Falja e gjobave, kthimi i patentave dhe automjeteve të sekuestruara gjatë periudhës së pandemisë për shkeljen e masave izoluese mund të cilësohet dhe si taktikë fushate e qeverisë përpara zgjedhjeve të 2021.

Por për kryetaren e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi ato nuk kanë të bëjnë me fushatën elektorale por është një ndihmë e shtetit për individët e prekur si pasojë pandemisë dhe tërmetit të 26 nëntorit.

"Unë do ju them që nuk ka të bëjë me fushatë elektorale. Falja e gjobave për shkak të shkeljeve dhe masa administrative nuk kanë të bëjnë. Është hera e dytë që bëhet. Edhe në prill u bë një gjë e tillë. Kjo është një falje e dytë për të gjithë ata që filluan dhe rregullimet e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Është në vazhdën e të gjitha lehtësirave që u bëhet individëve dhe bizneseve. Është ndihmë e situatës financiare për familjet. Në drejtorinë e tatimeve ka njësi për ndjekjen e ankesave të individëve dhe bizneseve që ankohen se nuk kanë marrë pagat e luftës. Ato janë ndarë" - tha Ekonomi.

Ndërkohë për të dënuarit gjatë kohës së pandemisë për shkeljen e masave, Ekonomi tha se këto u takojnë gjykatës të vendosin. Ajo tha se vendimi i marrë ka të bëjë vetëm me masa administrative, ku përfshihen rreth 7300 persona.

"Janë çështje që i takojnë gjykatës. Mund të ketë një shqyrtim nga ana e gjykatës. Në këtë moment bëhet fjalë vetëm për gjobat administrative. Do kthehen në llogaritë e tyre më 15 nëntor. Nuk bëhet fjalë për 7 muaj por bëhet fjalë nga prilli deri në tetor. Bëhet fjalë përreth 7300 persona. Unë besoj që me faljen e gjobave vjen dhe ndërgjegjësimi i popullatës. Mbajtja e distancimeve fizike, respektimi i vendosjes së maskës. Ky nuk është një çlirim i individëve që nëse vjen një lockdoën tjetër ata të mos e respektojnë" - tha Ekonomi.

Ekonomi shprehet se në shqyrtim për tu falur ose jo, janë dhe masat administrative të vendosura ndaj lokaleve të natës që kanë thyer masat.

"Edhe kjo është përfshirë në kategorinë e shkeljeve dhe përdor atë që quhet për mosmbylljen e lokaleve të natës. Këto janë të gjitha rastet që dihen një e nga një" - tha Ekonomi.

Qeveria vendosi që të falen gjobat, të kthehen makinat dhe patentat e bllokuara. Gjithashtu falen edhe gjobat e vendosura ndaj familjeve të prekura nga 2 tërmetet (21 shtator dhe 26 nëntor 2019)  për shkeljet gjatë kryerjes së punimeve. Bëhet fjalë për gjobat e vendosura nga 17 prilli deri në 7 tetor 2020.

Mësohet se institucionet përkatëse duhet të përgatisin para datës 30 tetor listën e personave që janë ndëshkuar dhe do duhet t'u kalojnë paratë në llogaritë përkatëse jo më larg se data 15 nëntor.