‘Faleminderit! Jam i nderuar por nuk mundem tani’. Me këto fjalë Pep Guardiola i është drejtuar Paolo Maldinit, duke refuzuar pozicionin e trajnerit të kombëtares së Italisë, që kërkon të ringrihet pas vitesh errësirë. Drejtori teknik Maldini, këshilltari Leonardo dhe presidenti i federatës Malago vendosën të prisnin Guardiolën, për të cilin fillimisht u tha se kërkonte 20 milionë euro në sezon, duke e bërë të pamundur, por vetë Maldini konfirmoi se ‘kjo tratativë nuk ka qenë kurrë çështje parash’.

Sipas mediave italiane Guardiola me zemër të thyer ka refuzuar mikun e tij Maldini, pasi kërkon që të pushojë dhe të qëndrojë pranë familjes. Prej sezonit 2012-2013 ai ka qenë larg Spanjës dhe të paktën me 1 vit pushim kërkon të rikuperojë kohën e humbur. Guardiola nuk ka dashur kurrë një punë me kohë të pjesshme dhe ka deklaruar ‘se nëse e bëj do t’i dedikohem 100%’.

Maldini kërkon një trajner i cili do të nisë një epokë të re pas 3 Botëroreve ku Italia nuk mori pjesë dhe për këtë arsye, bashkë me Leonardon, kanë deklaruar se projekti me trajnerin e ri ‘do të jetë 8 deri në 10 vjet’.

Pas refuzimit të Guardiolës ata pritet t’i dedikohen 100% pistës Andrea Pirlo, ndërsa një ditë më parë vetë Maldini konfirmoi se kanë folur edhe me Carlo Ancelotti-n, por italiani ka refuzuar të largohet nga Brazili. Pirlo është pista B dhe drejtuesit e rinj të federatës kanë marrë garancinë se nuk do ta braktisë projektin në mes.

Përveç Guardiolës një emër i rëndësishëm që ka reufuzuar rikthimin në kombëtare është Gianluiggi Buffon, ish-kreu i delegacionit të Italisë i cili u largua pasi ‘axurrët’ dështuan të shkojnë në Botëror kundër Bosnje-Hercegovinës. Ish-portierit, ikonë e kombëtares me 176 ndeshje të luajtura dhe një Botëror të fituar, iu ofrua një rol më aktiv, por pasi mori kohë të mendohet i ktheu përgjigjje negative Maldinit dhe Leonardos.