdha m’i ke, / Cicat e tua dua / E azdisur ç'më je / Topolake ç’më je, / Leshrat e verdhë ç’m’i ke.
Mund të mendohet këtu se kemi të bëjmë me një rastësi në përdorim emrash të përveçëm, veçse, nga studimi ynë i gjertanishëm, na del se rrallë ka gjëra të rastësishme nën penën e Konicës. Madje edhe një nga zogjtë e tij që e quante Fritz dhe për të cilin flet në letrat dërguar Apolinerit, Konica e bën apolineriançe, toger Frtiz, që do të jetë një nga personazhet kryesorë të romanit Martesa e Lejlës.
Në përfundim mund të themi se përtej çdo lloj çudie, fantazie, ekscentrizmi që mund të keqinterpretohet nga ky studim - por që e tejkalon figurën e gdhendur në mendjen tonë të rilindësit klasik shqiptar prirë drejt romantizmit idealizues të përparuar -, te figura e Faik Fisnik Konicës gjejmë përherë mendjen e ndritur si askush, të prirë drejt modernes së përparuar, drejt Perëndimit të avancuar, ashtu, i pakapshëm siç ishte në kohë, hapësirë e ide, pa profetë e dogma.
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)