Fairuz

Fairuz

Në avionin që nuk donte të nisej pasagjerët dukeshin të gjithë të qetë. Mbizotëronte një ndjesi pritjeje. Ka pritje të shumëllojshme në jetë. Pritje të lindë fëmija. Të lindë fëmija e parë. Pritje të mbarojë shkolla. Pritje të fillojë shkolla. Pritje takimi. Pritje pune. Pritje për hir të pritjes. Pritje pakuptim. Pritje me kuptim.

Pritja për nisjen e avionit diku mes këtyre pritjeve duhet të gjejë diku vendin e saj.

Ulur në sedilje, me rripin shtrënguar, pa qenë ende e nevojshme, madje përpara se stjuardesa të bëjë demonstrimet e rastit pres të niset avioni i linjës Swiss Air, nga Brukseli drejt Vienës. Sedilja pranë meje është e zbrazët. Nuk e duroj dot zbrazëtinë. Hedh vështrimin herë pas here drejt boshllëkut që shkakton mungesa e pranisë së një trupi dhe pres. Pasagjeri duhej të ishte aty prej kohësh.

Një burrë me asnjë tipar të spikatur ulet në sediljen ngjitur me timen. Përjashta vazhdon të bjerë një shi i përzierë me një fjollë dëbore që ndonëse nuk duket të jetë e trashë, bie me aq ngulm saqë krahët e avionit duhet të pastrohen vazhdimisht.

-Defrosting, më drejtohet ai dhe unë sikur zgjohem nga gjumi.

-Më falni, si thatë?

-Kështu quhet tani procesi që përdoret për të shpëlarë, si të thuash krahët e avionit nga ngrica që krijohet nga dëbora që bie pareshtur.

-Ah, po. Domethënë, nuk e dija. Më falni, që dërdëllis si pa kuptim, por kam frikë nga avioni. Me një fjalë nga fluturimi.

-E kuptova- më tha dhe burri dhe buzëqeshi.

Isha gati t’i thoja “më fal, por përse buzëqesh”. E përmbajta veten dhe sytë i ngula tek shpinorja e sediljes mu përpara hundës sime. Aq afër janë ato sedilje, sa të duket sikur do t’i puthësh.

-Fluturoni shpesh?

-Jo edhe aq. Por kur udhëtoj zakonisht janë shumë pak ditë dhe kam frikë nga aeroplani.

-Nga fluturimi, doni të thoni.

-Të mos i hyjmë semantikës. Po, kam jashtëzakonisht frikë nga fluturimi- iu përgjigja bashkudhëtarit me takt. Do të kisha dashur t’i thoja në gjuhën shqipe “më shkojnë shtatë në qase”, por meqenëse nuk mund ta perifrazoja në gjuhë të huaj, hoqa dorë nga ideja. Më duhet të shtoj që shprehjet të cilave nuk ua di saktë kuptimin nuk i përdor vend e pavend, sidomos me të panjohur.

Frika më kishte mbështjellë, ashtu siç mbështjellë me qese ambalazhi një objekt me vlerë të rrallë, të cilin, dmth objektin duam të transportojmë në distanca të largëta.

Përse pasagjerët që udhëtojnë në trena, apo me makina i quajmë udhëtarë, ndërsa ata që hipin nëpër avionë i quajmë pasagjerë. Përse nuk i quajmë fluturues, së paku për një farë analogjie dhe për koherencë.

-          Mos kini frikë- më drejtohet sërish bashkudhëtari dhe më zgjat një kartëvizitë. Në të njëjtin moment avioni bën lëvizjen tipike që tregon se piloti ka marrë “leje” për fluturim. Automatikisht kartëvizitën e fus në xhepin e çantës që e kam tek këmbët.

Bashkudhëtari vë buzën në gaz. Çudi me disa njerëz, u mbetet buza në gaz. Ja sërish një batutë që dikush që nuk e di se fjala gaz vjen nga “gazmendi” dmth gëzimi mund ta ngatërrojë fare mirë me konceptin e benzinës apo naftës dhe ta lidhë me furnizimin e këtij zogu gjigant që do ta na çojë në destinacionin drejt së cilit kemi prerë biletën.

Kthej kokën nga burri dhe me siguri në sytë e mi, pak nga frika dhe pak nga injoranca që shoqëron moshën e papjekurisë ai lexon një shpoti, apo pyetje.

-Qesha, sepse ju as nuk e lexuat kartëvizitën time. E futët në çantë pa e parë.

Tavani i avionit mu ngushtua edhe më shumë.

-Ju kërkoj ndjesë- nisa t’i thoja dhe nisa të rrëmoj në xhepin e çantës, e cila ishte bërë ose më e madhe, ose kishte humbur xhepin. Pas disa minutash kërkimi në bosh, ula kokën dhe nga xhepi i çantës zbardhte kartëvizita. E nxora dhe lexova informacionin që përmbante ajo. Samir el Ghanem. Përfaqësues I Swiss Air për Lindjen e Mesme. Zyra e Libanit.

Turpi është një ndjenjë që secili e ndjen ndryshe. Disa prej nesh edhe për gjëra që me siguri askush nuk do të kishte turp. Ndjeva një të nxehtë të më kapte trupin, përveç “qeses” që më kishte ardhur tani deri në fyt.

-Ju kërkoj ndjesë…

-Oh, të lutem. Mos më kërko më ndjesë, është e dyta herë brenda dy minutash që kërkon ndjesë. Të kuptoj fare mirë.

Avioni tashmë ishte në udhën e tij  (në fakt udha duhej të lidhej me tokën dhe jo me qiellin) dhe nuk donte t’ia dinte aspak për frikën time.

Me Samirin folëm për aq shumë gjëra gjatë atij fluturimi, nga ato që nuk i mban më mend sapo ke shkelur në tokë. Folëm për konferencën e donatorëve në Bruksel, ku unë kisha shkuar të përktheja për institucionin ku punoja. Folëm për Libanin. Për prindërit e mi. Për Egjiptin. Për Kajron. Për Bejrutin. Për Universitetin Mesdhetar të Bejrutit ku kishin studjuar disa shokë të mi. Për muzikën. Për Fajruzin.

-Ti e njeh Fajruzin, - më pyeti ai sikur t’i kisha thënë se njihja të motrën.

Bisedat mes të panjohurve, në udhë të panjohura, kur fatin tënd e ka në dorë tjetërkush, merr dimensione fantastike. Diçka mes reales dhe ireales. Si një batutë e shkëputur nga një film. Madje nga ata filmat që shpesh të hedhin me këmbë në tokë. Si tek “Emblema e dikurshme”, kur faturinoja flet me megafon dhe thotë: Ju kujtojmë plackat”. Bagazhi nuk tingëllon kurrë aq shëmtuar.

Fajruzi është për libanezët si Om Kolthoumi për egjiptianët, si Vaçja për brezat që lindën përpara vitit 90. Folëm aq shumë për gjithçka që nuk dinim me saktësi, saqë avioni kishte ndaluar dhe nga barku i tij po zbrazeshin të gjithë pasagjerët. Ata që kishin pasur frikë. Dhe ata që nuk kishin pasur frikë. Njësoj.

U ndamë me Samirin. Nuk harrova t’i jepja kartëvizitën time. Ende nuk kishin gëluar rrjetet sociale dhe telefoni celular ende nuk ishte kthyer në gjymtyrë. Madje në vitin 1998 ende nuk e disponoja një të tillë.

Kthimi në Tiranë ma zbehu bisedën me Samirin. Madje mund të them se nuk mbaja mend ndonjë gjë specifike që mund ta ndaja me shoqet e mia. Askujt nuk i interesonte Libani. Bejruti. Fajruzin nuk e njihnin.

Telefoni i zyrës tringëlloi ashtu siç binte kur telefononte dikush nga brenda zyrës.

-Ke një zarf, këtu te dera,- më thotë roja.

Zarf?! Kush mund të më dërgonte letër? nuk e prisja nga askush.

Megjithatë i zbrita shkallët e zyrës me nxitimin e një letre dashurie nga dikush që as në imagjinatë ende nuk është materializuar. Roja më pret tek dera e brendshme dhe me zgjat një zarf me pulla nga një shtet i huaj. Pullat i njoh mirë. Dikur vëllai im i vogël mbante një katalog të tërë me pulla.

Hapa zarfin me nxitim. Brenda tij gjendej një disk. Samiri nga Libani më kishte sjellë Fajruzin.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, parashikimi i motit për këtë javë