Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në një takim ku u prezantua platforma ‘Shkalla e Meritës’, e cila ka si qëllim përmirësimin e punës në administratën publike, për të ndihmuar vendin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se platforma ka si qëllim vendosjen e ‘Meritës’ në administratë, për të garantuar që gjithësecili të vlerësohet sipas punës që bën.

Rama tha se në sistemin e ri Qeveria do të ketë si aleat Inteligjencën Artificiale dhe shtoi se konkurset që do të zhvillohen për një vend pune, do të kenë një nivel të lartë transparence.

“Për të gjithë ata që në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë që duan të bëhen pjesë e administratës, do të duhet ta paraqesin në mënyrë proaktive disponimin e tyre. Të gjithë do të kenë mundësinë që të marrin pjesë në konkurse që do të jenë të një niveli tjetër për nga transparenca. Do të përpiqemi që jo vetëm rekrutimet, por edhe karriera të mbështetet në të dhëna të disponueshme nga shteti shqiptar, përtej raportit të individit me një epror.

E fundit që kam është ajo që ndodh me ekselencën dhe me ata që hyjnë për të bërë një program njohjeje apo për të hedhur një hap drejt administratës, të cilët në shumë raste, pasi iu mbaron viti i punës, mbeten jashtë sistemit dhe përballen me një pamundësi për të vijuar edhe në rastet kur janë shumë të mirë. Kjo duhet parë me kujdes, që të mos kemi një ndërprerje brutale të marrëdhënies, në pikën që shumëkush pastaj nis e krijon idera në kohë si ‘kjo ndodhi si rezultat që nuk kisha mik’.

Shkalla e Meritës është një tjetër komponent i një sistemi të ri ku ne do të kemi aleat inteligjencën artificiale dhe ku përmes saj do të mund të bëjmë shumë më tepër në funksion të transparencës dhe mbledhjes së të dhënave të proceseve që na japin të kuptojmë ekzaktësisht që deri ku ne arrijmë qoftë në thellësinë e informimit të njerëzve të interesuar për t’u bërë pjesë e administratës, qoftë edhe në garancitë për secilin që përpjekja për t’u bërë pjesë e administratës është e bazuar mbi meritën”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

Kryeministri Rama: Javën e ardhshme do të krijojmë Ministrinë e Administratës Publike, do të drejtohet nga Adea Pirdeni