TIRANE - Universitetet që i shpëtuan sitës së kontrollit të Ministrisë së Arsimit, do t’i nënshtrohen në fund të këtij viti një skaneri tjetër nga një agjenci e huaj për akreditimin e tyre. I pranishëm në një takim të nivelit të lartë, të organizuar nga Ministria e Arsimit me ekspertë dhe përfaqësues të Bankës Botërore, kryeministri i vendit Edi Rama, paralajmëroi se situata nuk është më pozitive as në universitetet publike, që njësoj si privatët duhet të kalojnë këtë provë cilësie për të mos kyçur auditoret. I vendosur që të mos lejojë më lëshimin e diplomave që nuk sjellin punësim, kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi Bankës Botërore e dhe institucioneve ndërkombëtare, mbështetje financiare për edukimin, duke e konsideruar atë si fushën më prioritare në vend.

Duke u ndalur tek rëndësia e realizimit të reformës në arsim, kreu i qeverisë u ndal edhe tek problematikat që shfaq aktualisht sistemi arsimor në vend.
 
“Situata në arsim është dramatike. Arsimit i kishte humbur busulla. Shkollat shfaqin mungesë tërësore standardes, duhej reformë rrënjësore në arsim. Ka probleme që nga kopshtet që janë të mbipopulluara, në shkolla e deri të universitetet. Jemi në një fazë transformimi edhe të arsimi i mesëm dhe matura Shtetërore. Kemi filluar të pilotojmë disa projekte, duke përfshirë kompani të mëdha ndërkombëtare. Duhet të krijohet një sistem logjik në sistemin e arsimit. Ka nisur puna me dokumentet, përfshirë edhe kurrikulat. Mbështetja e bankës Botërore është me rëndësi për ne. Ka në një masë 50 % të mësuesve në mbarë vendin që japin mësim në lëndë të ndryshme nga ato në të cilat janë profesionalizuar. Reforma e arsimit të lartë është në proces, ligji për arsimin e lartë do të hyjë këtë vit në diskutimet parlamentare, pasi janë kryer të gjitha hallkat e dëgjesave”, u shpreh Rama.

Drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, Ellen Goldstein, u shpreh se i përkrah reformat në arsim të ndërmarra nga qeveria shqiptare, por solli në vëmendje se theksi duhet vënë tek cilësia.
 
“Banka botërore ka mbështetur Shqipërinë që prej dy dekadash. Shqipëria ka nja sfidë në lidhje me papunësinë; pjesëmarrja në forcat e punës është e ulët dhe kërkesa është shumë e lartë. Ndërsa rezultatet e PISA kanë treguar se mesatarisht një nxënës shqiptar, ka 2 vite arsimim më pak se një bashkëmoshatar i tij në vendet e BE. Për këtë arsye do të doja të shprehja falënderimet e mia më të mëdha në lidhje me Kryeministrin, për faktin që përcaktoi edhe njëherë rëndësinë që ka vetë arsimi në lidhje me punësimin dhe politikat afatgjata të një vendi”, tha Drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, Ellen Goldstein.
 
Duke iu referuar të dhënave të PISA që mat nivelin e dijeve të nxënësve në të gjithë vendet e bashkimit Evropian në matematikë, Lexim dhe Shkenca, vajzat ua kalojnë djemve me 60 pikë në lexim, ekuivalenti me 1.5 vite në arsim. Ndërsa një djalë mesatar në vendet e OECD-së, ia kalon atij shqiptar me 140 pikë, ose me rreth 3.5 vite në arsim.

Rama: Marrëveshje me “Google” për modernizimin në arsim

rama
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në fjalën e tij, theksoi se sistemi arsimor kishte humbur busullën orientiese dhe ne e kemi gjetur busullën me pika të qarta orientimi duke nisur nga themeli. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se puna ka filluar që nga dokumentacioni i kurrikullës e deri tek përmbajtja e mësimdhënies.

Kryeministri Rama, deklaroi se "Mbështetja e Bankës Botërore është e rëndësishme, sepse nga njëra anë ekspertiza na ka dhënë mundësinë t'i shikojmë gjërat saktë, por mbetet e rëndësishme sigurimi i burimeve financiare për të vendosur standardet në realitet. Po bëjmë përpjekje me BB dhe institucione të tjera apo përmes iniciativës për integrimin e Ballkanit Perëndimor me financimet e BE-së për ta përfshirë edhe arsimin në këto paketa".
 
Duke përshkruar panoramën në arsimin shqiptar, kreu i qeverisë theksoi se është trashëguar një situatë që si thelb të saj ka mbipopullimin e ambienteve shkollore që nga kopshtet e deri tek arsimi i mesëm.
 
Kreu i qeverisë, theksoi se si pjesë e reformës do të jetë edhe aplikimi i teknologjisë së lartë në shkollat tona. "Po diskutojmë për marrëveshje me kompani të mëdha si Google, e cila me anë të një marrëveshje që do t'i ofrohet falas Shqipërisë, për të transformuar arsimin edhe nëpërmjet  teknologjisë e konkretisht me anë të tabletave dixhitale", theksoi Rama, i cili shtoi megjithatë që  teknologjia gjithsesi nuk arrin të bëjë gjithçka.
 
"Pjesa tjetër më delikate e reformës ka të bëjë me skanimin e plotë të të gjithë profileve të mësuesve në sistem dhe përputhshmërisë së profileve të tyre me lëndët. Kemi mospërputhje mes profilit të mësuesit dhe lëndës në një masë që shkon në zona të caktuara edhe 50%", deklaroi Kryeministri i Shqipërisë.
 
Ndërkaq, duke folur për arsimin e lartë, Kreu i qeverisë theksoi se shpesh fajet i janë hedhur vetëm financuesve privatë, por në fakt situata është e rëndë edhe në sektorin publik. Konferenca e nivelit të lartë në lidhje me reformën në arsim vazhdon punimet dhe do të mbyllet pas mesditës.
 
Ellen Goldstein: BB do të mbështesë sistemin arsimor në Shqipëri
Banka Botërore do të mbështesë reformën në arsimin shqiptar që ka si synim rritjen e performancës dhe cilësisë. Këtë e ka deklaruar Drejtoresha Rajonale e BB-së, Ellen Goldstein, gjatë Konferencës të nivelit të lartë në lidhje me politikat dhe reformat në sistemin arsimor shqiptar.
 
Drejtoresha rajonale e Bankës Botërore, e cila ka hapur dialogun, ka nxitur një diskutim që do të çojë në zbatimin e një reforme, e cila sipas saj do të nxisë punësimin.
 
 “Arsimi është i lidhur me ekonominë dhe punësimin, dhe BB do të mbështesë sistemin arsimor’, tha Ellen Goldstein, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore.
 
Nikolla: Investimi i hershëm ​në arsim është një arsim solid

nikolla
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë konferencës së nivelit të lartë mbi politikat në reformën e arsimit tha se investimi i hershëm në arsim është një arsim solid.

Sipas saj në arsim është futur një koncept i ri për një shkollë të re të hapur 360 gradë ndaj komuniteti. Më tej Lindita Nikolla ka shtuar se Kurrikula e re e projekton shkollën shqiptare me eksperiencat ndërkombëtare.

Për ministren e Arsimit, sfidë mbetet cilësia e arsimit, në mënyrë që të përshtaten me tregun e punës dhe të sjellin rritjen ekonomike.

Ndërkohë që Nikolla e ka cilësuar si të patolerueshme që të vijohet me gjendjen që kanë gjetur te burimet njerëzore. Sipas saj në shumë shkolla të vendit, kryesisht në ato rurale japin mësim mësues jashtë profilit.

Në mënyrë institucionale ajo shpreh gatishmërinë për të ecur në një rrugë të re rezultatesh, që lidhen me përgatitjen e fëmijëve për të ardhmen.
 
Në këtë konferencë merrnin pjesë edhe drejtues të lartë të institucioneve arsimore e specialistë të sektorit.
 
Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)