Zvicra është gati për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e saj, teksa në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026 do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën, në Kansas City.

Kapiteni i helvetëve, Granit Xhaka, u shpreh i bindur se skuadra e tij ka motivimin e duhur për të synuar një surprizë të madhe ndaj favoritëve të turneut. Mesfushori shqiptar theksoi se afrimi me fazat vendimtare të Botërorit ka shtuar edhe më shumë dëshirën e ekipit për të vazhduar rrugëtimin.

"Kur je kaq afër, dëshira bëhet edhe më e madhe. Ky është një lloj presioni pozitiv për ne, sepse duam të vazhdojmë më tej", deklaroi Xhaka.

Kapiteni i Zvicrës komentoi edhe përballjen me Lionel Messin, duke e cilësuar një moment të veçantë për çdo futbollist.

"Është një privilegj i madh të luajmë në epokën e Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ende nuk e kemi analizuar në detaje Argjentinën, por nga nesër do të nisim një analizë shumë të thellë", shtoi ai.

Megjithatë, Zvicrën e pret një mision tepër i vështirë. Argjentina ka shënuar në secilën prej pesë ndeshjeve të fundit në Kupën e Botës, ndërsa Lionel Messi kryeson listën e golashënuesve të turneut me tetë realizime, duke mbetur arma kryesore e ekipit të drejtuar nga Lionel Scaloni.

Për të siguruar një vend në gjysmëfinale dhe për të eliminuar kampionët e botës, Zvicra do të duhet të zhvillojë një paraqitje pothuajse perfekte ndaj një kundërshtari që mbërrin në këtë fazë me 12 fitore radhazi në të gjitha garat.

Datat dhe oraret e ndeshjeve çerekfinale:
9 korrik ora 22:00 / Francë - Marok (Boston)
10 korrik ora 21:00 / Spanjë - Belgjikë (Los Angeles)
11 korrik ora 23:00 / Norvegji - Angli (Miami)
12 korrik ora 03:00 / Argjentinë - Zvicër (Kansas)

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.