Falsifikimi i një certifikate që vërtetonte se kishte kryer vaksinën e Covid-19 mund t’i kushtojë një dënim prej 5 vitesh burg Granit Xhakës.
Në fillim të tetorit, kapiteni shqiptar i Zvicrës do të merret në pyetje lidhur me ngjarjen e zbuluar para 3 vitesh.
Ai ka pranuar akuzën dhe është shprehur se ndihej shumë i pasigurt asokohe, ndaj siguroi vërtetimin. Sot shpreh pendesë për veprimin e tij dhe gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me autoritetet.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë arsye, dua të shprehem personalisht. Në lidhje me vaksinimin kundër Covid-19, në atë kohë isha personalisht shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i ndikuar nga frika dhe pasiguria. Në këtë gjendje të trazuar emocionale, unë sigurova një vërtetim vaksinimi, në vend që të sqaroja pyetjet e mia të hapura në rrugën e parashikuar. Sot e kuptoj qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte një gabim. Më vjen keq për këtë. Unë marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm për zbardhjen e plotë të fakteve dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet përgjegjëse”, u shpreh Xhaka.
Xhaka nuk do të jetë pjesë e Zvicrës në ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Taulant Xhaka ka zgjedhur të thyejë heshtjen për t’i dalë në mbrojtje vëllait të tij Granit Xhakës, pasi ky i fundit tha se kishte marrë një vërtetim fals vaksinimi për COVID-19.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ish-ylli i FC Basel shprehet se të gjithë bëjnë gabime.
“Të gjithë bëjnë gabime. Askush nuk është perfekt. Ju lutem, mos e harroni kurrë një gjë: atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka bërë për Zvicrën gjithë këto vite. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe këtë fanellë. Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj. Gjëja më e rëndësishme nuk është të mos bësh kurrë gabime, por t’i pranosh ato, t’i njohësh dhe të mësosh prej tyre”, shkroi ai.










Komente
Komento