Pas fiks 1 muaj në grevë dhe me kërkesa që deri më tani duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, këtë të enjte minatorët e Spaçit në Mirditë, folën edhe përpara ligjvënësve në komisionet parlamentare.
Në galeritë e minierës që shfrytëzohet nga kompania turke ‘TETE Albania’, ndodh një ‘skllavëri moderne’ tha në Komisionin për Ekonominë dhe Punësimin, kryetari i Konfederatës së Sindikatave Kol Nikollaj.
“Janë 62 punonjës të larguar nga puna. Nëse ai ka probleme me ligjshmërinë e sindikatës i drejtohet gjykatës, nëse ka probleme me ligjshmërinë e grevës i drejtohet gjykatës, janë vetëm organe gjyqësore ato që përcaktojnë ligjshmërinë. I mban në punë 14 orë, 16 orë, 20 orë me radhë. Kjo nuk mund të ndodhë, ky lloj skllavërie moderne nuk mund të ndodhë”, tha Kol Nikollaj.
Nikollaj shton se zgjidhje për konfliktin mes minatorëve që prej 13 tetorit janë në protestë dhe punëdhënësit nuk ka dhënë as Ministria e Ekonomisë.
“Në lidhje me Ministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, cila është ministria përgjegjëse për marrëdhëniet e punës. Realisht gjatë gjithë kësaj periudhe ka treguar një plogështi, ne kemi mbi 10-15 kërkesa shkresa e-mail-e që kemi kërkuar që ajo të përfshihet sepse ka detyrim të saj kushtetues, por e ka dhe detyrim me ligjin organik të qeverisë, që duhet të merret për marrëdhëniet e punës dhe ku përfshihen edhe marrëdhëniet dhe në rast grevë, është e pakonceptueshme që të largohen të gjithë pjesëmarrësit në grevë nga puna”, thotë Nikollaj.
Pas 3 vitesh si minator në këtë galeri, me detyrë përgjegjës turni, prej 1 muaj Albert Bushpreni është i papunë. Nga vendi i punës tregon ai në komision “më hoqën si të isha terrorist”.
“Me marrin telefonin shefi i burimeve njerëzore dhe më thotë, hajde te zyra se të kam se kam një zarf për ty. U futa atje te protokolli dhe unë shkruaj në protokoll, refuzoj marrjen e zarfit dhe e firmosa. Pastaj ai, hapi zarfin se e di çfarë ka brenda e ma lexoj dhe jam larguar me roje private që ka kompania aty. Sikur unë të kisha bërë, kisha shkelë ndonjë njeri, a të kisha vrarë ndonjë dikë, a të kisha qenë një terrorist. Edhe gjërat personale me shumë këmbëngulje i kam marrë”, tha minatori Bushpreni.
Por kur nisën pakënaqësitë e minatorëve?
“Pikë së pari duhet të theksoj që duke u ndjerë të pambrojtur përballë punëdhënësit, se në disa raste që kemi kërkuar nga rrogash, përmirësime kushtesh e tjera, janë bërë qesharak me ne, me rritje page 500 lekë të vjetra. E pamë të arsyeshme të organizohemi të mbrojmë veten në sindikatë dhe zgjodhëm konfederatën si ombrellën tonë ku do t' na drejtojë, konform me gjitha ligjet e shtetit shqiptar, mblodhëm firmat, i depozituam dhe me 16 gusht sindikata jonë mori formën e plotë. Më pas filluan intimidimet, të hiqnim dorë nga sindikata”, tregon minatori Bushpreni.
Me profesion fadromist, Kastriot Prenga tha se ata nuk paguhen për orët shtesë ndërkohë që punojnë me 2 turne.
“Paguhemi për 7 orë dhe rrimë 10 orë aty. Punojmë 7 ditë në javë, bëjmë 57 ditë pune në një muaj. Kemi propozuar të punojnë 8 orë 5 ditë të javës nuk pranoi. Të gjitha të drejtat na i ka mohuar, largonte njerëzit nga puna. Ministria të na japë një dritë jeshile”, tha Prenga.
Përveç mungesës së kontratave të rregullta, kushtet jo të sigurta të punë dhe pagave të ulta, minatori Dritan Lleshi, thotë se për të njëjtat pozicione pune, punonjësit turq paguhen shumë më lartë se ata, dhe ju jepen pushimet.
“Kam 8 vite punë aty, sa herë kemi kërkuar rritje page, ka pasur largime pune. Kontrata janë pa afat. Punëtorët turq paguhen shumë më shumë se ne në të njëjtën punë, kanë ditë pushimi. 3 muaj punë ata bëjnë 21 ditë pushim, kurse ne kemi 6 ditë punë”, tha Dritan Lleshi kryetar i sindikatës së minatorëve të Spaçit.
Përpara deputetëve, minatorët treguan pagat që sipas tyre nga institucionet që kanë shkuar për inspektim ishin të larta.
“Kur punon turn i dytë merr 25% mbi pagën e turnit të parë, dhe 50% më shumë kur punon turn i natës. Punëdhënësi me paturpësi, i tregojnë fletën e pagës time Ministrisë së Ekonomisë dhe i thonë që kam marrë 2.1 milionë lekë të vjetra në muaj. Kur u futëm ne në Ministri, më thanë nuk paguhesh keq ti, më përmendën rrogën. I shpjegova zonjës, që kisha punuar 32 ditë, 1 ditë është festë, dhe pjesa më e madhe është turn i dytë dhe i tretë. E mori letrën ajo zonja, dhe në fund nuk arriti ta zbërthente letrën e pagës time. Nuk do e zbërthejnë dot, sepse ata e kanë bërë që të mos kuptohet”, tha minatori Bushpreni.
Si rrallë herë kahet politike u bënë bashkë, për tu bërë ‘avokatët e minatorëve”, përballë kompanisë turke por edhe institucioneve shtetërore, që deri më tani nuk kanë dhënë një zgjidhje.
“Të mos jemi deputetë politikë, por të jemi avokatë të minatorëve. Le ta trajtojmë si kazus të fortë që të tregojë edhe integritetin tonë si komision. Të jemi avokatë të tyre në institucionet shtetërore”, tha Bujar Leskaj Deputet i PD-së.
Kurse socialisti Erion Braçe kërkon nga institucionet të ndalojnë negociatat me kompaninë, për njohjen e sindikatës, pasi krijimi i saj është e drejtë ligjore.
“E drejta për tu grupuar në një sindikatë nuk duhet të diskutohet më. Jam i shastisur sesi ministritë duan të negociojnë me punëdhënësin për këtë. Fare, zero. Është e drejtë ligjore. Mund të negociohet çdo kërkesë, por kjo jo. Asnjëra ministri të mos negociojë me punëdhënësi për sindikatën. Këto historitë hajde këtu të negociojmë pagën nuk duhet të ekzistojë është turp. Këto rregullohen në kontratat e punës dhe caktohen në kodin e punës dhe jo qejfi i një punëdhënësi. Parësore duhet të jetë shëndeti i punëmarrësit, jo fitimi. Të dëgjova Bert dhe për pagën, por ke marrë më pak se ne deputetët, me thënë të drejtën. Ne nuk kemi luksin e të humbasim asnjë punonjës jo këta të na largojnë nga puna 64 punëtorë. Kur ne jemi në nevojë ulëritëse për punëtorë në këtë vend. E për më tepër kur pjesa më e madhe e tyre, miratorës janë edhe njerëz të kthyer nga emigrimi. Unë mendoj që për ne është e rëndë kjo gjë.”, tha Braçe.
Sipas deputetit të PS-së, derisa kompania të tërheq vendimet për largimet nga puna të minatorëve, nuk duhet të ketë negociata.
“Themelore është që punëdhënësi të kthej pas urdhrat për largimet nga puna ti kthej pas nëse do të këtë marrëdhënie korrekte shtetin shqiptar. Urdhrat janë të turpshme. Pasi ti kthejë këto urdhra ulemi e flasim. Po kjo ka të bëjë me dinjitetin e atyre njerëzve dhe me Kushtetutën e Shqipërisë. Ministria duhet ti kërkojë direkt punëdhënësit për të njohur sindikatën, për të hequr dorë nga largimet nga puna”, tha Braçe.
Nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Drejtoria e Tatimeve, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deri tek Inspektoriati i punës, duhet të ftohen në seancë dëgjimore të përbashkët për këtë çështje, u tha në komision.
“AKBN-ja, që është institucioni që me ligj ngarkohet për monitorimin e kontratave, të punës normalisht ju duhet këtu, dhe ta shfaqim me detaje, kontratën, mbi bazë të cilës ajo kompania atje operon me shtetin shqiptar. Është e rëndë se është pasuri kombëtare. Në qoftë se ajo është pasuri e punës produkti i punës e tyre bujqve atij, që është pasuri kombëtare. Është pasuri kombëtare. Në qoftë se burim natyror por është pasuri kombëtare edhe si puna”, tha deputeti Erion Braçe.
“Do kërkoja nga komisioni të krijojmë një kalendar të përditshëm, jemi të gatshëm të përditshëm të mblidhemi me të gjithë zinxhirin shtetëror që mund t'i japë zgjidhje kësaj gjëje. Presioni i këtij komisioni duhet të jetë në nivelin më të lartë, ne do të bëjmë patjetër avokatët e minatorëve që në mënyrë institucionale kompania koncesionare të respektojë kontratat”, tha deputeti i PD-së Besart Xhaferraj.
“Ne do të punojmë për ta ndjekur këtë çështje. Do ta vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje”, tha kryetarja e Komisionit Milva Ekonomi.
Prej 13 tetorit 2025 minatorët protestojnë për kushte të drejta pune, paga të denja, kontrata kolektive dhe njohjen zyrtare të sindikatës së tyre. Ndërsa vetë kompania turke “Tete Albania” ka deklaruar se sindikata është e paligjshme dhe ka paralajmëruar minatorët që po protestojnë se mund të mbeten pa rroga në fund të muajit.
Komente











