ELBASAN- Një i dënuar në burgun e Peqinit, po bënte përpjekjet për t’u liruar nga burgu, me anë të një skeme duke u hequr i punëtor i devotshëm. Për këtë skemë, i kishin “ardhur në ndihmë” Gani Shehu, ish Përgjegjës i Sektorit Ligjor dhe Lulzim Kaziu me detyrë kartelist në sektorin ligjor, të cilët u ndaluan sot nga Policia.

Ndaj tyre rëndon akuza për “Shpërdorim i Detyrës” e kryer në bashkëpunim, kjo sepse po falsifikonin kartelën e punës për të dënuarin e identifikuar si Lorenc Hajro

Ky i fundit po përpiqej që të shtonte disa orë pune, me qëllim që të përfitonte një ulje të dënimit, manovër kjo e përdorur nga shumë të dënuar. Megjithatë, janë të pakta detajet se kush është Lorenc Hajro dhe akuzat pse ai qëndron në burg. 

“Shtetasit e ndaluar, në bashkëpunim me njëri tjetrin me veprime aktive konkrete kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodi Penal, duke sjellë për pasojë përfitime të paligjshme për të dënuarit L.H, në lidhje me uljen e dënimit dhe duke administruar në dosjen penale të tij, kartela punësimi të falsifikuara”, thuhet në njoftimin zyrtar, të siguruar nga Report Tv.