TIRANË- Ish-gjyqtari Luan Daci është zyrtari i parë i cili dënohet nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, gjyqtari Sandër Simoni ka dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove, ndonëse SPAK kërkoi 1 vit burg. GJKKO e ka cilësuar fajtor ish-gjyqtarin, duke argumentuar se përmes deklarimit të rremë ai ka mundur të zgjidhet gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Gjyqtari ka urdhëruar që Daci të mos e kryejë dënimin me burg, ndryshe nga sa kërkoi SPAK, ku ish-gjyqtari duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës si dhe nuk duhet të ketë kontakte me persona me rekorde kriminale.

"SPAK solli për gjykim çështjen numër 66. SPAK e akuzon Dacin për falsifikim dokumentesh. Më 3 shkurt 2017 Luan Daci ka aplikuar te Avokati i Popullit për t'u bërë anëtarë i KPA. Daci është pyetur në parlament pse është larguar nga Gjykata e Tiranës. Ai ka bërë deklarim të rremë pasi në 1997 KLD e ka shkarkuar dhe jo larguar me dëshirë. Daci pretendon se nuk i është kërkuar kjo e dhënë, por nga dokumentet del që e ka dorëzuar, vetëm vërtetimin e dhomës së Avokatisë. Duke paraqitur dokumentet të rreme, Luan Daci ka përfituar duke u bërë anëtarë i KPA-së. Ka fakte dhe është vepër penale dhe Daci i ka konsumuar këto sipas nenit 186/1 të Kodit Penal", mësohet të ketë thënë gjyqtari Sandër Simoni në argumentet e dhëna për vendimin.

Megjithatë, në përfundim të seancës, ish-gjyqtari Luan Daci tha se ky vendim do të apelohet, duke shtuar se në jetën e tij nuk ka falsifikuar kurrë asnjë dokument. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe avokati i tij, Jordan Daci i cili tha se ky vendim është i gabuar dhe kontradiktor. Ky është vendimi i shkallës së parë dhe tani do të pritet vendimi i Apelit, në nëse do të lërë në fuqi vendimin e dënimit për Dacin apo do t'i jap atij pafajësi siç ai vetë pretendon.

Sipas SPAK, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Daci u pezullua në 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion, por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm 2 javë më pas, por tashmë ai është dënuar nga Gjykata. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:30
U dënua me 6 muaj burg, që iu konvertua në shërbim prove/ Ish- gjyqtari: Do apelohet! S'kam falsifikuar asnjë dokument gjithë jetën (VIDEO)

Pasi u dënua me 6 muaj burg, që do i konvertohen në 12 muaj shërbim prove, ish- gjyqtari Luan Daci ka deklaruar se vendimi do të apelohet.

" Do të apelohet. Nuk kam falsifikuar asnjë dokument gjithë jetën", tha Daci.

Ora 12:25
Avokati i Luan Dacit: E ka deklaruar disa herë që është shkarkuar në ’97! Vendimi për ta dënuar i gabuar dhe kontradiktor (VIDEO)

Avokati i Luan Dacit, Jordan Daci ka deklaruar pas seancës së sotme në GJKKO se vendimi për të pezulluar 12 muaj gjyqtarin është i gabuar dhe kontradiktor.

”Këtë po thoja, vendimi është i gabuar dhe kontradiktor. U thanë fakte të ndryshme, si dhe i famshmi protokoll i Avokatit të Popullit. S’po flasim për falsifikim. Është një moment që ka të bëjë me marrjes në dijeni ose jo. Nuk jemi përpara një dokumenti, është një precedent i rrezikshëm. I hap rruge një praktike shumë të keqe. E ka deklaruar disa herë që është shkarkuar në ’97. Kjo që po thoni nuk përbën element të veprës penale. Ligji është fare i qartë, deklarimi i rremë edhe nëse është bërë nuk përbën vepër penale. Në dijeninë time e ka deklaruar. Procesverbaleve i mungon regjistrimi audio. S’ka asnjë efekt, nuk është i formës së prerë, shpresojmë që Apeli duhet të kemi parasysh i dha zgjidhje ekzzistencës së faktit penal. Këtu s’ka përgjegjësi penale, shpresojmë të bindim dhe Apelin.”- tha Jordan Daci.

Ora 12:22
GJKKO dënon me 6 muaj burg ish- gjyqtarin Luan Daci! I konvertohet në 12 muaj shërbim prove (VIDEO)

GJKKO dënon me 6 muaj burg ish- gjyqtarin Luan Daci. I konvertohet në 12 muaj shërbim prove