Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me "Fake news-in" e mbetjeve toksike, që trazoi politikën shqiptare, pas lajmit te publikuar në disa medie italiane se 1400 konteinerë me mbetje ishin nisur drejt vendit tonë për t'u groposur, lajm për të cilin akuzohet se është i përfshirë Ilir Kulla, këshilltari i presidentit Ilir Meta.

Duke iu drejtuar Metës, Rama e ka quajtur një akt të shëmtuar të paguash para të zeza për të përhapur në botë shpifje që sterosin vendin ku të kanë bërë kryeministër, kryeparlamentar dhe president.

"Çfarë shëmtie! Të paguash para të zeza për të përhapur në botë shpifje që sterrosin vendin ku të kanë bërë kryeministër, kryeparlamentar, president! Të blesh pisa të huaj për ta bërë pis atdheun ku shitesh si patriot i përvëluar", shkruan Rama në "Twitter".

Në qershor prokuroria italiane njoftoi se nga hetimet që ka bërë ka zbuluar se pas skandalit qëndron këshilltari i presidentit Meta. "Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit' të Ilir Metës", kështu deklaroi disa muaj më parë anti-mafia italiane.

Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online "Pianeta Italia News", që prodhoi lajmin e rremë.

Anti-mafia italiane deklaroi më herët se "Ilir Kulla porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare" në mediet e vendit fqinj. Fushata nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare.

Këshilltari i Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja "Pianeta Italia News" botoi lajmin e rremë. Ai mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithçka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:11
Presidenca i përgjigjet Ramës për 'Fake news-in' e mbetjeve: I publikon vetë përmes ish-avokatit në Romë, që të shmangë vëmendjen nga aferat skandaloze

Pas akuzave të kryeministrit Edi Rama kundrejt presidentit Ilir Meta për "Fake news-in" e mbetjeve toksike për 1400 konteinerët që do niseshin drejt vendit tonë për t'u groposur, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga presidenca.

Tedi Blushi, zëdhënësi i Metës, i përgjigjet Ramës duke e akuzuar se "fake-news-in" e ka publikuar vetë kryeministri, sipas tij për të shmangur vëmendjen e publikut për shkeljet që po bëhen.

"Fake News-et që i publikon vetë përmes ish-avokatit në Romë, Profeti i Kokoshkave po i përdor për të shmangur vëmendjen e publikut nga aferat skandaloze të biznesit të ri qindra milion euro të Arbitrazhit Ndërkombëtar, që kërcënojnë seriozisht financat publike dhe taksapaguesit shqiptarë.

Shkelja flagrante e Kushtetutës dhe e ligjeve, për të paguar me lekët e taksapaguesve shqiptarë, biznesin e ri kriminal, përbëjnë përgjegjësi të rëndë penale për çdo zyrtar të shtetit shqiptar.

Profeti i Kokoshkave apo Gruaja e Bilalit ia ka marrë dorën pagesave në të zezë, jo vetëm për një foto elektorale, por në çdo sekondë të mbijetesës së tij në karrigen e pushtetit të blerë me banda dhe lekë të zeza prej katër vitesh.

Asnjë formulë dhe marifet nuk e shpëton nga përgjegjësitë e rënda që ka për kriminalizimin e pushtetit dhe bllokimin e integrimit europian", shkruan Blushi.